Normalizohet situata e zjarreve në vend, ulet numri i vatrave dhe kalon rreziku për zonat e banuara.
Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të Shqipërisë, ndërsa autoritetet po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se nga 11 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, pesë janë aktive, pesë nën monitorim dhe një është shuar.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 65 forca operacionale dhe dy automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 20 efektivë dhe një helikopter.
Vatra kryesore vijon të jetë në Malin e Dajtit, në Tiranë, në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren po ndërhyjnë 40 forca zjarrfikëse, shtatë forca të ADZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e helikopterit.
Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht se vatrat vijojnë të jenë aktive, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Ballenjë të Dibrës, zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor, ku janë angazhuar pesë forca të ADZM Dibër. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Një tjetër vatër aktive ndodhet në Qafën e Helmësit, Bulqizë, ku situata po monitorohet nga katër efektivë të MZSH-së. Autoritetet bëjnë me dije se zjarri nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Malin e Dardhës, Librazhd, zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd, ndërsa banesat nuk janë në rrezik.
Vatra e pestë aktive është në Valikardhë, Bulqizë, ku operacioni vijon me një automjet zjarrfikës dhe gjashtë efektivë. Ekipet po punojnë për izolimin e zjarrit, i cili favorizohet nga erërat dhe temperaturat e larta.
Njoftimi i plotë:
“Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 të datës 25 gusht 2026, janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 65 forca operacionale dhe 2 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 20 efektivë dhe 1 helikopter.
Vatrat aktive janë:
* Mali i Dajtit, Tiranë – vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, me 40 forca zjarrfikëse, 7 forca të ADZM dhe 20 efektivë të FA, të mbështetur nga 1 helikopter i FA-së. Vatrat vijojnë aktive, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Ballenjë, Dibër – zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor, me 5 forca të ADZM Dibër të angazhuara. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë e Helmës, Bulqizë – vatra vijon aktive dhe po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë. Nuk paraqitet rrezik për banesat.
* Mali i Dardhës, Librazhd – vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 ha. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd dhe nuk rrezikohen banesa.
* Valikardhë, Bulqizë – operacioni vijon me 1 automjet zjarrfikës dhe 6 efektivë. Po punohet për izolimin e vatrës, e cila favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.
Situata paraqitet e menaxhueshme, me angazhimin kryesor të përqendruar në vatrat aktive, ndërsa zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë vetëm nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”.











