Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot se ”nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë”.
”Lufta e Ftohtë ka ngelur në të kaluarën. Jemi në kërkim të një dialogu konstruktiv dhe të kuptimtë me Rusinë”, theksoi ai në samitin e Varshavës, kushtuar kryesisht problemeve globale të sigurisë.
Në këtë deklaratë, Stoltenberg shtoi se në samit do të diskutohej edhe e ardhmja e NATO-s si pjesë e vlerave të përbashkëta.
”Ne do të dislokojmë njësi multinacionale të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Këto njësi do të jenë të përkohshme dhe të ndërrueshme. Ne kemi forcuar mbrojtjen ajrore të Turqisë me Sistemin e Alarmimit të Hershëm dhe Kontrollit (AWACS) dhe sistemet e mbrojtjes raketore”, theksoi ai.
Stoltenberg gjithashtu tërhoqi vëmendjen për forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike dhe atyre me raketa balistike, duke thënë se çdo veprim është në të mirë të mbrojtjes, është proporcional, transparent dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare./a.k