Nga Kristo Mërtiri
Një nga gjurmët e shumta të fëmijërisë është edhe ky episod: Gjashtë dekada më parë edhe në shkollën fillore të vendlindjes, po frynte era e luftës kundër riteve e festave fetare. Por mosha jonë nuk kuptonte dhe as pyeste shumë për orientimet politike, as për të deleguarit pendëfryrë e megalomanë nga rrethi. Të krishterë e myslimanë vazhdonin të shkonin e të vinin te njëri tjetri nëpër avllira e familje, sa herë kishte data të shenjta. Ishte fillimi i një beteje paradoksale e absurde me Zotin, me shtëpitë e tij me kambana e pa kambana. Lajmet gati qesharake në radio, të cilat jepeshin si “veprime revolucionare” nga veriu në jug, njerëzisë ia bënin mendjen ujem. Po ç’ndodhi me ne fëmijët-nxënës? Pranverë. Ishte një festë e krishterë. Më të rriturit sikur qenë zhytur në heshtjen e thellë vrastare, përballë propagandës bombarduese e shurdhuese partiake e shtetërore. Sikur e bënin një sy qorr e një vesh shurdh përballë veprimeve tona fëminore. Të nesërmen, një grup jo i vogël nxënësish na ngritën nga bankat dhe na nxorrën para klasave kolektive. Si “organizatorë” të festimit fetar dhe shkelës të disiplinës shkollore ! Si ndëshkim, do të hapnim pëllëmbët e duarve dhe do duronim ca shkopinj thane mbi to. Dhe ashtu ndodhi. Por shkopinjtë godisnin edhe nxënës të fesë myslimane ! Pa dallim. Gjurmë trishtuese, por njëkohësisht edhe humoreske sot e kësaj dite… Më vonë vazhduan ritet jo publike, por në “ilegalitet”. Deri edhe pagëzimet e fshehta të foshnjave. Pra, besimi nuk u zhduk. Përshembull, Koço Fështi në Tiranë, i mbajti në fund të sepetes disa ikona dhe falej para tyre brenda në shtëpi, ballë për ballë me gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Bënte kryq përditë dhe nuk bëzante. “I vura një kyç “tutius” gojës, përndryshe…”.
Mirëpo krushqitë midis dy besimve fetare nuk u ndërprenë. Me dashuri apo me mblesëri. Po ashtu miqësitë e shumta familjare. Konkretisht, një grua shekullore peshtanake që jeton në Tiranë (kushërira e parë e nënës time), mbi 70 vite më parë u dashurua dhe iku te një djalë mysliman nga Mezhgorani. Sikur po këputeshin hallkat e një zinxhiri anadollak të papranueshëm. Dashurisë së vërtetë e të pastër, padyshim që i jepte krahë edhe ajo bashkëjetesa fetare në breza. Që nga ardhjet në jetë e gjer te ikja përgjithmonë. Edhe në varreza bashkë ! Në një parcelë e sup më sup. Lotë gëzimi e hidhërimi. Vaje të njëjta e ligjërime të përbashkëta. Të gjithë i falen Njeriut dhe Zotit ! Vetë banorët e fshatit nuk pranonin asnjë lloj përcarjeje a përbuzje të tillë. Dukuri kulture e qytetërimi natyral, pa leksione e direktiva shkollareske. Pa urdhër e vendime shterpa. Kurbetlinjtë hapën dritare të reja edhe te mënyra e jetesës brenda e jashtë shtëpive. Një kontribut real, i dukshëm gjer te udhët me kalldrëm dhe te pastërtia e lyerja shpesh me gëlqere e mureve të sokakut. Çdo mëhallë e bënte këtë plot merak. Pa vendime partie e pushteti. Bashkë, pa asnjë dallim fetar. Nga i kamuri deri tek fukarai i fundit. Një traditë e krijuar jo pa zemër. Të bashkuar në halle e gëzime. Ashtu pa zhurmë e salltanete…Mençuria e zgjuarsia i hapnin udhë të resë dhe i mbyllnin portat fanatizmit. Po sot në 2023 ?
Mjerisht media, sidomos ajo elektronike, është arratisur shumë nga njeriu në fshat e në qytet. Kryesisht kronika politike, ato policore e gjyqësore, që merren shpesh si simite të gatëshme dhe u serviren përditë pa mëshirë taksapaguesve shikues. Pa përmendur këtu kronikat limonadë të skaduara për personazhe të rëndomta nga “Big Brother” etj., që vishen me kostume firmato dhe rrëfehen për puthjet, seksin, lidhjet e vjetra e të reja dhe deri te centimetrat e vitheve, gjoksit, belit të këputur, bojërat e flokëve…TV-të venë nga venë dhe vetërrotullohen te Sheshi “Skënderbej” ! Një ditë para se të nisesha për në vendlindjen time te Gryka e Peshtan-Mezhgoranit, paraditen e së dielës po kalonte një autokolonë me vetura dasme karakteristike te Brryli. Djem e vajza të veshur me kostume kombëtare të Veriut, me këngë në gojë dhe me Flamurin Kuq e Zi në duar, për pak caste larguan si me magji zymtësinë monotone e përvëluese të stinës. Nga tavolinat jashtë kafeneve u ngritën në këmbë dhe uronin ciftin e ri. Por edhe vetë dasmorët. Vecse ngjarje të tilla jetësore e të bukura, rrinë jashtë kamerave dhe emisioneve televizive (?!). Madje dikush ngriti zërin nga trotuaret : -Ku janë syrgjynosur ekranet me titra e pa titra ? Apo presin me orë të tëra ndonjë politikan që të lëshojë broçkulla nga goja e shthurur ?!… Çifti ishte i besimit katolik e mysliman. Ku janë gazetarët,opinionistët, analistët, moderatorët, kameramanët, regjisorët buzëlarë, editorialistët etj.? Apo kërkojnë gjëlpërën në kashtën politike e juridike të ditës ! Gazetari e burgosur në qelitë e paaftësisë; në hijen dhe rehatinë e metropolit; në studio me ca pyetje parafabrikat e disa të ftuar me përgjigjet standarte ose të ngecur në kurthin e Polit(h)ikës pa moral…Vështirë të dallosh nganjëherë vlerat nga antivlerat. Se sic thotë i mençuri, deodorandi i pseudokulturës, mbyt aromën e kulturës së vërtetë. “Mjaft me deodorandë ! Deodorandët i kemi provuar. Ne duam erën e natyrës. Ta lemë këtë erë sic është, pa e mbytur me erëra të tjera…”. Larg pehlivanëve e sharlatanëve që kujtojnë se jeta është vetëm “telenovela turke”…
Historikisht, vendalinjtë e kanë ruajtur dhe e ruajnë si thesar të pacmuar. Nga brezi në brez. Edhe Rilindasit e mëdhenj, nga këto vise të bekuara dolën. Fjala e tyre mbajti ndezur prushin e atdhetarisë, zjarrin e shqiptarisë që digjte e shuante cdo lloj përçarjeje fetare. Përshembull, Frashëri në Dangëlli ishte dhe mbeti një lloj Meke e papërsëritshme. Thirrja e Vaso Pashë Shkodranit do tingëllojë fort në shekuj, si kushtrim i pavdekshëm që nuk e thyen dot askush. Burrat e mencur, që këtij kombi nuk i kanë munguar kurrë, për çështjet kombëtare mblidheshin bashkë “si kokrrat në shegë” dhe përtej besimeve fetare. Shikoni shpalljen e Pavarësisë, Kuvendin dhe Qeverinë e Parë ! Me emra e mbiemra. Ose mbi 100 vjet më parë, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, delegatët dhe të ftuarit ngrinin supet e habiteshin me shembullin e Shqipërisë së vogël, ku shumica ishin myslimanë. Po kush i kryesonte atje ? Fan Noli i madh, luftëtari ortodoks që e deshi si dritën e syrit unitetin kombëtar, harmoninë dhe bashkëjetesën. Dhe këto i shpalosi hapur faqe botës. Dhe kulmi u arrit në Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Konferenca e Pezës do të mbetet kurdoherë lapidar e me grushtin partizan të shtrënguar fort, në cdo sistem e pushtet politik. Ose Kongresi i Përmetit “me shumë vendime” , Kuvendi i vërtetë pluralist ku gjëmoi zëri i tërë krahinave, zëri i tërë besimeve fetare. Por edhe pas Clirimit. Ky unitet nuk u cenos asnjëherë, me gjithë erërat e furtunat që frynin paradoksalisht. Se populli e ka gjetur gjuhën e përbashkët, idealet e vërteta për Liri e Demokraci të vërtetë. “Dëshmorët e Shqipërisë/ Të mirë ishin të gjithë !”. Myslimanë e të krishterë në një skuadër, kompani, batalion, brigadë e divizion. Deri në Vishegrad e Bosnjë. Lule djemtë e nënave, në një llogore “e dhanë xhanë”, për Nënën Shqipëri ! Mijëra shoqëri, miqësi, e krushqi (në monizëm e në pluralizëm) flasin e do të flasin shumë dhe shpesh me zë të lartë. Tentativat për përcarje fetare e krahinore gjatë 30 viteve të fundit, janë nga më të ndyrat, nga më antishqiptaret që ka njohur historia. Por populli ynë nga Veriu në Jug, nuk e hëngri kurrë sapunin për djathë ! Faqezinjtë e Polit(h)ikës do të mbeten përjetë me damkën “përcarës”, shërbëtorë të pacipë të atyre që nuk na kanë dashur kurrë të mirën. Nuk e fshin dot historinë !
Këtë unitet të prekshëm e jo pak emocionues, në këtë mesogusht e pashë, e preka dhe e ndieva nga afër në Peshtan, në vendlindjen time të shenjtë. Veshur e ngjeshur si për Festë. Të krishterë e myslimanë. Si një familje e madhe ! U mblodhën te Kisha e Shën Marisë. Kush vjen nga larg, nuk e bën dot kurrsesi dallimin fetar të njerëzve. Luli, një çikë e mrekullueshme tropojane, po bënte kryq përballë kishës së rindërtuar. Madje bashkë me djalin e saj aq të mbarë, Davin. Djalë që nesër në shtator, mesiguri do u tregojë mjaft mbresa shokëve e shoqeve në shkollën 9 vjecare në Kryeqytet. Se ai nuk njeh vetëm bjeshkët e Tropojës… Ky thesar shpirtëror e atdhetar, as nuk hidhet e as nuk vidhet ! Cilido që ka dashur ta cënojë sadopak, ka thyer kokën në politikë e në qeverisje. Qofshin të djathtë a të majtë. Pas Meshës nga At Romanoi, u pagëzuan nipi dhe mbesa e Aleko Dones. Erdhën nga Tirana, Greqia e Italia. Nunët (kumbarët)ishin nga Dragoti. Miqësi të pandara e plot dritë. Ndërsa unë, nga muret e ajodhimës plot me shenjtorë në pikturë, shikoja sytë, vetullat, qerpikët e pikuar dhe flokët e dendur të motërzezës që fati ia preu jetën në lule të vajzërisë. Pak më vonë te vila “Goliku” gurgulluan këngët, urimet e vallet. Media elektronike vazhdon e ngujuar brenda Unazës së Kryeqytetit !? Botë e krokolepsur :”C’paska qenë kjo botë, moj,/ Botë gënjeshtare,/ Herë të hedh e herë të pret,/ Botë portokalle !…”.
Doni të shikoni drejtpërdrejt një model të ndritur të bashkëjetesës fetare ? Shkoni në Peshtan!