Një shqiptar është arrestuar ditën e sotme në Greqi, pasi u fut në territorin e shtetit fqinj duke mos respektuar kontrollin në pikën kufitare. Në Qafë-Botë, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, nuk iu bind policëve për kontroll, duke thyer traun e doganës greke.
Në ndjekje të tij u vunë 6 automjete të policisë greke, duke bërë të mundur arrestimin e tij në Igumenicë, pas 30 kilometrash ndjekje.
Në tentativë për t’u larguar, ai ka përplasur edhe një automjet të policisë greke, por fatmirësisht nuk mbetën persona të lënduar.
Shqiptari është shoqëruar në polici ndërsa nga kontrollet në automjet nuk janë evidentuar sende të paligjshme. Dyshohet se ai vuan probleme psikologjike./m.j