“Shpresoj te drejtësia, tani nuk është momenti të flas dhe nuk besoj te fjalët naive të atij që ka vrarë djalin tim”. Kështu shprehet Debora Luli, mamaja e Ismailit, 17-vjeçarit të vrarë pa asnjë arsye me një prerje të thellë me thikë në fyt në një pyll në rrethinat e Vados në Pezaro.
Menjëherë pas lajmit të rrëfimit të vrasjes dhe të kërkesës për të falur mamanë e autorit, del nga heshtja ku ishte mbyllur pas tragjedisë dhe thotë se nuk i beson versionit të ngjarjes të dëshmuar nga Igli Meta me bashkëpunëtorin e tij, Marjo Mema.
“Po si mund të thuhet se situata i iku nga duart?- thotë nëna e viktimës. – Të gjitha provat e mbledhura të bëjnë të mendosh për një krim të paramenduar. Për një motiv absurd, prandaj nuk është ora për të falur dikë. Është ora për të kërkuar një dënim të drejtë”.
Ismaili jetonte me mamanë Debora, me shokun e tij Michele dhe me motrën e vogël 4-vjeçare, e cila akoma nuk e di se çfarë ka ndodhur. “I kisha thënë Ismailit kujdes me shokët që zë, – vazhdon Debora. – Ai i besonte të gjithëve, ishte i sjellshëm, në dispozicion. Kishte besim. Ëndrrat e tij nuk do të realizohen më. Im bir më kishte thënë se që nga shtatori, do të fillonte të studionte shumë: donte të bëhej kuzhinier ose karabinier. I pëlqenin të dyja profesionet. Kishte një të dashur, Giulia, të cilën donte të na e prezantonte në shtëpi. ‘Do të të pëlqejë mama’, – më kishte thënë. Edhe ajo e kishte këshilluar që Ismaili të mos pinte më cigare”.
Sërish mamaja e 17-vjeçarit shqiptar të vrarë në Itali, kujton pasionin e të birit për shkollën e hotelerisë dhe përvojën e tij në një bar pranë shtëpisë: “Pronari më kishte bërë komplimenta për përpikmërinë dhe saktësinë e Ismailit. Por tani për të gjitha ka mbaruar”, – përfundon ajo.










