Nga Astrit Patozi
Mos e merrni seriozisht Lulzim Bashën për asnjë çast dhe për asnjë fjalë. Nuk do të ketë, as çadër tjetër, e aq më pak kryengritje popullore të udhëhequr prej tij. Si cdo njeri në hall të madh, ai thjesht po kërkon të fitojë kohë.
Që të harrohet në radhë të parë 25 qershori, më pas 22 korriku, por mundësisht edhe 9 shtatori, si start i turpshëm i listës Basha, në kontaktin e parë me parlamentin.
Fatmirësisht, nuk ka nevojë ta shpjegosh fare një gjë që e kanë bindje të gjithë. Si demokratët, ashtu edhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, kundërshtarë apo të pangazhuar politikisht qofshin. Sepse Lulzim Basha është i tejdukshëm tashmë dhe nuk ka maskë që e shpëton.
Në ditën e rikthimit të tij në parlament u rishfaq tigri prej letre, që nuk përdoret dot më as si dordolec, i cili mori guximin të flasë për moral dhe për votën e lirë. Pikërisht, për dy temat përvëluese të Republikës së Re, që të paktën sot duhet të ishin tabu.
Dhe m’u kujtua se si për më shumë se dy vjet më ka zënë “goja lesh” për zgjedhjet dhe për reformën zgjedhore në mbledhje grupi dhe kudo tjetër, ku kam pasur mundësi të shprehem (ka dëshmitarë të panumërt për këtë). Por në atë kohë, ky “kalorës” i votës së lirë, sikur nuk ishte aty, kur unë flisja, sepse kishte halle më të madhe mbi supe për të zgjidhur.
Dhe vetëm tre muaj para se t’i vinte veza, vendosi në mënyrë të befasishme të hapte “çadrën e lirisë”, të cilën e mbylli ditën e parë që qeveria i dha një pazar. Duke e çuar në greminë elektorale Partinë Demokratike, më të rëndën e historisë së saj, ndonëse u kishte dhënë të gjithëve (demokratëve në radhë të parë) garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Tani po flet sikur marrëveshjen e 18 majit nuk e kishte bërë dhe nënshkruar vetë, ndaj atij nuk i mbetet asgjë më shumë, veçse të ndreqë atë që ia kanë prishur të tjerët. Natyrisht, ky është një teprim i madh, por puna ka ardhur që Lulzim Basha nuk habit më askënd për atë që thotë dhe atë që bën. Arsyeja është e thjeshtë. Atë nuk e merr më njeri seriozisht.
Dhe nuk janë vetëm humbjet ato që e kanë bërë të papërdorshëm më si opsion për opozitën Lulzim Bashën. Në politikë qëllon të humbasësh, edhe më rëndë, nganjëherë madje edhe kur nuk bën asnjë gabim.
Ai tashmë është kartë e djegur kryesisht për mënyrën se si i menaxhon humbjet e njëpasnjëshme, që thellohen, jo rastësisht, në progresion gjeometrik. Ato konsiderohen përgjithësisht si “fitore”, për të cilat lideri ka meritën e vetme, dhe demokratëve do t’u duhet që ideatori i Republikës së Re të mbetet një ditë fillikat i vetëm, që të kujtohen se partia e tyre i ka humbur zgjedhjet.
Tamam në këtë stil ishte edhe akuza e neveritshme e vjedhjes e votave për të fshehur skandalin e të paktën tre deputetëve të Listës Basha, që iu bashkuan socialistëve në mbështetjen për Gramoz Ruçit, ditën e parë që shkelën në Kuvendin e Shqipërisë.
Kështu duhet lexuar fjala e djeshme e Lulzim Bashës në parlament, si nevoja e një të dëshpëruari që kërkon më kot që t’i falen gjynahet e të shkuarës dhe të tashmes, jo duke u penduar, por duke rrahur gjoksin për mrekullitë që do bëjë në të ardhmen. Por t’i besosh atij sot, është njësoj sikur të mendosh se soba nuk do ta djegë më dorën, pasi e ke provuar disa herë, dhe ta ka përcëlluar në të gjitha rastet.
Dhe në kushtet e një ekstramazhorance, që ka dhënë prova të forta se ka një koncept të shtrembër për qeverisjen e vendit, opozita është një nevojë e fortë shoqërore në Shqipëri. Këtë mision nuk mund ta kryejë kurrësesi Lulzim Basha, që është përgjegjësi kryesor për katandisjen dramatike në numra dhe moral të Partisë Demokratike, por jo vetëm të asaj. Për të nuk ka më, as kohë, dhe as amnisti.
a.ç