Nga Skënder Minxhozi/
Lajmi më i fundit në fushën e masave të posaçme për të luftuar krimin e korrupsionin nuk vjen nga KÇK e famshme e shpallur me bujë pak ditë më parë. Sapo u njoftua që edhe rektorët e universiteteve do të kalojnë në një lloj Vetingu, që përfshin pastërtinë e figurës, autenticitetin e punimeve akademike dhe raportet me të shkuarën. Pas policëve “barkderra” dhe të famshmit Veting ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, edhe krerët e arsimit të lartë do të kenë filtrin e tyre të posaçëm.
Përtej kësaj, gjithçka tjetër po mbulohet këto orë nga zhurma e KÇK. Qeveria, e cila lançon nga një aksion ndëshkues në ditë, në stilin e aksioneve të njohura që ndizen dhe fiken si flakë kashte, por edhe opozita e mediat me reflekset e tyre të reagimit rrufe – të gjithë bëhen pjesë e një kori, i cili po i ndërton shtetit shqiptar një reputacion që faktikisht nuk e ka. Dhe që është reputacioni i shtetit represiv, që nuk të le të marrësh frymë, që të shkel me këmbë e të çon në burg për një fjalë goje, që të plas brenda pa të dhënë mundësi të mbrohesh etj.
Përtej rasteve të caktuara që nuk përbëjnë fenomen, shteti shqiptar, dje dhe sot, është thjesht e kundërta banale e këtij identikiti. Hiq një pjesë të viteve ’90, kur shteti ruante ende inercinë e komunizmit në mënyrën si sillej dhe godiste ata që nuk i pëlqenin, qeverisjet që pasuan erdhën duke e ulur imponimin e ligjit. Ndaj të fortëve në politikë, por edhe ndaj të fortëve në rrugë.
Historikisht problemi ka qenë zbatimi rigoroz i ligjit, dënimi i fajit dhe përgjegjësive, e jo reagimi i tepruar që çon në shkelje të të drejtave të njeriut. Kemi pasur shumë fjalë, shumë letra të shkruara e të vulosura plot pompozitet, por shumë pak produkt, shumë pak zbatim konkret të ligjit.
Meqë kemi ca burra të këqinj në postet e rektorëve, të cilëve nuk kemi ç’tu bëjmë, shpikim veting edhe për ta. Meqë kemi deputetë me nga pesë-gjashtë emra të cilët nuk filtrohen nga partitë dhe ligjet në fuqi, shpikim filtra specialë edhe për ta. Meqë një ushtri e vogël gjyqtarësh e prokurorësh shinë si ju deshi qejfi për 30 vjet, po i heqim duke ju numëruar paratë nëpër xhepa, e jo duke verifikuar çfarë mynxyrash kanë prodhuar me vendimet që kanë marrë gjatë karrierave të tyre.
E njëjta gjë edhe me KÇK. Nuk është problem se Sandër Lleshi po kthehet në kryepolic të gjithëfuqishëm, duke plasur në burg kundërshtarët e tij dhe të Edi Ramës. Sepse si Lleshi, ashtu edhe Rama, i kanë dhënë provat se nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, edhe kur kundërshtarët e kanë merituar të shkonin në burg.
Shfaqja e paketave ligjore, nismave, testimeve, filtrave etj, përbën në thelb një fenomen që tregon dobësinë e shtetit, jo forcimin e ashpërsimin e tij. Personat e inkriminuar të cilëve sot po ju kërkohet të provojnë pasurinë, kanë shijuar deri më sot privilegjet dhe paprekshmërinë nga ligji, në mënyra që shumëkush i konsideron skandaloze. Fakti që atyre po ju kërkohet të justifikojnë si i kanë ndërtuar pallatet dhe bizneset, na tregon se institucionet dhe shteti kanë dështuar që të ngrejnë akuzat reale që duheshin ngritur ndaj listave të njerëzve problematikë.
Nuk është problemi tek KÇK, Vetingu, testimi apo dekriminilazimi. Problemi është tek mungesa historike e zbatimit të ligjit, që ka pjellur krijesa të tilla ligjore krejt hibride dhe në zgrip, nga pikëpamja juridike. Nuk kemi përballë një shtet që po tregon dhëmbët, por një shtet që po tregon se ka nevojë për proteza, pasi dhëmbët i mungojnë…
Bravooo. Shume e veertete