Nga Mero Baze
Shqipëria nuk është gati të përcjell Ismail Kadarenë. Ajo është kapur si në kurth nga ikja e tij. Dhe këtu nuk është fjala si për ato urgjencat që ta gjejnë shtëpinë rrëmujë dhe ti nuk pret dot miq. Është më shumë se kaq.
Shqipëria është përkeldhelur nga fati që e kishte të gjallë dhe pjesë të saj për 88 vite, një nga kolosët e letërsisë botërore, dhe ishte familjarizuar me këtë fat, si me një gjë të zakonshme.
Ai ju bë fat shqiptarëve që donin të mbanin gjallë trurin nga konformizmi i realizmit socialist dhe akoma më shumë ju bë fat shoqërisë shqiptare që i kultivoi shijet e artit perëndimor dhe standardet e një kulture të përbotshme.
Mbi të gjitha ai ju bë fat gjuhës shqipe, duke qenë babai modern i saj, duke e bërë atë një gjuhë të aftë për të shkruar një letërsi të madhe.
Duke qenë se gjuha për shqiptarët është kolona vertebrale rreth të cilit është ngjizur identiteti ynë kombëtar, me tre fe, me geg e toskë dhe me një gjeografi të vështirë, Ismail Kadareja mbetet për këtë shkak dhe një ngjizës i identitetit tonë kombëtar pro perëndimor.
Kur them se Shqipëria nuk është gati për ikjen e tij, kam parasysh se ne ishim familjarizuar me idenë që njeriu që i dha vlerë Shqipërisë më shumë se kushdo shqiptar tjetër, e ka pasur atë për detyrë të caktuar nga Zoti dhe ne kishim detyrë ta gjykonim për jetën e tij tokësore.
Përbaltësit e lirisë, nuk e duronin dot që ai kishte bërë fjalë me shitësen e lagjes apo që ja kishte bërë me hile “shokut Enver” duke i shpëtuar ndëshkimit. Tani që nuk do ta shikojnë më në lagje, dhe që do të kenë përballë vetëm letërsinë e tij, ndoshta ndjehen të çliruar, meqë nuk kanë punë me librat por me njerëzit .
Tani që nuk do ta kemi më mes nesh, do ta kuptojmë se mungesa e tij, do të lërë pas një greminë, buzë së cilës qëndoron letërsia e brishtë shqiptare, e cila pa Ismail Kadarenë është si një gurë në rrokullimë.
Ai është prita dhe shpresa e vetme që kultura jonë kombëtare nuk do të gërryhet kurrë plotësisht. Veprat e tij janë digë ndaj çdo të keqeje që mund të na kërcënoj në të ardhmen e saj.
Ndaj Shqipëria nuk është sot gati ta përcjellë atë. Ajo është e papërgatitur, e paaftë dhe pashpresë të mbush boshllëkun që lë ai. Kur themi nuk jemi gati ta përcjellim atë, kam parasysh se nuk jemi gati të jemi të njëjtët dhe pa atë gjallë. Dhe këto do ta kuptojmë të gjithë shumë shpejt.
Ismail Kadareja është i fundmi që mbante në këmbë një sistem vlerash për kombin shqiptar, një sistem mbi të cilin nuk ngjiti dot, as balta e lirisë, e as gjaku i diktaturës.
Ai kishte mbi shpinë peshën e Kryqit për të na mbajtur ndonjëherë me zor me kokë nga Perëndimi.
Ky ishte misioni i tij dhe “diktatura” e njeriut që i tregoi botës se një gjuhë e vogël si shqipja, mund të bëj letërsi të madhe dhe një vend si Shqipëria mund të prodhoj qytetarë të denjë të botës.
Dhe mbrëtërinë e tij nuk e rrëzon dot askush. Shqipëria do të mbahet mend në botë, mes të tjerash se në atë vend ka lindur dhe jetuar Ismail Kadareja.
Shkrimtar I madh I paarritshem,politikan I vogel
.Ne kohe qe duhet ti rrije diktatures perballe I shenjti devolli Dritero nuk levizi as nje dite jashte vendit.Te tjere e bene.E megjithate kombi humbi nje tjeter figure madhore.