• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, December 30, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

North stream 2, shqetësim gjeopolitik atlantik

by Shaban Murati
10/05/2016 09:35
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga SHABAN MURATI

Nuk ka ndodhur me asnjë projekt gazsjellësi rus në Europë, që të ketë shkaktuar një shkallë aq të lartë alarmi gjeopolitik në qarqet atlantike dhe europiane, se sa projekti i gazsjellësit “North stream 2”, që planifikohet të dërgojë gazin rus direkt nga Rusia në Gjermani nëpërmjet detit Baltik. Nivelin e lartë të këtij alarmi e materializoi sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, kur deklaroi në 4 maj, në mbledhjen e Këshillit SHBA-BE për sigurinë energjetike, se gazsjellësi rus “North stream 2” do të ketë impakte negative për të gjithë Europën Lindore dhe se planet e Rusisë për ndërtimin e tij janë çështje specifike e një shqetësimi të thellë për SHBA dhe për BE. Një zyrtar tjetër i lartë amerikan, Amos Hochstein, i dërguari i posaçëm dhe koordinator i çështjeve energjetike ndërkombëtare, e shkallëzoi edhe më tej alarmin, kur deklaroi në 6 maj se SHBA janë thellësisht të shqetësuara rreth projektit “North stream 2” si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Shqetësimi zyrtar amerikan sintetizon një shqetësim të nivelit të lartë dhe të përhapur europian. Në 19 mars 2016 kryeministrat e tetë vendeve anëtare të BE: Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë, Rumanisë, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë i dërguan një letër të përbashkët proteste presidentit të Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, me kërkesën që BE të ndalojë projektin e gazsjellësit të ri rus “North stream 2”, sepse ai mund të çojë në pasoja destabilizuese gjeopolitike. Të teta shtetet janë anëtare të NATO-s. Edhe në nëntor të vitit 2015 qeveritë e 10 shteteve anëtare të BE, (gjithashtu edhe anëtare të NATO-s), iu drejtuan me një letër të përbashkët Komisionit Europian kundër projektit të gazsjellësit rus dhe në këtë letër, përveç 8 shteteve të mësipërme, kishin nënshkruar edhe qeveritë e Bullgarisë dhe të Greqisë. Në samitin e BE-së në dhjetor të vitit 2015, kryeministri i Italisë, Mateo Renzi, e kritikoi ashpër projektin e gazsjellësit “North stream 2”, duke theksuar se ai do të forcojë vartësinë e Europës nga gazi rus dhe do të dobësojë sigurinë energjetike të vendeve të Europës Qendrore. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, është shprehur kundër këtij projekti, duke deklaruar se “North stream 2” nuk ndihmon diversifikimin dhe as do të pakësojë vartësinë tonë energjetike. Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, e cilëson gazsjellësin rus “projekt gjeopolitik me qëllime gjeopolitike”.

Ky spektër i gjerë dhe i nivelit më të lartë i kundërshtimit ndaj projektit të gazsjellësit rus “North stream 2” krijon një tablo të qartë përmasave të një shqetësimi euroatlantik dhe në rrezen e interesimit të tij përfshin të gjitha vendet anëtare të BE dhe të NATO-s. Projekti “North stream 2”, i shpallur nga Moska në datën 4 shtator 2015, kur krijoi konsorciumin e ndërtimit të tij me disa kompani europiano-perëndimore, ku natyrisht Gazpromi rus ka kontrollin e paketës me 51 për qind, synon që të ndërtojë një gazsjellës të ri, paralel me gazsjellësin “North stream 1”, të ndërtuar në 2012, për transportimin e gazit nga Rusia në Gjermani nëpër detin Baltik. Rusia e ka paraqitur propozimin e saj si një projekt tregtar dhe privat, i cili nuk ka implikime politike. Në fakt, ai nuk dëshmon dot të jetë i tillë, sepse qoftë edhe në aspektin tregtar, ekonomik dhe energjetik, ai nuk e justifikon ndërtimin e tij. “Nga pikëpamja ekonomike – thotë Janez Kopac, drejtor i sekretariatit të Komunitetit Europian të Energjisë – BE nuk ka nevojë për ‘North stream 2’ të Rusisë”. “North stream 2” synon të dyfishojë sasinë e gazit rus, që do të transmetohet në tubacionet e tij nga bregdeti rus në bregdetin gjerman nëpërmjet detit Baltik. Por e vërteta është se gazsjellësi ekzistues rus “North stream 1”, që dërgon gazin rus direkt nga Rusia në Gjermani përmes Baltikut, nuk ka arritur asnjëherë, që kur është përuruar, që të funksionojë në kapacitet të plotë. Në vitin 2013 “North stream 1” u shfrytëzua me 43 për qind të kapacitetit, në vitin 2014 u shfrytëzua me 65 për qind të kapacitetit dhe në vitin 2015 u shfrytëzua me 71 për qind të kapacitetit. Nëse furnizimet nuk shfrytëzojnë dot kapacitetin e gazsjellësit ekzistues, vështirë të quhen financiare, tregtare dhe energjetike, arsyet që justifikojnë ndërtimin e një gazsjellësi të ri paralel me të vjetrin. Po të kemi parasysh se sasia e gazit natyral që konsumon Europa ka ardhur duke u ulur dhe nga viti 2004 deri në vitin 2014, konsumi i gazit natyral në Europë është ulur 21 për qind, shtohen edhe më shumë dyshimet për karakterin e pretenduar tregtar të gazsjellësit të ri rus “North stream 2”.

Rusia po kërkon që t’i shmanget detyrimit të saj për të respektuar legjislacionin e detyrueshëm energjetik të BE në lidhje më marrëveshjet dhe projektet energjetike, që ajo realizon me vendet anëtare të BE. Moska e neglizhoi këtë kërkesë ligjore europiane, kur nënshkroi marrëveshjet me gjashtë vende anëtare të BE për ndërtimin e gazsjellësit të saj “South stream” nëpër Ballkan dhe shkeli legjislacionin e BE. Kjo shkelje shkaktoi dështimin e atij gazsjellësi, megjithëse kishte filluar ndërtimin në Bullgari dhe në Serbi. Tani Gazpromi rus përpiqet ta anashkalojë përsëri detyrimin ligjor ndaj BE, duke pretenduar se në ndërtimin e gazsjellësit “North stream 2” nuk ka shtet transit dhe ai kalon nëpër detin Baltik. Por, BE e ka bërë të qartë se juridiksioni i saj shtrihet edhe në hapësirat off-shore. Përfaqësuesi i Komisionit Europian, Yakub Adamovich, e bëri të qartë në datën 2 maj se gazsjellësi i planifikuar rus duhet të respektojë kërkesat dhe normat e legjislacionit europian dhe ai legjislacion aplikohet edhe për infrastrukturën off-shore dhe “North stream 2” nuk mund të ndërtohet sipas ligjeve ruse. Pra, as në planin juridik projekti i ri rus nuk respekton kuadrin ligjor të domosdoshëm të legjislacionit europian.

Strategjia energjetike e Rusisë është që gazsjellësi i ri të mënjanojë transitimin e gazit rus nëpërmjet gazsjellësit aktual në territorin e Ukrainës. Kemi të bëjmë me një presion të intensifikuar gjeopolitik rus ndaj Ukrainës, për ta fshirë atë nga harta energjetike e transmetimeve ndërkombëtare të gazit. Këtë mënjanim strategjik të Ukrainës, Moska dhe kompania e saj e madhe shtetërore e gazit, Gazprom, po ngulmon prej shumë kohësh ta arrijë, duke avancuar njërin projekt gazsjellësi pas tjetrit. “North stream 2”, ashtu si dhe projekti i gazsjellësve të tjerë rusë, si “South stream”, “Turkish stream” e deri tek më i fundit, i propozuar në 24 shkurt 2016, për të dërguar gazin rus nëpërmjet Greqisë në Itali, synojnë që të gjithë të mënjanojnë transportin e gazit rus në Europë nëpërmjet Ukrainës. Nga devijimi i linjës së transportit të gazit rus nga Ukraina në “North stream 2” realizohet një goditje e fortë ruse ndaj ekonomisë dhe financave të disa shteteve të Europës Qendrore. Kështu, Ukraina do të pësonte një humbje prej 2 miliardë dollarësh në vit, që ajo fiton nga transitimi i gazit, Sllovakia një humbje prej 800 milionë dollarësh në vit dhe Polonia një humbje prej 400 milionë dollarësh në vit.

Projekti rus i gazsjellësit “North stream 2” forcon më shumë vartësinë energjetike të Europës nga Rusia, sepse përsërit të njëjtin gazsjellës rus nëpër detin Baltik, duke dyfishuar sasinë e gazit nga i njëjti burim, nga Rusia. Strategjia ruse është që të verë në pozitë të vështirë të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Qendrore në planin energjetik dhe t’i bëjë ato më të varura nga presioni dhe nga politika energjetike ruse. Taktika e ndjekur nga Rusia është të krijojë një çarje midis shteteve ish-komuniste të Europës Lindore, që janë bërë anëtare të BE, me shtetet e vjetra dhe të mëdha të BE, ndaj të cilëve Moska shtihet sikur ndjek një politikë preferenciale.
Ajo që e evidenton në një dritë më negative projektin rus të gazsjellësit “North stream 2”, është situata aktuale politike, e sigurisë dhe gjeopolitike në Europë, pas agresionit rus në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm të Krimesë nga forcat ushtarake ruse. BE dhe SHBA ndërmorën sanksione ekonomike ndaj Rusisë në dënim të aktit të pashembullt të ndryshimit me dhunë të kufijve të një shteti sovran si Ukraina. Por, nuk mund të mos lindë mendimi që ndërtimi i një projekti të tillë të madh si gazsjellësi rus, që do të kushtojë rreth 11 miliardë euro, bie në kundërshtim me sanksionet ekonomike të BE ndaj Rusisë. Sepse rritja e fuqisë eksportuese të gazit rus do të thotë forcim i financave ruse dhe forcim i makinës ushtarake ruse, në favor të së cilës shkon shumica e të ardhurave nga eksporti i gazit dhe i naftës ruse nëpër botë. Në dritën e këtij ballafaqimi faktik përforcohet edhe më shumë bindja se projekti i gazsjellësit “North stream 2” shkon në drejtim të krijimit të situatave të papëlqyeshme, të cilat shikohen me shqetësim gjeopolitik në Uashington dhe në shumë kryeqytete europiane. Nga ana tjetër, BE në Ukrainë ndodhet që nga viti 2013 në një përplasje të hapur gjeopolitike me Rusinë. Krijimi i mundësive për Rusinë që të mënjanojë Ukrainën nga transitimi ndërkombëtar i gazit është një element i rëndësishëm gjeopolitik në favor të Rusisë dhe në dëm të BE.

Në kohën e situatave të acaruara në kontinentin europian dhe në Lindjen e Mesme, të provokuara nga ndërhyrjet ushtarake ruse, nuk duket as shenjë urtësie dhe as shenjë largpamësie realizimi i projekteve energjetike me një shtet si Rusia, e cila karakterizohet nga një politikë dhe strategji gjithnjë e më agresive në drejtim të Europës. Në këtë kuadër, dhe e parë nga interesat afatgjata dhe strategjike të Shqipërisë, projekti i gazsjellësit rus “North stream 2” ngjall gjithashtu dyshime për efektet e tij negative gjeopolitike në shkallë europiane dhe atlantike. “North stream 2” duhet parë edhe si kundërvënie ndaj gazsjellësit europian Transadriatik, TAP, i cili do të kalojë nëpër Shqipëri me drejtim Italinë. Rusia ka qenë vazhdimisht kundër gazsjellësit TAP, sepse ai pakëson vartësinë energjetike nga Rusia dhe rrit pavarësinë energjetike të vendeve europiane. Jo rastësisht Moska vazhdimisht hedh njërin projekt pas tjetrit për ndërtimin e gazsjellësve të saj në Ballkan, me qëllim që të konkurrojë dhe të mënjanojë gazsjellësin Transadriatik. Edhe pas dështimit të projekteve të saj ballkanike të “South stream” dhe “Turkish stream”, Moska nxitoi të propozonte në 24 shkurt 2016 ndërtimin e një gazsjellësi të ri të dërgimit të gazit të saj nga Greqia në Itali, pikërisht për të neutralizuar gazsjellësin TAP dhe për të bërë diversion energjetik në vendet e Ballkanit.

Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s dhe pavarësisht peshës dhe rolit të saj modest, ka të drejtën të shprehë pikëpamjen e saj dhe të shikojë zhvillimet në kontinent dhe në raportet BE-Rusi në optikën e interesave gjeopolitike të Aleancës Atlantike dhe të Bashkimit Europian. Në këtë linjë, ajo duhet t’i përmbahet pikëpamjes se interesat gjeopolitike të kampit euroatlantik janë edhe interesa të saj dhe në këtë linjë duhet të qëndrojnë pikëpamjet e qeverisë dhe të diplomacisë shqiptare. Në planin gjeopolitik NATO është dhe duhet të jetë ylli ynë polar.

ma.me

Next Post

Lunaçek: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

December 30, 2025
Malaj komenton qeverinë e re: Nuk besoj se ministrat e mësojnë emërimin të fundit

Arben Malaj: Jam anëtar i Partisë Socialiste, por nuk lëpihem për një karrige

December 30, 2025
Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

December 30, 2025
“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

December 30, 2025
Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

December 30, 2025
Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

December 30, 2025
“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

December 30, 2025
“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

December 30, 2025
“Ke qejf të vetëshpallesh”/ Nga miq në rivalë, Stine përplaset me Mirin: Nuk pate shumë aksion, për disa gjëra nuk ka nevojë të…

“Ke qejf të vetëshpallesh”/ Nga miq në rivalë, Stine përplaset me Mirin: Nuk pate shumë aksion, për disa gjëra nuk ka nevojë të…

December 30, 2025
U përdhunua nga 70 vjeçari dhe mbeti shtatzënë, flasin familjarët e 12-vjeçares: E futëm në shtëpi! Drejtësia të bëjë punën… 

U përdhunua nga 70 vjeçari dhe mbeti shtatzënë, flasin familjarët e 12-vjeçares: E futëm në shtëpi! Drejtësia të bëjë punën… 

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com