Nga Enkel Demi
Sa herë e enjtja shkon duket sikur Shqipëria merr frymë thellë për të vazhduar një të premte dhe do ditë tjera, gjersa të vijë prapë e enjtja. Nuk besoj se ka komb tjetër në rajon a kontinent që ta ketë një ditë të javës kaq shumë të ngarkuar me një shfaqje të pacipë të padijes, mungesës së edukatës. Kam përshtypjen sivëllezërit tanë të Prishtinës na konkurojnë rrotë më rrotë.
E enjtja që sapo lamë pas mund të simbolizohet me atë të gishtit. Do të mbetet kudo e pashlyer në kujtesën kombëtare ai alamet gishti i shtrembër për një turrë drush që i drejtohej ish-kryeministrit dhe një tjetër kolegu të opozitës. Është gishti i Koços, ai i mesit që në vegjëli e quanim budallain e shokëve. Pikërisht, këtë budallën çoi njeriu që na mëson si të bëhemi milioner. Ai që flet si babaxhan, që e quajnë Pasha të Jugut, që u drejtohet të tjerëve me shprehjen lapidare “biri im”, pikërisht ai bëri simbolin e asaj fjale që nuk na e nxë goja e që nis me gërmën “K”.
Në të enjten e gishtit u shfaq dhe opozitari më i ri, Vangjel Dule që ju drejtua një kolegu të tij me fjalën “kone”. Me ndërhyrjen e kryeministrit, nderi u vu në vend, sepse miku grek u konsiderua qen. Pra, sërish e enjtja u bë gjellë qensh, do thoshte berberi i lagjes time.
Çdo të enjte në sallën e Kuvendit mblidhet paria e vendit, ata që janë pasardhësit e deputetëve të dikurshëm si fjala vjen Fishta, Noli, Zogu, Arapi, Çoba e do të tjerëve. Këtyre të ditëve tona nëse do jua lexojmë fjalimet pas dhjetë vjetëve, pako gjë mund t’ju gjejmë, por nëse do u shohim fotot apo pamjet pa zë shumë kemi për t’u parë. Gishta, kapele cowboy, flokë të ngjyer, vazo e mikrofonë të thyer, vezë, barkderra, telefonë që lundrojnë në faqe të nxehta ose lojëra fëmijësh të klasave fillore. Këta ndryshe nga paradhësit e tyre do na lënë shenja, ndoshta jo fjalë të mençura që t’i përdorim tek rubrika “Ka thanë i moçmi”, por figura të pazëvendësueshme që kapërcejnë çdo fantazi halabakësh.
Ato vargjet “do ngrihen këmbët t’i bien kokës” tash janë katërcipërisht të vërteta. Është bërë vulgu, katundi i mendimit parì, ndaj e enjtja përjetohet si një farë panairi, ku kotësia, fjalët e pakuptimta, bjerraditësit janë kthyer në shembuj që duhet t’i ndjekin ata që nuk e gëzojnë këtë lloj pushteti, të thjeshtët qytetarë. Atyre u është ngritur ai gisht plot gunga i burrit të urtë që i nis emri me gërmën “K”.