Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka kërkuar falje organizatës bamirëse Mjekët pa Kufij për sulmin vdekjeprurës të SHBA-së në një spital në veri të Afganistanit.
Sulmi ajror ka goditur një spital, që udhëhiqet nga Mjekët pa Kufij, në qytetin Kunduz, më 3 tetor, duke vrarë së paku 22 njerëz. Mjekët pa Kufij kanë bërë thirrje për hetime ndërkombëtare të sulmit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka thënë se Obama ka folur me presidenten e grupit bamirës, Joanne Liu, “për t’i kërkuar falje dhe për t’i shprehur ngushëllime për stafin e Mjekëve pa Kufij dhe për pacientët që janë vrarë ose plagosur”.
Earnest ka thënë po ashtu se Obama i ka thënë Liusë se do të ketë hetime të plota dhe transparente të sulmit. Obama i ka telefonuar edhe presidentit afgan, Ashraf Ghani, për t’i shprehur ngushëllime për jetët e humbura në sulm, ka thënë Earnest.