Eintracht i Frankfurtit është pranë rënies nga liga e parë gjermane, teksa barazoi sonte 1-1 në shtëpi me Nyrenbergun, në takimin e parë play-out për mbijetesën.
Por lajmi që bëri më tepër bujë është se në formacionin vendas luajti edhe kapiteni Marco Russ, ndonëse është diagnostikuar me kancer, pas një kontrolli rutinë anti-doping në përfundim të ndeshjes me Darmstad. Russ dëshironte të ishte me çdo kusht në fushë për të ndihmuar skuadrën, por fati i rezervoi një shaka të hidhur.
Në minutën e 43-të ai shënoi autogolin që i dha epërsinë e përkohshme Nyrenbergut. Eintracht barazoi në pjesën e dytë, por tani miqtë favorizohen në ndeshjen e kthimit, ku u mjafton një 0-0, pikërisht falë golit të kapitenit që gjithsesi mbetet shembull. Nëse ai nuk pranon t’i dorëzohet vdekjes, sigurisht që edhe Eintracht nuk do t’i dorëzohet rënies dhe do të luftojë deri në fund për mbijetesë.
D.I.