Pranë pallatit “te vdekjes” ku u nxorën dhjetëra trupa pa jetë, në Thumanën e gjunjëzuar nga dhimbja, qëndron Vladimir Haxhiu, i cili arriti të shpëtonte mrekullisht nga tërmeti i 26 nëntorit, së bashku me 4 anëtarët e tjerë të familjes, mes tyre dhe dy fëmijë.
65-vjecari tregon panikun e përjetuar gjatë përpjekjeve për të shpëtuar familjarët e tij, e sidomos fëmijët.
“Në këto rrënojat që janë bërë këtu, në katin e parë. Kam mbijetuar kot, fati. Kam qenë me gruan, gocën dhe dy fëmijët e saj të vegjël, një në klasë të parë dhe një në klasë të tretë. Kur dola unë, mora kalamajt, gocën dhe nusen, harrova një nga fëmijët brenda se ishte errësirë. U bë tym. Hyrja ishte bllokuar me inerte. Kam hipur sipër jam rrëzuar disa herë, goca ka vrarë këmbën”, tha 65-vjeçari.
Bashkë me familjen, Vladimiri po qëndron në çadër, në pritje për t’u shpërngulur.
“Vetë i pestë në çadër. Për veshmbathje dhe ushqime nuk vuajmë, mirë jemi. Vuaj për dyshek se po flemë përtokë. Do shpërngulemi, por nuk e di se ku”, tha ai për “Report tv”. /e.s/











