Bashkimi i të gjithë fronteve opozitare është “formula” për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Kështu u shpreh mbrëmjen e sotme kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ftuar në “Opinion” Tv Klan.
Më 9 maj 2027 do të mbahen zgjedhjet lokale e fushëbeteja kryesore mes mazhorancës dhe opozitës është Tirana. Aktualisht drejtohet nga Erion Veliaj nga paraburgimi i Fierit.
Deri më tani, Bardhi sqaron se nuk ka alternativa konkrete për kandidatët për Tiranën, apo dhe për 46 bashkitë e tjera. Demokrati sqaron se kandidati i opozitës, duhet të vijë nga një profil i konsoliduar i mirëadministrimit.
Tirana nuk është bashki për të bërë eksperimente me kandidatët, thotë Bardhi, në përgjigje të pyetjes nëse kryebashkiaku i radhës mund të jetë produkt i protestës së “Flamingove”.
“Nuk kemi asnjë para-kandidat për Tiranën. Për mua duhet të jetë një kandidat politik me angazhim politik të konsoliduar, me tregues të aftësisë profesionale në administrimin e punëve ku ka punuar deri më tani, dhe jo një person që nuk ka punuar asnjë ditë në jetën e tij. Nuk mund të bëjmë eksperiment.
Unë kam parë që pjesë e flamengove apo studentëve, mbështetës të tyre janë pedagogë, mjekë, inxhinierë. Kanë një lloj profili. E ripërsëris që përsa i përket Bashkisë së Tiranës, nuk mund të bëjmë eksperiment që nuk ka punuar asnjë ditë të vetme në menaxhimin e një pune”, tha Bardhi.
Kreu i grupit të PD sqaron se brenda këtij viti, partia do të dalë me listën e kandidatëve, ndërsa thotë se vetë partia ka nisur procesin e brendshëm për selektimin. Ky angazhim ecën paralelisht me ofertën për një front opozitar të përbashkët në zgjedhje, propozim i cili deri më tani nuk ka rezultuar sukses.
“Paralelisht me ofertën që do të ishte e logjikshme për çdo opozitar për një fron të përbashkët, PD ka nisur dhe procesin e brendshëm që nuk përjashton të parin për përzgjedhjen e kandidati, qoftë për kryetar bashkisë dhe për kandidatët për listat e këshillit bashkiakë. Brenda këtij viti do të kemi listën me të gjithë kandidatët për të gjithë Shqipërinë. Ka një shumicë brenda kryesisë që mendon që në këtë moment politik, primaret mund të sjellin fragmentarizim”, tha Bardhi.
Dy emra demokratë, më të votuarit në Tiranë, janë deputetja Jorida Tabaku ndjekur nga Ilir Alimehmeti. Bardhi thotë se vetë Tabaku nuk ka shprehur vullnet për të kandiduar për bashkinë e Tiranës, pavarësisht se i është propozuar, ndërsa Alimehmeti është një emër i konsideruar si “fitues” për shkak të numrit të lartë të votave të grumbulluara.
“Tabaku ka shprehur vullnetin për të mos qenë kandidate se ka kaluar një betejë për zgjedhjet e përgjithshme. Tabaku është më e votuara në listën e Tiranës. I është propozuar nga strukturat e partisë. Sa kohë nuk ka vullnet për të kandidatura, Alimehmeti është një kandidaturë në gjykimin tim fituese e PD. Ka kaluar një performancë të jashtëzakonshme në zgjedhjet e 2025. Do të ishte e padobishme që Alimehmetin ta fusje në proces primaresh me anëtarë të tjerë të partisë”, tha Bardhi.










