Nga Shpëtim Nazarko
Këtu e njëzet vjet më parë m’u desh të merrja pjesë në një akt që, qoftë Mero Baze apo Preç Zogaj, e kanë përshkruar në librat a historitë që kanë treguar shpesh. Duhej bërë ajo marrëveshja e famshme e marsit të 97-s. Po pse mora pjesë në të?
Nuk kisha ndonjë iluzion nga palët se do të arrihej ndonjë gjë e qëndrueshme. Arsyeja ishte e thjeshtë: Isha e vetmja gazetë që i bënte vazhdimisht thirrje publikut, por dhe qeverisë, me aq sa kishte fuqi një gazetë e vogël, që të mos merrte pjesë në këtë kasaphanë kombëtare që e kishte emrin Piramidë. Kisha dëgjuar Romano Prodin, një figurë e rëndësishme e Italisë së asaj kohe dhe kryeministër i saj. Me gjuhën e ekonomistit, kishte thënë një frazë të tmerrshme. Kujdes me gjëra të tilla si puna e fajdeve, sepse nëpërmjet tyre, ndonjëherë, zhduken edhe kombe.
I quajtur revolucion komunist apo jo ai i 97-s, le t’ia lëmë historianëve ta gjykojnë; ky revolucion mund të digjte, veç të tjerave, edhe Tiranën. A ia vlente të kishte fitues apo të mundur, kur vendit do t’i duheshin nja tridhjetë vjet të mira të lëpinte plagët e kësaj kasaphane? Marrëveshja e arritur çoi në qeveri teknike, apo e quajtur e pajtimit kombëtar.
Normalisht, vendi ishte thuajse Republikë presidenciale dhe ai që duhej të paguante drejpërdrejt, minimumi me dorëheqje, ishte vetë Presidenti Berisha. A pagoi gjë? Ai mbeti jo vetëm në këmbë, por tani pas njëzet vjetësh po evokon një lloj revolucioni, që e quan demokratik…
E çfarë rëndësie ka se si e quan, demokratik a paqësor? Është histori revolucioni, është punë e frikës nga Vetting-u, apo thjesht hesape taktike, që shpesh mbajnë era bixhoz politik ditor nga ato që ai i bën shpesh dhe i harron po me të njëjtën shpejtësi siç edhe i bën.
Rama, nga ana e tij, edhe sot në parlament, e quan këtë një përpjekje për të shpëtuar nga Vetting-u dhe asgjë më tepër. Mund të jetë edhe kështu, është shije e tij, ashtu siç është dhe ajo e doktorit, për t’i emëruar gjërat.
Kam qejf t’i referohemi vetëm fakteve.
Cili është problemi dhe pse nuk ka asnjë mundësi të ketë ndonjë lloj revolucioni?
Ky sistem zgjedhor, që u propozua në 2008-n, ndihmoi edhe një herë PD-në të mbetej në pushtet me ndihmën e partisë së tretë, LSI. Kjo, pas ndarjes së saj me PS-në në 2005-n. Doktori kishte të drejtë në një pikë, kur thoshte se «dy gjysmat e mollës», edhe nëse bashkoheshin nuk e bënin dot më të tërën. Dhe rezultati i zgjedhjeve i dha të drejtë. Të ndara fillimisht, edhe nëse i bashkoje pas zgjedhjeve të 2009-s, votat e PS-së dhe LSI-së bëheshin 70, dhe të jepnin deputetë po aq sa kishte Berisha.
Nga ky sens, u pa qartë se pas kësaj Berisha kishte vetëm një detyrë. T’i mbante gjithnjë të ndara këto dy pjesë, nëse nuk donte të humbte apo të vazhdonte të qeveriste për shumë kohë. E majta e bashkuar kishte provuar gjithnjë se kish vota më shumë se e djathta.
Por mbi çdo llogaritje ka vlerë edhe ekonomia, sepse partitë për këtë punë janë krijuar. 2011-ta tregoi se edhe kjo formulë çalonte. Viti 2013 tregoi jo vetëm se e majta e bashkuar fiton, por edhe se ky sistem zgjedhor nuk e shpëton dot PD-në. Sistemi zgjedhor u shpërbë në bazën e tij në 2013 dhe nga diferenca të vogla që duhej të tregonte në fituesit me humbësit, i thelloi ato shumë më tepër se sistemi i dikurshëm.
PD, si parti e madhe, duhej të kishte kërkuar formula të tjera për balancim, megjithëse vetë kam menduar dhe shprehur shpesh diçka tjetër për të dhe rolin e saj historik…
Është e qartë se nëse do të vijonte normaliteti, do të kishim diferencë akoma më të madhe midis frontit qeverisës dhe opozitës edhe në zgjedhjet e 2017-ës. Ca më shumë, nëse këtij fronti do t’i bashkëngjitej edhe PDIU apo FRD.
Si një mjeshtër i taktikës, doktori vazhdon atë të ndarjes së PS-së me LSI-në me variant tjetër. Është shumë i thjeshtë. Nëse PD nuk merr pjesë në zgjedhje, atëhere praktikisht nuk do të kishte vlerë as bashkimi i këtyre partive, apo ndryshe, Frontit të majtë. PS dhe LSI do të fitonin edhe votat e të munguarit të madh në këto zgjedhje, pra ato të PD-së. Po a bëjnë fajde për fituesin? Për PS-në, po, por për LSI-në, jo. Ajo do të ishte vetëm faktor në qeverisje, por aspak më i rëndësishëm sa këto katër vjet. Kaq e thjeshtë është llogaria.
Në këtë kalkulim tipik, që në fakt është për t’u lavdëruar-vetëm nëse luan bixhoz, po jo në atë që loz me fatet e vendit- doktori pati një ndihmë të drejpërdrejtë. Në një editorial të mëparshëm, theksova se ishte vetë Meta, që në formë eksplicite, theksoi se merr pjesë vetëm në ato lloj qeverisjesh apo bashkimesh, ku bashkë me të bëhen 71 vota. Ndryshe ai është në opozitë. Dhe pjesërisht apo më shumë se pjesërisht, ka të drejtë. Ai do të ishte bisht i panevojshëm i një aleance fituesish. Dhe kjo situatë bëhet reale pikërisht kur PD nuk merr pjesë në zgjedhje.
Në këto lloj llogarish taktike, që me thënë të drejtën, doktori i bën shpesh më mirë se të tjerët, ndoshta ka të drejtë. Meta duket u tremb akoma më shumë nga varianti që dukej në horizont, kur PS do të rreshtonte në front, veç tij, edhe PDIU-në apo edhe FRD-në.
Po a mund të shërbejnë llogaritjet taktike, nëse ajo dështon, për të ndërtuar fabulën e një revolucioni që vetëm doktori e sheh në horizont?
Siç e thashë më sipër, llogari të tilla shërbejnë për të çmuar si një lojtar bixhozi apo shahu, por janë thjesht të pamjaftueshme për të vënë ndonjë zjarr gjëkundi.
Këtij zjarri duhet t’i fryjë së pari populli. Pastaj ndërkombëtarët, etj., etj. Po ku është populli? E ku janë ndërkombëtarët? Këta të fundit, që i kanë bërë lodrat tona apo të ngjashme me to, dhjetëra apo qindra vite më parë, futen në lojë vetëm nëse shohin shkelje kushtetute. Kjo, në planin e pastër teorik. Në planin praktik, vetëm kur shohin lëvizje të mëdha popullore, apo ndonjë lloj zjarri që i afrohet edhe shtëpisë së tyre.
As njëra dhe as tjetra nuk shihet në horizont. Kërcënimet, së pari, do të kishin vlerë nëse Rama do të kishte thyer gjëkundi Kushtetutën, por kjo nuk ndodh. Dhe për mua, gjithnjë kjo ka bërë habi. Rama që vjen nga sektori i artit dhe jo doktori që vjen nga sektori i shkencave thuajse ekzakte, duhej të ishte shumë më i parregullt në lidhje me Kushtetutën dhe respektimin e saj.
A e di doktori këtë? Pasionant, jo vetëm i historisë, ai e ka parë këtë të fundit vetëm si histori, po jo si shkencë. Për të folur më drejt. Llogjika e tij mbështetet në atë që vendi nuk është në tranzicion, por një vend ku një grusht feudalësh në të cilin bën pjesë dhe ai vetë, kanë nja njëzet e pesë vjet që bëjnë çfarë kanë në mend, sepse nuk i rrezikon gjë ndonjëherë.
Kjo shaka e të ndenjurit kaq gjatë në pushtet, me siguri të jep të tilla ndjesi sigurie dhe është e para gjë që duhet të mbarojë njëherë e mirë.
Dikur në Romë, po pyesja sekretaren e senatorit të përjetshëm Andreotti. Ai më kishte ftuar për të kuptuar se a ia vlente të vinte në vendin tim për vizitë. Ishte kohë e keqe e një procesi gjyqësor në zhvillim për senatorin e përjetshëm.
A do ta fusin në burg senatorin? – i thashë sekretares.
Jo, jo,- u përgjigj ajo. Puna është që të ikë sa më shpejt nga kjo historia jonë. Tani, pas pesëdhjetë vjetësh, ai është bërë vetë shteti. Çdo funksionar i vogël, apo ai që ka qenë ushtar dhe është bërë gjeneral në këto pesëdhjetë vjet në kohën e tij, nuk i raporton më shtetit, por atij vetë. Dhe këtë e bën me përulje të madhe, si përpara babait që e ka rritur.
Problemi i feudalëve tanë është analog, megjithëse asnjëri prej tyre nuk ka gjë të përbashkët me Andreotin gjenial. Ata vetëm sa mund ta imitojnë në jetëgjatësi, por gjëkundi në vepër. Andreotti i përkulej kushtetutës dhe gjenialiteti i tij buronte nga fakti se kombinacionet e tij rrinin gjithnjë brenda kuadrit që lejonte ajo…
Kur Berisha sot në çadër u kujtua për Kushtetutën, tha se duhet lënë Rama deri më 18 qershor. Unë mendova se kësaj radhe u kujtua si për një plackë që e kishte humbur diku. Po harroi se data 18 është edhe datë zgjedhjesh dhe aty lidhet realisht edhe fati i Ramës, nëse rri apo ikën. E po mirë,-mendova… Po fill pas kësaj date, Doktori kërkoi qeveri teknike, se ndryshe do nxehej revolucioni.
Se ku është, vetëm ai e di, unë nuk e shoh gjëkundi…(Konica.al)