Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka kritikuar administratën e Donald Trump për luftën në Iran dhe rritjen e çmimeve të konsumit, teksa ka nisur fushatën në mbështetje të demokratëve përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
“ Këto zgjedhje janë shansi ynë i fundit më i mirë për të frenuar të paktën disa nga marrëzitë e kësaj administrate”, u shpreh Obama para turmave në Ohajo të shtunën.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump vlerësoi politikat e administratës së tij për imigracionin dhe tarifat gjatë një tubimi në Gjeorgji, duke deklaruar se “jemi në epokën e artë të Amerikës”.
Zgjedhjet e mesmandatit, që do të mbahen më 3 nëntor, do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan për pjesën e mbetur të mandatit të Trump dhe sa hapësirë do të ketë presidenti për të zbatuar planet e tij.
Votimi i parakohshëm ka nisur tashmë, ndërsa Trump votoi të shtunën në Florida, së bashku me bashkëshorten e tij, Melania Trump.
Gjatë fjalimeve të mbajtura në Ohajo dhe Miçigan, Obama kritikoi Trumpin dhe anëtarët e kabinetit të tij, duke ironizuar në një moment edhe përpjekjet e presidentit për të ridekoruar Shtëpinë e Bardhë.
“Pas dy vitesh kaosi, mizorie, korrupsioni dhe paaftësie, të tilla që nuk i kemi parë në epokën moderne, keni një shans të thoni: ‘Mjaft më’”, deklaroi ish-presidenti në Cleveland.
Obama tha se i kuptonte votuesit që në vitin 2024 nuk mbështetën demokratët për shkak të shqetësimeve ekonomike dhe inflacionit pas pandemisë së COVID-19. Megjithatë, ai argumentoi se Trump duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen aktuale të ekonomisë.
The post Obama kritikon Trumpin për luftën në Iran dhe çmimet e larta: Këto zgjedhje janë shansi ynë i fundit appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë











