Sociologu dhe diplomati i njohur Fatos Tarifa flet në këtë intervistë mbi fushatën zgjedhore dhe disa tema të aktualitetit politik. Ai ka edhe një parashikim për atë që mund të ndodhë pas zgjedhjeve lokale.
“Unë kam frikë se, fill pas këtyre zgjedhjeve, partitë politike do ndezin motorët e fushatës së ardhshme për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen dy vite më pas. Ka pak të ngjarë që pas zgjedhjeve të 14 majit do të shohim normalitetin e kërkuar”, – thotë ai ndër të tjera.
Me profesor Tarifën, bisedoi gazetari Xhevdet Shehu.
Miku im, profesor Fatosi! Jemi në kulmin e një fushate zgjedhore. Kam vënë re angazhimib tuaj në mbështetje të kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës. Dua t’ju pyes: Mos po e dëmtojmë z. Veliaj duke e lëvduar?
Xhevdet i dashur! Do i përgjigjem kësaj pyetjeje dhe pyetjeve të tjera që mund të më bësh, por me një kusht: që të mos presësh përgjigje të gjata nga unë. Për një arsye të vetme. Për transformimet e kryera në Tiranë gjatë tetë viteve të fundit dhe për meritat e z. Veliaj kam shkruar shumë dhe, çfarë kam dashur të them – pra çfarëdo që e kam gjykuar të nevojshme ta them – e kam thënë. Biem dakord?
Sigurisht. Pra pyetja ime ishte kjo: Mos po e dëmtojmë z. Veliaj duke e lëvduar për arritjet e tij në kryeqytetin tonë gjatë dy mandateve të shkuara?
Dhe përgjigja ime për pyetjen tuaj është kjo: Në asnjë rast unë nuk kam shkruar për transformimet e kryera në Tiranë që t’i vij në ndihmë kryetarit aktual të bashkisë në këtë fushatë zgjedhore. Erion Veliaj nuk ka nevojë për mbështetjen time që të fitojë sërish në këto zgjedhje. Punët e mira që ai ka bërë për Tiranën dhe për banorët e saj i kanë siguruar atij mjaftueshëm mbështetje qytetare për t’u rizgjedhur në krye të bashkisë së tyre.
Nëse them se z. Veliaj nuk ka nevojë për mbështetjen time në këtë fushatë, jam i sigurt që mbështetja publike që i kam dhënë, i jap dhe do të vazhdoj t’i jap kandidaturës së tij në garën me “rivalët” e tij nuk e dëmton aspak atë, siç duket se keni merak ju.
Dhe, nëse fushatën e z. Veliaj nuk e dëmtojnë dot sharjet dhe shpifjet e kundërshtarëve të tij politikë, si mundet ta dëmtojë mbështetja që i japim unë, ju, ata si unë dhe si ju dhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë të Tiranës që e pëlqejnë atë, që i çmojnë arritjet e realizuara nën drejtimin e tij dhe që duan që Tirana të bëhet edhe më e pastër, edhe më e bukur, edhe më e jetueshme, siç është duke u bërë vitet e fundit?
Unë kam shkruar dhe do të vazhdoj të shkruaj për Tiranën sepse më pëlqejnë ndryshimet që janë bërë në qytetin tim (në kryeqytetin tonë) vitet të fundit. Dhe emri i Erion Veliajt është i pandarë nga këto ndryshime, ashtu siç është i lidhur me transformimin e kryeqytetit në fillim të viteve 2000 emri i z. Rama. It’s as simple as that!
Është, pra, kaq e thjeshtë. Mbështetja ime publike nuk është për Erionin si Erion, si individi që ai është. Mbështetja është për Erionin si kryetar i bashkisë së qytetit tim. Përse duhet unë të mos e mbështes- dhe përse duhet të mos e mbështesin të gjithë ata si unë dhe si ju – që i pëlqejmë punët që kryetari i bashkisë ka bërë dhe vizionin që ai ka për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të kryeqytetit?
Unë shkruaj në mbështetje të Erion Veliajt si një banor i Tiranës, që e dua kryeqytetin tim. Këtu jam rritur, këtu kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime dhe këtu kam zgjedhur të jetoj deri në fund.
Unë shkruaj si një sociolog që studion jetën urbane, ndryshimet sociale dhe kulturore në shoqëri. Por unë shkruaj edhe si një intelektual publik i angazhuar, që s’mund të rrijë indiferent ndaj çështjeve të mëdha me interes publik dhe kombëtar, siç është edhe vizioni për zhvillimin e kryeqytetit të vendit tim.
Fakti që Erion Veliaj është në këtë kohë – dhe në këtë periudhë të jetë sime – kryetari i bashkisë së Tiranës është një rastësi. Që unë kam dhe mbështes të njëjtin vizion për Tiranën që ka edhe ai nuk është aspak rastësi. Besoj me këto që thashë i jam përgjigjur pyetjes suaj.
Ndërkohë, ju jeni një ndër kritikuesit më të ashpër të njërit prej kandidatëve opozitarë, Belind Këlliçit. Që të jem i sinqertë, posteri i tij me gishtrinjtë e mesit përpjetë mua ma shpifi. Por përtej palaçollëqëve të tilla, cili është thelbi i mospajtimit tuaj me alternativën e opozitës në këto zgjedhje?
Oh, no! No more Këlliçi, please! Përsëri duhet të flas për Këlliçin? A meriton ai më shumë vëmendje dhe më shumë fjalë nga unë? Ma kurse kohën, të lutem. Këlliçi është një shaka. Ai as nuk di, as nuk di të flasë, as ka ndonjë vizion – çfarëdo lloj vizioni. Belua ecën kuturu, pa ditur ç’kërkon dhe ku shkon. Ah, jo, ai shkon kudo ku e çon shoferi i “autobusit falas” me të cilin lëviz.
Që nuk ka asnjë vizion për administrimin dhe zhvillimin e Tiranës këtë e kuptoj, sepse (i) jo vetëm nuk ka asnjë përvojë në administrim, por edhe (ii) është zgjedhur me dorë për të bërë këtë fushatë nga dy njerëz—a është e nevojshme të të them se cilët janë?—që edhe vetë nuk kanë asnjë vizion për të ardhmen e Tiranës dhe të Shqipërisë. Besoj kaq mjafton
Miku ynë i përbashkët Bedri Islami mbështet—dhe me sa duket dëshiron—që në Shkodër të fitojë Benet Beci. Do të ishte një ngjarje e shënuar që socialistët të fitonin në Shkodër, apo jo?
S’do të duhej të ishte, por nëse ndodh, duhet konsideruar e tillë. Një ngjarje politike me shumë rëndësi për Partinë Socialiste, por edhe më e rëndësishme për vetë Shkodrën dhe banorët e saj.
A mendoni se, pas 14 majit, në vend do të krijohet një klimë ndryshe, më e qetë dhe më shpresëdhënëse për shqiptarët? Pra, a duhet t’i thërresim mendjes dhe të mos lëmë të na tërheqin pas vetes njerëzit idiotë të këtij vendi?
Pyetje e vështirë, miku im. Kemi 32 vite që shpresojmë dhe duam që t’i përmirësojmë jetët tona dhe ta transformojmë në rrugën e duhur vendin tonë pas çdo raundi zgjedhjesh legjislative apo lokale. Kemi bërë përparime, sigurisht. Përparimet më të rëndësishme janë bërë në periudhat kur në krye të qeverisë dhe të organeve të pushtetit lokal kanë qenë përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Kjo, ndoshta, do të duhej të vihej më mirë në dukje edhe në këtë fushatë, duke përgënjeshtruar pretendimet tërësisht të pavërteta të Berishës se ishin partia e tij dhe ai vetë që e futën Shqipërinë në NATO dhe u hoqën shqiptarëve vizat për të lëvizur në Europë. Këto, siç kam shpjeguar në librin tim “Afrimi i madh”, që doli ditët e fundit, janë pallavra që i besojnë vetëm njerëzit naivë dhe ata trushpëlarë.
Sigurisht, të gjitha qeveri socialiste, përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë pasur problemet e veta dhe kanë bërë gabime. Gabimet janë pjesë e procesit politik. Çdonjëra nga qeveritë socialiste deri më sot ka pasur probleme me korrupsionin.
Korrupsioni është një dukuri e hershme sa vetë shteti dhe universale, e përbotshme, që e gjen—ku më shumë e ku më pak—në çdo shtet, në çdo qeveri, në çdo pati politike. Me një fjalë, kudo. Me këtë nuk dua të justifikoj korrupsionin e madh në radhët e qeverisë shqiptare—të cilësdo qeverie shqiptare. Përkundrazi, shumë herë kam vënë në dukje se qeveritë socialiste (kur ato janë drejtuar nga Fatos Nano, nga Ilir Meta dhe këto dhjetë vitet e fundit nga Edi Rama) nuk ka bërë sa duhet—për të mos thënë kanë bërë shumë pak—për ta luftuar korrupsionin.
Por duhet bërë dallim. Qeveritë socialiste kanë qenë thuajse gjithnjë më të mira sesa qeveritë e krijuara nga Partia Demokratike, ose nga aleancat e kësaj partie me parti të tjera—herë opozitare, herë jo, ose edhe opozitare edhe jo të tilla.
Mos më pyet për Partinë Demokratike sot, të lutem, sepse nuk jam i sigurt në ato që mund të them. Por që t’i përgjigjem pyetjes suaj, them se do të ishte normale që pas zgjedhjeve të 14 majit të shihnim një situatë më normale. Normale në kuptimin më relativ të fjalës.
Pozitiv është fakti se këto zgjedhje do të mundësojnë një rikonfigurim më të mirë të spektrit politik në vend, duke evidentuar forcën dhe mbështetjen reale të çdo organizate politike në radhët e popullsisë.
Por, unë kam frikë se, fill pas këtyre zgjedhjeve, partitë politike do ndezin motorët e fushatës së ardhshme për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen dy vite më pas. Fatkeqësisht, në këto tri dekada të fundit Shqipëria duket se ka qenë në një fushatë të vazhdueshme, të pandërprerë zgjedhjesh në nivel kombëtar dhe lokal.
Periudhat e fushatave zgjedhore në Shqipëri nuk kanë qenë dhe nuk janë ato të një jete politike, ekonomike e shoqërore normale. Ka pak të ngjarë që pas zgjedhjeve të 14 majit do të shohim normalitetin e kërkuar. Por, ndoshta do të kemi më shumë normalitet.
Kësaj do i ndihmojë fati politik që dëshirojmë—dhe shpresojmë—të kenë ata individë që këtij populli i janë bërë ferrë në sy dhe këtij vendi gurë nëpër këmbë. Nuk besoj të më pyesni se për cilët individë e kam fjalën. Ju e dini po aq mirë sa unë dhe sa shumica e shqiptarëve. E, megjithatë, ua them: Berisha, Meta-Kryemadhi, Mediu & Co.
Pyetja e fundit, që duket se është jashtë kontekstit, por lidhet me çka po bisedojmë, ka të bëjë me zhvillimet më të fundit në Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it. Ata që ju—bashkë me figura të tjera të njohura, si Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Ksenofon Krisafi, Dr. Dorin Koçi, avokat Spartak Braho etj.—i keni kritikuar dhe demaskuar ashpërsisht javët e fundit, me metoda fashiste uzurpuan organizatën më të madhe antifashiste në vend. Si e keni përjetuar këtë zhvillim, o i biri i Sevo Tarifës, mikut tim të paharruar, dhe çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo gjendje?
I dashur Xhevdet! Ky është një subjekt për të cilin kemi diskutuar edhe më parë dhe për të cilin jam shprehur publikisht në këtë gazetë disa herë, ndaj edhe nuk kam ndonjë gjë të veçantë për të thënë.
Por mund të them se, ashtu si kolegët dhe miqtë e mi intelektualë dhe antifashistë që përmende, ndihem keq që një grup fare i vogël njerëzish të këqinj, injorantë dhe të rrezikshëm u kanë rrëmbyer veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë dhe pasardhësve të tyre organizatën e tyre.
Kjo organizatë e nderuar me titullin e lartë “Nderi i kombit” ka rënë në duart e llumit të kombit dhe drejtohet realisht nga një individ i dënuar penalisht në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor të kësaj republike, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Emrin e tij tashmë të gjithë e dinë: Veli Myftari.
Ajo për të cilën mua më vjen keq është përfshirja në këtë histori të shëmtuar grabitjeje e Prof. Hulusi Hakos. Edhe pse Prof. Hako ka qenë një mik i babait tim dhe një pedagog i imi në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, ai është njeriu më i papërshtatshëm për të qenë në krye të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it.
Me këtë organizatë Prof. Hakon nuk e lidh asgjë, veç synimit të mbrapshtë të Veli Myftarit që ta përdorë atë për të bërë (nën hijen e tij) të njëjtat zullume që synojnë shkatërrimin e kësaj organizate të rëndësishme.
Nëse Prof. Hako më dëgjon, pra nëse i lexon këto radhë, dëshiroj me respekt t’i them këto fjalë, si djali i mikut të tij Sevo Tarifa dhe si një ish student i tij: Profesor, po të shfrytëzojnë dhe duan të të poshtërojnë. Veli Myftari dhe disa këpucëlëpirës së tij. Këta njerëz trazojnë gështenja të nxehta me duart tuaja, Ndahuni prej tyre. Më kurseni mua, ish studentit tuaj, që më njihni mirë, të mos shkruaj dhe botoj një letër të hapur për ju, duke hequr dorë nga posti honorifik që ju kanë dhënë pa zgjedhje të rregullta dhe në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në statutin e asaj organizate.
Kjo do të ishte në nderin dhe dinjitetin tuaj. Këtë këshillë të urtë, jam i bindur, do ju jepte edhe babai im, Sevo, që e keni dashur dhe ju ka respektuar./Dita