Operacioni Forca e Ligjit ka piketuar sot katër të dënuar nga Shkodra dhe Malësia e Madhe. Atyre u është dërguar formulari në të cilin duhet të deklarojnë burimet e pasurisë së tyre. Katër të “fortët” e dënuar për krime të rënda janë Fran Marinaj, Dorjan Duli, Mondi Ramaj, Gëzim Vajushi.
“Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
F. M., banues në Malësi të Madhe, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”;
D. D., banues në Shkodër, i dënuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë;
M. R., banues në Velipojë, Shkodër, i dënuar në Itali, për veprën penale “Vjedhja e kryer në rrethana rënduese”;
G. V., banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”.
g.kosovari