Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi kandidat në listën e hapur të Tiranës, Fatmir Xhafaj, foli për klimën politike dhe zgjedhore në një intervistë për “News24”, vetëm katër ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar nevojën për dialog, angazhim konkret ndaj qytetarëve dhe bashkëpunim ndërgjeneratash në politikë.
“Janë ditë që tani llogariten me orë e minuta. Ka shumë stres, kërkesa për takime dhe një ritëm të jashtëzakonshëm,” u shpreh Xhafaj, duke nënvizuar se përfshirja në procesin elektoral i jep mundësinë për t’u takuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të diskutuar mbi atë që është realizuar dhe synimet e ardhshme.
Deputeti socialist, i cili prej 10 vitesh përfaqëson të njëjtën zonë zgjedhore në Tiranë, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe përvojës në politikë, por edhe nevojën për energji të reja.
“Unë kam 10 vite pa e ndryshuar zonën time zgjedhore. Kam 10 vite me të njëjtët njerëz dhe kam 3 palë zgjedhje të përfshira personalisht bashkë me ato të pushtetit vendor janë më shumë. Në sisteme të kësaj natyre elektorale, është një mundësi shumë e mirë dialogu me qytetarët për të debatuar e diskutuar me ta çfarë është bërë dhe angazhimet e së ardhmes. Besoj se ka qenë pozitive dhe jam ndjerë mirë që në mandatin e mëparshëm unë kam prezantuar para qytetarëve një agjendë timen me disa pika ku unë angazhohem publikisht para tyre dhe do t’i konsideroj si kauza të aktivitetit tim politik”, tha ai.
Xhafaj rikujtoi se në mandatin e kaluar ai ka pasur një agjendë të tijën politike, të shpallur publikisht, të cilën e konsideron si një kontratë morale me qytetarët. Në fokus të kësaj agjende kanë qenë vazhdimi i reformës në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit, si dhe çështjet që prekin të rinjtë dhe gjeneratën e re.
Si kryetar i komisionit parlamentar për antikorrupsionin, Xhafaj theksoi se vijon të jetë i angazhuar në thellimin e reformave dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë. “Programi i PS është i gjerë dhe prioriteti im i parë është që ai të zbatohet, por krahas tij unë vijoj të jem i përkushtuar ndaj këtyre çështjeve të shpallura si kauzat e mia personale në fushatë,” u shpreh ai.
Xhafaj, theksoi në studion e News24 se reforma në drejtësi është një proces që kërkon konsolidim, duke shtuar se është një kërkesë e përsëritur e vetë Bashkimit Europian dhe një nevojë e brendshme e sistemit.
“Është gabim të mendohet se reforma në drejtësi është një proces i përfunduar përgjithmonë. Institucionet e reja duhet të konsolidohen në përputhje me standardet më të mira evropiane,” deklaroi Xhafaj, duke e cilësuar këtë si një nga pikat kyçe të angazhimit të tij politik në këtë fushatë.
I njohur si një nga figurat kryesore në hartimin dhe mbikëqyrjen e reformës, Xhafaj iu përgjigj kritikëve të procesit, duke i quajtur akuzat ndaj reformës “spekulime të pastra publike”.
Ai vuri në dukje se Komisioni Parlamentar për Antikorrupsionin, që ai drejton, është një nga institucionet më transparente: “Çdo dokument, çdo letër, çdo vendim është publik në faqen zyrtare të komisionit. Ka një analizë me 700 faqe, ku është skanuar puna e ekzekutivit dhe parlamentit në çështjet e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.”
Xhafaj rikujtoi se edhe në fillimet e reformës pati përplasje politike dhe sulme të shumta, por puna dhe rezultati flasin vetë: “Kur nisi reforma, pati shumë rezistencë, brenda dhe jashtë komisionit. Por ajo që mbetet është produkti. Fjalët ikin, puna mbetet.”
Për opozitën, Xhafaj pati një thirrje të drejtpërdrejtë: “PD është mirë të shkojë të bindë qytetarët dhe të realizojë atë që thotë kur të vijë në pushtet. Fakti që jemi ne sot, tregon që qytetarët na kanë besuar.se do bëjmë ato që themi.”