Nga Blend Çobani/
“Verba volant, Scripta Manent”, Perandori Titus Flavius, gjatë një fjalimi në Senatin e shumëditur romak. E përjetshme, e padiskutueshme, e gdhendur në themelet e civilizimit.
Ky është fakt…dhe që unë nuk jam gazetar. Por po shkruaj dhe kjo më pëlqen. Më ka pëlqyer gjithmonë, qysh prej kohrave të HARTIMEVE të famshme. Larg vendit tënd të vika dëshira për të shkruar. Të them të vërtetën tani po i kuptoj korifejtë e penës shqiptare që nga Pashko Vasa e Naimi i Madh deri tek Andon Zako. Qenka një lloj sëmundje. Në fakt kësaj here vendosa të shkruaj për ata që shkruajnë për ne, për gazetarët ose lajmësit e ditëve tona të mbushura me facebook, twitter, instagram, whatsApp, e të tjera komunikime si këto. Me thënë të vërtetën po hyja me jo pak droje në habitatin e tyre, por nuk qe e thënë të vazhdoja kështu për shumë minuta(me droje!).
Rastësisht ndoqa si shumë të tjerë në një emision televiziv(dhe atë jo të plotë se u revoltova), një shkëmbim fatal fjalërie(zezërie) ndërmjet një gazetari kurajoz e guximtar dhe një politikani të vjetër shqiptar. Me të vërtetë e dhimbshme, e turpshme, e pafalshme. Si mund të sulmohet ashtu live një gazetar i lirë, duke u sharë, duke u akuzuar për vepra kriminale, duke u dhunuar (qoftë edhe online)!?. Këtej nga Perëndimi i lirë e demokratik, kjo gjë të paktën live ka probabilitet shumë të ulët të ndodhë, në mos fare. Live, fatale!!! Po jo live çfarë mund të të bëjë ky politikani i vjetër me të tijët? Në fakt pyetje retorike.
Atëherë e flaka ngurrimin(drojen) dhe thashë ulu dhe shkruaj, sepse sot të gjithë ne të kohës së hartimeve duhet të shkruajmë, pasi vërtet që jemi shumë vonë dhe se na kanë frustuar psikologjikisht mjaftueshëm për të mos…..shkruar.
Atëherë për të shkëmbyer dy tre mendime për rolin e madh dhe të pazevendësushëm të medias të të gjitha llojeve në këto ditët tona të mbushura me skandale, politikë, shfaqje, vrasje, aksidente, tradhëti(të të gjitha llojeve), luftë, drogë, sport, e ku ta di unë se çfarë, pafund tema, objekte, të qena e të paqena, unë po përpiqem të jap një mesazh.
Personalisht jam lexues i pashtershëm, edhe i medias. Kështu na kanë edukuar, kështu jemi arsimuar. Duke qenë siç thashë më lart se jetoj përkohësisht larg vendit tim, në Amerikën e Veriut, lexoj e dëgjoj shumë shtypin vendas dhe të them të drejtën në fillim disa vjet më parë, më bënte shumë përshtypje sepse ndjeja që diçka më mungonte në menynë e ushqimit mediatik që konsumoja. Më në fund e gjeta, mungonte fjala e keqe(mesazhi negativ), me të cilin ishim mësuar në vendin tonë dhe të them të drejtën tek një individ mediangrënës si puna ime, kjo shije mungonte shumë.
Fjala është gjë e madhe, pa diskutim më e madhja. Një proverb(ndoshta edhe shqiptar) thotë se: “Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen”, sigurisht nëpërmjet fjalës. Gjithashtu Libri i të Krishterëve na shpjegon se “E para ishte fjala”, e shumë të tjera për Fjalën. Mjaft bashkëmoshatarë e bashkëstudentë të mij sot janë gazetarë dhe të shquar madje. Të them të drejtën, as që pretendoj të jem analist i aktivitetit të medias, por si lexues i paepur që jam, në këtë moshë e në këtë kohë mund të vlerësoj diçka. Ngulem në ekranin e kompjuterave me aq sa mundem, se gazetat fizikisht nuk kam ku i gjej, dhe përpij artikujt e penave të rënda të gazetarisë së sotme shqiptare Minxhozi, Baze, Balla, Blushi(Ben), Fevziu, Bushati(Andi), por edhe disa më të rinjve si Kazhani, Vasjari, Andoni, Ajazi, Vasili(Eni),etj., të cilët vërtet bëjnë gazetari dhe japin mesazhe. Për disa nga të parët ka rol edhe prejardhja e tyre familjare si bij gazetarësh të shquar ndër vite. Për mua transmetojnë shkëlqyeshëm së shkruari, analiza fenomenesh, kritika e perspektiva, stabilitet mendimi dhe mbi të gjitha mesazhe SHPRESE. Mos keqkuptohemi nuk ka lidhje me konformizmin, asfare. Për mendimin tim kjo është gazetaria. Ose ndryshe thënë Pushteti i Katërt.
Ajo pjesa tjetër me të cilën janë mbushur portalet informative shqiptare, për fat të keq kemi infektuar edhe ato kosovare, prapë për mendimin tim nuk ka të bëjë me gazetarinë. Ka të bëjë me gjithçka tjetër, por me gazetarinë aspak. Kronikë e zezë, e zezë, pafund zezëri. Nuk guxon të hapësh një portal shqiptar se menjëherë golgotha, lëmsh i zjarrtë lajmesh të zeza, askund një gjë e mirë, sharje, damkosje, gjak, thika, fytyra politikanësh të superkonsumuar, të supersharë, që nxjerrin vetëm baltë nga goja dhe që asgjëkund nuk japin asnjë SHPRESË. Asjëherë dhe për asgjë. Për kuriozitet vetëm në një portal informativ fjalët “vdekje dhe vrasje” para disa ditësh ishin shkruar mbi 30 herë!!!!! E rëndë, e hidhur, e lodhshme. Edhe një ndërmarrje jashtëzakonisht qytetare dhe shpresëdhënëse si ajo e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për vitin e gjelbër, për mbjelljen e qindra mijëra pemëve në të katër anët e Tiranës sonë të superlodhur nga vandalizmi urban, edhe asaj disa punonjës mediash, por jo gazetarë, ia gjetën antidotin me lejet e kullave shumëkatëshe që priten të ndërtohen në Tiranë në 10 ose 15 vitet e ardhshme! Vetëm sfumim, sfumim në funksion të lojës politike e interesave ekonomike të bosëve që hedhin gurin e fshehin dorën dhe teatrit të kukullave që luhet çdo ditë në faqet e gazetave, ekranet e televizioneve dhe kompjuterave, e mbi të gjitha në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Ti i voton për të të shërbyer, për të të ndihmuar për të shkuar në Evropë e kudo në Botë me ligje, me mirëqenie e kokëlart, ai/ajo luan me celular, gjuan me celular, josh e ndjell me celular dhe në fund fare tallet me ty po me celular!! Or të nderuar bashkëatdhetarë, edhe në Shqipëri dikush punon, dikush shpreson, dikush përpiqet për më mirë, pse nuk e inkurajojmë njeriun e punës, njeriun që mbjell dhe që nuk shkul, njeriun që ndërton dhe nuk djeg serra, fabrika, uzina e çfarë t’i dalë përpara. Një thënie e Shenjtores Nënë Terezë, na mëson se: “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Mos harrojmë se në vitet ’80-të , Tirana jonë konsiderohej si një nga kryeqytetet evropiane më të gjelbëruara në kontinent. E brenda 10 viteve pasuese të fundshekullit 20-të, gjithçka u rrënua në mënyrë spektakolare e të parikthyeshme dhe jo vetëm në Tiranë por në mbarë vendin! Një mik i huaj më thoshte dikur pas një vizite në Sarajevë, se nuk e kuptonte se ku ishte bërë luftë civile në Sarajevë apo në Tiranë!!! Atëherë çfarë mbeti së fundi, kërcënimet ndaj gazetarëve LIVE!!! Erdhi dhe kjo kohë, LIVE. Mirë që edhe nuk po vrasin live. Një ish president tashmë kryetar partie, (në Perëndim zakonisht ndodh e kundërta), deklaronte para pak ditësh midis të tjerash se qeveria aktuale është në rënie!! Pa dashur polemikë, unë si njeri i zakonshëm mendoj të kundërtën, se qeveria aktuale po përpiqet më së shumti dhe për mendimin tim jep shpresë. Energjia elektrike, uji i pijshëm, reforma e shumëpërfolur dhe e shumëpenguar në Drejtësi, lufta e ashpër kundër trafiqeve, ndryshimet e krerëve në të gjitha organet ligjzbatuese dukë vënë në krye njerëz të papërlyer dhe me të kaluar të shkëlqyer teknike, lëvizjet e diplomacisë, përpjekjet drejt BE-së, çelja e vendeve të punës(askush nuk ka faj se shumë shqiptarë donin juridikun dhe jo 200 vendet e punës për gjeodezë apo topografë që kërkon Artan Lame), e plot të tjera. Hatërmbetjet andej këtej për pushtetet e pamundura ose shpërblime të pamerituara me karrike zyrash nuk duhet t’ja lenë vendin transmetimit të mesazhit negativ, qoftë edhe atij politik i cili brenda vetes është shumë i diskutueshëm në të gjitha rastet.
Këto përpjekje Japin Shpresë. Francës ju deshën pesë revolucione që të mbërrijë këtu ku është sot! Vetë Evropa e Bashkuar është një mesazh i madh Shprese.
Mësuesi i madh Konfuc ka thënë: “Ai që lëviz malin, e fillon duke hequr guralecë të vegjël”. Edhe kjo e imja dëshiroj të japë Shpresë. Kemi nevojë për të. Kemi nevojë për Lajme por më së shumti për Shpresë. Në një shoqëri me demokraci fëminore si kjo e jona, mesazhet pozitive janë gjë e madhe, nevojiten kurdoherë dhe në çdo rrethanë. Qoftë edhe nga një njeri i zakonshëm si unë që……..nuk jam gazetar.










