Nga Nikoll Lesi
Çështja e Ilir Meta është kthyer tashmë jo vetëm në debat juridik, por edhe politik, institucional dhe njerëzor. Pas afro 18 muajsh në paraburgim, pyetja që shtrohet publikisht nuk është më vetëm nëse ai është fajtor apo jo — sepse këtë e vendos vetëm gjykata — por nëse masa e sigurisë po respekton standardet e proporcionalitetit, të drejtave të njeriut dhe prezumimit të pafajësisë.
Në çdo shtet demokratik, paraburgimi duhet të jetë masë përjashtimore dhe jo dënim i parakohshëm. Vetë jurisprudenca e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar vazhdimisht se zgjatja e tepërt e paraburgimit pa një arsyetim konkret dhe të vazhdueshëm cenon lirinë individuale dhe prezumimin e pafajësisë. Sidomos kur bëhet fjalë për persona publikë, ish-zyrtarë të lartë apo figura politike, drejtësia duhet të jetë dyfish e kujdesshme që të mos krijojë perceptimin e “dënimit pa vendim”.
Argumenti kryesor i avokatëve të Metës është se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, nuk mund të prishë prova në të njëjtën masë si në fillim të hetimit dhe se një masë më e butë, si arresti shtëpiak apo detyrimi për paraqitje, do të ishte e mjaftueshme për të garantuar procesin.
Nga ana tjetër, SPAK dhe gjykata argumentojnë se masa e sigurisë lidhet me rrezikun procedural, ndikimin e mundshëm në hetim dhe peshën e akuzave. Por sa më shumë zgjatet paraburgimi, aq më i fortë bëhet debati publik mbi proporcionalitetin e tij.
Një element që po ndikon fort në opinion është edhe mënyra e trajtimit publik të Metës gjatë seancave gjyqësore — pamjet në kafaz xhami, izolimi fizik dhe tensioni politik që shoqëron çdo dalje të tij. Aq me tepër që ish-presidenti ka deklaruar se keqtrajtohet në burg, duke i mohuar çdo të drejtë ligjore e kushtetuese prej administratës së burgjeve.
Ky është krim ligjor, si ndaj ish-presidentit ashtu ndaj çdo qytetari të Republikës, kur ka diferencim të hapur në paraburgim.
Për mbështetësit e Metës, kjo shihet si poshtërim politik dhe jo thjesht procedurë sigurie.
Por në fund, demokracitë maten jo nga mënyra si trajtojnë qytetarin e zakonshëm, por edhe nga mënyra si trajtojnë kundërshtarët politikë apo figurat e forta të sistemit. Pikërisht këtu nis debati real: a po përdoret paraburgimi si domosdoshmëri procedurale apo po perceptohet nga një pjesë e opinionit si një formë ndëshkimi para vendimit përfundimtar?
Në aspektin juridik dhe human, pas një periudhe kaq të gjatë paraburgimi, kërkesa për rivlerësim të masës së sigurisë duket legjitime. Nëse nuk ekziston më një rrezik konkret procedural, një masë alternative si arresti shtëpiak mund të konsiderohej nga gjykata pa cenuar procesin penal.
Por duket se një dorë e fshehtë e mban si hakmarrje në qeli, kur fare mirë pas gjithë kësaj kohe paraburgimi, Ilir Meta mund të gjykohej i lirë dhe bile gjyqi të ishte i hapur për publikun, pasi nuk flitet se ka vrasje apo grupe kriminale që mund ta shikojnë dhe prishin provat. Eshtë thjesht një gjyq me akuza korrupsioni, siç ka ndodhur në Francë, ku ish-presidenti francez u mbajt një natë në qeli dhe me pas gjykohet në gjëndje të lirë.
Gjykata dhe Prokuroria duke e mbajtur në qeli vetëm sa rrisin, me dashje apo dashje, idenë se Ilir Metën e mban dikush tjetër në qeli, pra politikisht, por e verteta nuk është se ka ndërhyrje nga PS, por thjesht një dëshirë spakore apo e gjyqtarit për tu bërë lajm se ne “nuk falim njeri”.
Po pse në Francë ish-presidenti francez hetohet në gjëndje të lirë? A nuk janë profesionistë prokurorët dhe gjyqtarët francezë? Apo rasti kur Trumpi ishte jo president dhe e hetuan në gjëndjen të lirë.
Ndaj Ilir Meta duhet liruar dhe nëse gjykata i jep vendim të formës së prerë, pas gjykimit, se ka kryer krim ligjor të futet jo në qeli, por në fund të dheut!











