Të paktën 25 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një shpërthiminë një depo municionesh në qytetin perëndimor libian, Garabulli.
Zyrtarë lokalë thonë se depoja ndodhej në një kamp të kontrolluar nga një milici e armatosur nga qyteti i Misratës, por grupi ishte larguar prej saj pas përplasjeve që kanë pasur me rezidentët. Shpërthimi raportohet të ketë ndodhur në momentin kur qytetarë të ndryshëm hynë në kamp, e megjithatë shkaku i tij ende nuk dihet me saktësi.
Garabulli ndodhet rreth 50 km në Lindje të Tripolit dhe rreth 140 km në Perëndim të Misratës.
“Numri i viktimave do të vijë në rritje, teksa po përpiqemi të bëjmë të pamundurën, që t’i transferojmë ata drejt spitaleve më të afërta”, tha Mohamed Assayed, një zyrtar lokal, për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Sipas tij, rreth 30 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, shkruan tch.
Ndërkaq, një banor i zonës thotë se përplasjet mes grupit të milicisë dhe qytetarëve të tjerë nisën pasi një anëtar i tyre refuzoi të paguante mallin që kishte blerë në një dyqan të zonës.