Ndonëse jemi në kulmin e periudhës së gripit, në Shqipëri nuk është evidentuar asnjë rast i tillë në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Ndryshe nga një vit më parë kur në vend numëroheshin mbi 400 të prekur në një javë.
“Në ecurinë e të gjithë monitorimit të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme kemi raste të dyshuara që janë për grip dhe raste të dyzuara që janë me covid-19. Deri në këto momente nuk kemi dedektuar asnjë rast me grip” – thotë Eugena Tomini për Klan.
Për shkak të shenjave të ngjashme klinike në mjaft raste, mostrat e personave të dyshuar me Covid janë analizuar edhe për grip. Vetëm analizat laboratorike mund të bëjnë diferencën mes gripit dhe Covid. Aktualisht në vend numërohen rreth 8 mijë persona të prekur me virozat e stinës.
“Raste të dyshuara ka pasur, klinika e Covid, sigurisht që është një klinikë e ngjashme me viruset e tjera respiratorë dhe për më tepër influenza apo me gripin, por shikohet një fluks, për sa i përket infeksioneve respiratorë të sipërme, apo dhe të poshtme për të bërë një diagnozë diferenciale, laboratori i virologjisë mund të testohen dhe për grip”.
Eugena Tomini që vetëm një ditë më parë u emërua zv/ministre e Shëndetësisë pas detyrës si shefe e epidemiologjisë në ISHP apelon që të mos neglizhohet asnjë shenjë nga qytetarët pasi kjo mund të ketë pasoja fatale.
/a.r