Nga Fatos Tarifa
Për të disatin vit me radhë, Dita më kërkoi të zgjedh “njeriun e vitit” që shkoi dhe të argumentoj zgjedhjen time. Kjo është gjithnjë—dhe unë besoj për këdo—një detyrë shumë e vështirë. Të meritosh të quhesh “njeriu i vitit” duhet, sigurisht, të kesh bërë diçka shumë të veçantë dhe me vlerë për këtë vend dhe për shoqërinë shqiptare—një arritje në fushën e shkencës apo në aplikimet praktike të saj, një vepër madhore në letërsi ose në një fushë të artit, një rekord i ri në sporte ose, përgjithësisht, diçka me rëndësi në dobi të interest publik.
Këtë herë vendosa të cilësoj si “njeriun e vitit” një individ të veçantë, por një komunitet njerëzish, me atributet e një individi kolektiv—Oficerint e Policisë.
***
Si një sociolog i politikës, gjithnjë më kanë intriguar misioni që ka dhe roli që luan policia në jetën e një shoqërie. Kam pasur raste të njoh, veç të tjerash, edhe policin amerikan, edhe policin hollandez. I pari me një autoritet të jashtëzakonshëm, gati “të frikshëm”, që shpreh, në fakt, autoritetin e vetë ligjit, të cilin ai e mbron dhe kërkon të zbatohet njëlloj për të gjithë dhe nga të gjithë. I dyti, polici “tipik” hollandez, po aq i përkushtuar detyrës së tij si mbrojtës i ligjit dhe i rendit në vendin e vet, por edhe më “human” dhe më i komunikueshëm me qytetarin (si kur del në shërbim me makinë në rrugët e Hollandës, edhe kur del i hypur mbi kalë, me një Vespa, me biçikletë, ose me patina (rolling skates) në rrugët më të ngushta të qyteteve të saj.
Studimi i teorisë sociale më ka bërë prej kohësh ta shoh me një skepticizëm metodologjik, si të njëanshme dhe reduksioniste teorinë e konfliktit, të cilën e lidhim kryesisht me emrin e Marksit, tek i cili kjo teori ka origjinën e vet. Sipas saj, në një shoqëri moderne, policia dhe njerëzit në shërbim të saj kanë si mision dhe veprojnë për të mbrojtur jo thjesht rendin publik dhe për t’i shërbyer së mirës publike, por për të mbrojtur rendin sundues, pushtetin e elitës sunduese, atë që C. Wright Mills, i ndikuar nga Marksi dhe Weber, e quante “kompleksin ushtarako-industrial” (military-industrial complex) të shoqërisë kapitaliste.
Kjo është arsyeja që, sipas Marksit dhe teorisë së konfliktit, masa dërrmuese e atyre që bëhen viktima të ndërhyrjes policore në rendet shfrytëzues janë të varfërit dhe shtresat e margjinalizuara të shoqërisë.
Max Weber, njëlloj si Marksi, i shihte policinë dhe rolin e policit si “krahun ndëshkues të shtetit”, si një pjesë e sistemit burokratik të aparatit shtetëror, që gëzon legjitimitetin e përdorimit të dhunës në emër të shtetit. Ky kuptim weberian, ashtu si dhe ai marksist, edhe pse në thelb i saktë, është gjithashtu i paplotë, i njëanshëm.
Konceptin markist dhe atë weberian mbi policinë e ka plotësuar dhe, për mendimin tim, saktësuar Émile Durkheim përmes teorisë së tij funksionaliste. Në kushtet e modernitetit, ai e shihte policinë jo vetëm si një agjenci për të siguruar zbatimin e ligjit, por edhe si një “agjenci morale” në marrëdhëniet e saj me shtetin dhe me publikun e gjerë. Një agjenci e tillë duhej t’i shërbente formimit të një conscience collective—pra, atyre besimeve, ideve dhe qëndrimeve morale që shërbejnë si një forcë unifikuese në shoqëri.
Për Durkheim-in, në një shoqëri moderne, e drejta dhe funksioni legjitim i policisë për të ushtruar dhunë në emër të interesave të shtetit merr edhe një kuptim moral-simbolik. Duke i konsideruar sjelljen devijante dhe krimin si dukuri normale, si patologji të vetë fabrikës sociale të shoqërisë, Durkheim mendonte se asnjë shoqëri nuk është imune ndaj sjelljeve keqbërëse dhe krimit.
Por, vinte në dukje ai, për aq kohë sa krimi mbetet në nivele të ulëta e të menaxhueshme, një shoqëri mund të konsiderohet e shëndetshme, njëlloj si organizmi i çdo njeriu që ka çrregullimet dhe patologjitë e veta. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, roli i policisë në një shoqëri moderne, përveç ushtrimit të dhunës, duhet të përmbajë edhe një aspekt moral dhe edukues, që lidhet sa me mbrojtjen e interesit publik, aq dhe me edukimin civik të qytetarëve.
***
Shtjellimi i mësipërm teorik mbi rolin e policisë dhe të policit në shoqëritë moderne më jep shkas të arësyetoj dhe të argumentoj zgjedhjen që bëra për Oficerin e Policisë si “njeriu i vitit” 2022 në Shqipëri. Arsyet janë të shumta, por këtu rendis disa prej tyre.
(1) Me keqardhje vë re se policia dhe polici në Shqipëri shpesh herë stigmatizohen—dhe fajësohen—në një mënyrë jo vetëm të padrejtë, por edhe të shëmtuar. Unë mendoj se policia e shtetit dhe polici te ne duhen vlerësuar dhe nderuar shumë më tepër nga sa ndodh sot.
(2) Rastet e veçanta të korrupsionit në radhët e policisë nuk duhen përgjithësuar, duke i denigruar pa të drejtë këtë shërbim jetik për shoqërinë dhe ata mijëra qytetarë të thjeshtë, si ju dhe unë, lexues të nderuar, të cilët, ruajtjen e rendit dhe të jetëve tona e kanë bërë misionin dhe profesionin e vet. Kur i thashë njëherë, rreth 25 vite më parë, një gazetari të huaj se në Bruksel ka më shumë korrupsion se sa në Tiranë, ai më pa me habi. “Pse?”, më pyeti. “Sepse në Bruksel ka më shumë para sesa në Tiranë”, iu përgjigja.
Parlamenti Europian ka autorizuar këto ditë heqjen e imunitetit për tre prej anëtarëve të tij me kërkesën e autoriteteve belge të drejtësisë. Për përfshirje në korrupsion.
(3) Në punën e saj, policia e shtetit ka pasur dhe, sigurisht, do të ketë edhe dështime. Kjo është po aq e vërtetë për policinë e çdo vendi. Askund, asnjëherë—me përjashtim të shteteve policorë, juntave ushtarake dhe diktaturave—nuk ka pasur e nuk mund të ketë një administratë dhe shërbime policore perfekte. Por nëse priremi të vemë në dukje vetëm dështimet e policisë sonë dhe nuk shohim e nuk vlerësojmë arritjet e shumta të saj—mbrojtjen e ligjshmërisë, të rendit publik dhe sigurinë që ofrojnë e garantojnë për ne të gjithë, si qytetarë të kësaj republike, policia dhe oficerët e saj—atëherë ne sillemi padrejtësisht dhe në një mënyrë të pandershme ndaj tyre, u “hamë hakun” dhe nuk ua çmojmë meritat.
(4) Duke qenë se nuk jetojmë në një shtet policor, diktatorial, por në një shoqëri pak a shumë demokratike, policia nuk është më “gogoli” nga i cili duhet të kemi frikë e të ruhemi, ose me të cilin duhet të trembim fëmijët e vegjël: “Shhht, se erdhi polici!”. Polici mund të jetë vëllai ynë, ose vëllai i shokut tonë; ai mund të jetë njëri prej kushërinjve ose fqinjëve tanë, një shok i yni, ose një shok i njërit prej shokëve tanë, një bashkëqytetar ose bashkëfshatar i yni—me një fjalë, kushdo nga ne që ka zgjedhur t’i shërbejë shtetit dhe shoqërisë i veshur me uniformën e oficerit të policisë.
(5) Dikush mund të më thotë, po pse tregohen kaq shumë anekdota me policë? Për këdo që e “shqetëson” një pyetje e tillë, kam këtë përgjigje: Unë vetë kam dëgjuar edhe më shumë anekdota me policë nga disa prej miqve të mi bullgarë, maqedonas, serbë, malazezë—një fjalë, ballkanas. Ndërkohë nuk më ka qëlluar asnjëherë të dëgjoj anekdota me policë në Amerikë (veç rasteve kur këto anekdota ia thonim njëri-tjetrit ne ballkanasit), as në Hollandë, në Kanada, në Gjermani, në Austri, në Suedi apo në vende të tjera të zhvilluara, ku kam jetuar, ose kam udhëtuar më shumë. Weber mund ta shpjegonte një dukuri të tillë me dallimet në shkallën e zhvillimit të këtyre shoqërive si shoqëri moderne. Unë prirem të mendoj njëlloj. Ne ballkanasit kemi mbetur popuj folklorikë.
(6) Edhe nëse ka policë të pandërgjegjshëm, madje edhe ndër ata që janë të lidhur me krimin dhe bashkëpunojnë me shkelësit e ligjit, këta, si kudo tjetër në botë, janë një pakicë, jo shumica. Në Shqipëri nuk ka pse të jetë ndryshe.
***
Pra, pse zgjodha Policin si “njeriun e vitit”? E zgjodha sepse:
(a) Polici është një garanci që na mbron dhe i bën jetët tona më të sigurta, jo më të pasigurta e më të rrezikuara.
(b) Polici është aleati ynë në përpjekjet për të sjellë ndryshimet pozitive në shoqëri, jo armiku dhe as kundërshtari ynë apo i këtyre ndryshimeve.
Polici është njëlloj si ne, një qytetar i këtij vendi, një polic shqiptar, jo një subjekt i huaj në shërbim të një vendi të huaj, jo një polic serb, grek apo tjetër.
(c) Duke më mbrojtur mua, ty apo Tjetrin, polici mbron vëllanë e vet, familjen e vet, bashkëqytetarët e vet. Unë ndihem shumë më i sigurt kur në një kryeqëzim rrugësh, në autostradë, në trotuarin pranë banesës sime apo në një mjedis publik ku grumbullohen shumë njerëz shoh police, sesa kur ata nuk janë të pranishëm.
(ç) Mbi të gjitha, ne rrallë mendojmë për vështirësitë, privacionet dhe sakrificat e policëve tanë. Ata nuk kanë komoditetin që kam unë dhe shumë prej nesh në institucionet ku punojmë dhe në punët që bëjmë. Ata nuk punojnë me një turn të vetëm, si shumica prej nesh, as nuk i kanë gjithnjë pushim fundjavat. Ata u mungojnë familjeve dhe, sidomos, fëmijëve të tyre edhe në orët e vona të mbrëmjes, edhe në netë të gjata, edhe në fundjava, edhe në ditë e netë me mot të keq, edhe në rrethana të vështira dhe shumë herë të rrezikshme për jetën e tyre.
(d) Ndërsa ne biem të flemë të sigurt se qetësinë e gjumit që bëjmë e garanton një polic i thjeshtë, një njeri si ne, që shërben aty jashtë dhe që, ndoshta, për të na mbrojtur nga një krim, ose nga grabitja në rrugë apo në banesën tonë, për të mbrojtur vajzat tona kur kthehen mbrëmjeve në shtëpi, ai polic i thjeshtë, ajo qenie njerëzore, që ka po ato virtyte dhe po ato kualitete si ne, kryen një detyrë fisnike dhe i shërben një misioni të madh—ruajtjes së rendit dhe të qetësisë publike në këtë vend.
Polici na thotë çdo mbrëmje “Natën e mirë, i dashur qytetar! Fli i qetë sonte. Unë jam këtu për ty dhe për familjen tënde!”.
Po a i dëgjojmë ne këto fjalë, me të cilat polici në rrugë na përshëndet dhe na uron një natë të qetë, ndërsa ai vetë do të qëndrojë zgjuar Për Ne, për të mbrojtur rendin, qetësinë dhe mirëqenien tonë?
Unë mendoj se jo. Ne i detyrohemi shumë Policit dhe Familjes së tij. Duhet t’i jemi mirënjohës atij dhe unë zgjodha ta shpreh mirënjohjen time duke e cilësuar punonjësin e policisë “njeriun e vitit 2022”.