Nga Prof. Aleko Miho*
Me keqardhje pohoj se vazhdon edhe këtë javë Protesta e Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë Publik, kërkesat e së cilës nuk kanë gjetur ende mbështetjen e duhur nga Qeveria. Mua më vjen shumë keq për këtë, dhe sidomos për procesin mësimor, i cili zhvillohet i çalë në këtë fillimviti.
Si punonjës i arsimit të lartë publik që prej vitit 1985, unë dhe kolegë të mi i kemi mbështetur që në fillim këto kërkesa si të drejta dhe legjitime, dhe me bindjen se janë plotësisht të mundshme nga Qeveria, madje do thosha shumë të vonuara. Arsyet do t’i shpjegoj më poshtë!
Mbështetja jonë nuk është thjesht për pagën, si u thjeshtua dhe anatemohen sot gjithë kërkesat e Sindikatës nga Qeveria, nga disa opinione në media, si dhe nga disa maska dhe duar të fshehta nëpër rrjetet sociale që nuk reshtin të hedhin baltë mbi pedagogët, mbi universitetet publike dhe mbi diplomat që universiteti publik lëshon në vite (bachelor, master dhe doktoratë). Thua sikur shumë prej tyre nuk janë shkolluar nga këta pedagogë, në këto auditore, dhe kanë këto diploma të lëshuara nga universitetet publike. Të diplomuarit në IAL-të publike mbeten mbështetja kryesore e performancës së zhvillimit të vendit, në gjithë degët e ekonomisë, në vendimmarrje, politikëbërje, në media, OJF, në fondacione e gjetkë. Është i madh dëmi që shkakton kjo qasje ndaj dinjitetit tonë akademik, por jo vetëm, ndaj gjithë sistemit, ndaj studentëve dhe ndaj gjithë të diplomuarve që punojnë në vend dhe kudo në botë!
Nga sa më sipër, duket se niveli i shkollimit, dhe bashkë me të edhe i demokracisë në vend është në krizë, dhe të gjitha palët duhet të reflektojnë, të ulen sa nuk është vonë për të bërë më të mirën e mundshme, jo duke u hakërryer, ironizuar ndaj viktimës së lënë në harresë dhe të shpërfillur në vite! Unë vetë mbështes dhe them shyqyr që Sindikata universitare u bë ‘burrë’ për të ngritur zërin! Më mirë vonë se kurrë, thotë populli! Protesta u ndez se Qeveria edhe kësaj radhe e la universitetin publik jashtë mbështetjes sociale pavarësisht që vështirësia ekonomike bie dhe mbi këtë shtresë. Këtu është cënuar vetë dinjiteti i botës akademike, cilësia e shkollimit, dhe vetë intelektualizmi që thuajse është zbehur në vend.
Dihet se shumë mes nesh kanë gjetur rrugë të ligjshme për të rrumbullakosur të ardhurat: duke zhvilluar mësim si pedagogë të jashtëm në gjithë IAL-të e tjera, dikush si konsulent diku, dikush ka ndonjë biznes familjar, apo dhe të vetin etj. Për më tepër, shumë nga ne kuptojnë se në shoqërinë tonë ka shumë varfëri dhe kërkesa jonë mund të duket disi e tepruar. Ndoshta mes nesh ka dhe qasje opozitare, si dhe nuk mund të mohoj që të tjerë janë me qasje politike që anon nga shumica, por një pjesë jo e vogël janë jashtë politikës. Në një vend demokratik mendimi i secilit është i lirë. Por këtu shumë prej nesh bashkohen për misionin tonë të përbashkët. Unë nuk shoh ndonjë të keqe kur kërkon një të drejtë legjitime, pavarësisht se nga vijnë zërat. Burrat e shtetit në këtë vend duhet të gjejnë forca për ta dëgjuar zërin ndryshe, pa etiketime, pa thumbime përçarëse. Kjo është demokracia. Për fat të keq kjo nuk po ndodh në gjithë këto vite të historisë së sotme shqiptare, përfshirë dhe udhëheqësit e periudhës së tranzicionit.
Unë vetë i përkas atij grupimi akademik të shkolluar, me rezultate shumë të mira, si në vend dhe në perëndim, që kam zgjedhur të jem pjesë e sistemit arsimor publik për shumë vite. Kam qëndruar jashtë politikës, edhe pse kam bindjen se politika është e domosdoshme për shoqërinë. Por nuk kam reshtur në vite të mbështes sa herë flitet për reforma, pavarësisht nga ngjyrimi politik, shpesh edhe shumë kritik ndaj dukurive që bien ndesh me cilësinë në arsim, por jo vetëm, edhe për shfrytëzimin pa kriter të pasurive tona natyrore dhe për zhvillimin e qëndrueshëm, për mbrojtjen e mjedisit, prerjen e pyjeve, pushtimin urban, pushtimin e tokës, ndotjen e ujërave etj., etj. Unë dhe familja bëjmë një jetë tepër modeste, dhe kështu kemi edukuar edhe fëmijët. Pjesa më e madhe e kënaqësisë është puna, mësimi dhe puna kërkimore me studentët, ku gjithmonë jam ndjerë shumë mirë, pavarësisht gjithë vështirësive në këto vite. Puna jonë është më shumë një mision, se një punë e thjeshtë. Këtë e kupton vetëm kush është pjesë e sistemit. Ndjehem krenar përsa kam bërë në vite, si në mësimdhënie, dhe në kërkim, të kryer si brenda vendit, por dhe jashtë vendit. Si unë ka edhe shumë të tjerë në universitetin publik. Edhe pse shumëkush prej nesh i ka patur gjithë mundësitë të largohej për një jetë dhe kushte pune më të mira, ashtu si shumë të tjerë.
Bindja ime ka qenë gjithmonë dhe mbetet se arsimi i lartë publik lejon shumë më tepër liri akademike që një mision të tillë ta kryesh sa më mirë. Ai ka qenë dhe mbetet edhe sot një e mirë për pjesën më të madhe të shoqërisë, për gjithë shtresat e saj, pavarësisht nga gjendja ekonomike. Për këtë kujdesja ndaj arsimit të lartë publik duhet përherë nga gjithë shoqëria, dhe sidomos qeveria, pushteti qendror dhe ai vendor, dhe nga gjithë politikëbërja. Bindjet e mia thellësisht të majta nuk mund të mos e mbështesin një gjë të tillë. Ashtu si shumë prindër heqin nga goja e tyre bukën për të dërguar fëmijën në shkollë, ashtu duhet Qeveria të shtrëngohet diku gjetkë për të mbështetur arsimin arsimin e lartë publik. Kjo është edhe përvoja e shumë vendeve rrotull në rajon dhe gjetkë. Mjafton për këtë të kthejmë sytë nga vendi fqinj, Greqia.
Por ne në vite jemi përballur me shumë probleme që rrjedhin nga ndryshimet e sistemit, me shpërfilljen dhe varfërinë, kjo për hapësirat në punë (auditore, laboratore etj.), për të ardhurat për një punë shkencore për veten, për studentët dhe doktorantët, me vështirësitë për të gjetur një pajisje, për të blerë apo botuar një libër, për praktikën me studentët, apo për një ekspeditë në terren, për të menaxhuar një projekt etj. Dhe shumë nga këto, sepse mbështetja financiare që është ofruar ka qënë e rrudhur dhe rregullat në fuqi janë shpesh penguese.
Unë që jam këtu nuk mohoj gjithë përpjekjet e Qeverisë në këta vite për zhvillimin e vendit, për përballjen e vështirësive të mëdha, të tërmetit, pandemisë, të krizës energjetike etj. Por kjo nuk do të thotë se Qeveria nuk duhet të ndryshojë qëndrimin dhe të gjejë mundësitë për të plotësuar kërkesat e Protestës, por jo vetëm … Shumë nga ne jemi këtu jo për të qënë kundërshtarë, por mbështetës që sëbashku të bëjmë më të mirën e mundshme për arsimin dhe zhvillimin e vendit. Le të flas më konkretisht:
-Sëpari plotësoni deri në fund kërkesat e Sindikatës, pasi nuk shoh asgjë të pamundur për ta bërë një gjë të tillë. Le të hyjmë të gjithë në auditor të qeshur se studentët na kërkojnë të jemi të tillë në misionin tonë.
Më tej Qeveria, Ministria, dhe Drejtoria e Arsimit të Lartë duhet të ulen seriozisht për një reformë të thellë në AL.
-Gjithëçka nis nga ligji i Arsimit të Lartë 80/2015. Kanë kaluar mbi 7 vite që është në jetë. Që kur u miratua pati shumë kundërshtime dhe u votua në Parlament në një kohë kur të gjithë ishim me pushime. Duhet mbledhur grupi i ekspertëve dhe të shihet bilanci i këtij Ligji, arritjet dhe dështimet. Sa i ka sjellë Ligji pritjet e dëshiruara nga shoqëria shqiptare? A është rritur cilësia e mësimdhënies, e diplomave master dhe bachelor, e doktoratave? A ka ndihmuar për rritjen e performancës së trupës akademike (mësimdhënie, kërkim)? Si është shikueshmëria kombëtare dhe ndërkombëtare? A i përmbushin kërkesat e Ligjit institucionet për hapësirat që kanë në dispozicion, për motivimin dhe kualifikimin e personelit akademik dhe ndihmës? Sa ka ndihmuar Ligji dhe aktet e tij për motivimin e më të mirëve në trupën akademike, për motivimin e të rinjve, për të ndaluar rrjedhjen e trurit nga vendi? Si ka qënë menaxhimi i IAL-ve publike, që drejtohet sot me dy krerë, Rektor-Administrator? Si ka shkuar lëvrimi i fondeve, menaxhimi i projekteve? A ka abuzime? A ka vonesa në blerje dhe a ka shpërdorime?
A ka përmirësime në rekrutimin e stafit, shmangien e nepotizmit, të familiaritetit dhe klientelizmit? A ka funksionuar doktorimi? A ka funksionuar si duhet formula e sistemit të zgjedhjeve në IAL-të publike? Si është cilësia e vlerësimit, e kalueshmërisë së studentëve, e teksteve universitare për studentët, etj. A ka fiktivitet në notë në të dy sistemet? A ka fiktivitet në prurjet nga shkolla e mesme? A është formula e zgjedhur ajo që duhet për vlerësimin e ngarkesës mësimore, për normimin vjetor, për punonjësit e brendshëm dhe ata të jashtëm? A bie kjo ndesh me cilësinë në mësimdhënie, kërkim, dhe kualifikimin në vazhdim të stafit, veçanërisht e të rinjve? A është kjo formula e duhur në shpërndarjen e kuotave? Shumë nga këto pyetje janë si për sistemin publik, por dhe atë privat? Të gjitha këto dhe të tjera analiza nuk mund t’i bëjë vetë secili institucion në veçanti, pa këmbënguljen e MAS, të Drejtorisë së saj, dhe të ASCAL.
Më tej unë dua të sqaroj Qeverinë, por jo vetëm …
-Shqipëria duhet të rishohë gjithë sistemin e IAL-ve, publik dhe privat. Shqipëria është vend shumë i vogël dhe i varfër, me pak burime financiare, strukturore dhe intelektuale, dhe nuk mund të pajtohet me situatën e sotme. Kjo padyshim ka sjellë konkurencë jo të ndershme, dhe çvlerësim të dijes dhe të diplomave që lëshohen nga secili institucion, publik dhe privat. Ligji sot i mbështet të gjitha njëlloj. Këtu ka nevojë të ndahen mirë dhe qartë gjërat, duke filluar nga bashkimi, profilizimi, pse jo edhe mbyllja aty ku shihet se prurjet janë modeste dhe jo ato që kërkon koha. Po kjo mund të thuhet edhe për diplomat e shumta të miratuara, shpesh shumë të bukura në formë, ndoshta dhe në përmbajtje, por bien ndesh me mundësitë reale të secilit institucion për t’i zhvilluar ato si duhet dhe në përputhje me kërkesat e kohës. Asnjëherë nuk është vonë që Ligji të rishihet për këtë.
-Shqipëria dhe Ligji duhet të heqin dorë sa më shumë të jetë e mundur nga koncepti student-klient që është sot jo vetëm për sistemin privat, por dhe për sistemin publik. Praktikisht sot në sistemin publik një diplomë studenti ‘kushton’ rreth 1000 Euro në vit, pra gjithsej 5 vite x 1000 = 5000 Euro (shifër kjo shumë e përafërt!). Pjesërisht kjo paguhet nga buxheti i shtetit dhe pjesërisht nga vetë studenti. Në sistemin privat kostua rritet nga 10,000 Euro deri në 25,000 Euro gjithsej për student, e gjitha e paguar nga vetë studenti. Nuk po paragjykoj cilësinë e diplomave nga të dy sistemet, por një ndryshim i tillë nuk shkon aspak në favor të cilësisë së diplomës, pa rregullim ligjor dhe mbështetje financiare shtesë për sistemin publik. Unë mendoj se një vend si Shqipëria, gjetja e mbështetjes për mbulimin e plotë të tarifës së shkollimit, por jo vetëm, edhe të ushqimit, fjetjes, librave, etj., do ishte mirë për gjithë studentët që ndjekin ato diploma për të cilat ka nevojë tregu i punës sot.
-Në shkollim ka shumë rëndësi përmbushja e kërkesës për hapësirat e duhura. Numri studentëve është rritur në vite; po ashtu edhe qëndrimi në gjithë diplomat u bë 5 vjet, nga 4 që ishte në shumë diploma. Por hapësirat janë po ato, me pak shtesa modeste, dhe ato duke luftuar me Bashkinë për të marrë leje, apo për të mbajtur Kopshtin Botanik dhe në vite të kaluara edhe Muzeun e Shkencave. Ndërkohë kur kërkesat e kohës janë shumë më të mëdha. Në vite nga Rektorët na është animuar në faqen web i famshmi Kampus i UT, i cili nuk u ndërtua asnjëherë. Por UT ka nevojë për shumë hapësira shtesë për një zhvillim normal të mësimit. Kjo kërkon fonde shtesë për ndërtim, ose qiramarrje.
–Paga duhet të përafrohet në të dy sistemet, duke ngrituar atë të universiteteve publike, të kuptohemi. Edhe pagesa për mbingarkesë, dhe ndryshimet sipas elementëve mësimorë mirë është të përafrohen, thjesht edhe për të mos i bërë karshillëk njëri-tjetrit, dhe për të ruajtur dinjitetin për secilën diplomë që lëshon secili institucion. Si mundet që një profesor që në sistemin publik sipas Ligjit del në pension, lejohet të punojë pa afat në sistemin privat, përkundrejt një page mjaft më dinjitoze. Nuk mundet që një pagë apo orë mësimore mbingarkesë në sistemin publik të jetë disa herë më e ulët se në atë privat.
–Mbingarkesa në orë mësimore brenda dhe jashtë institucionit është një nga burimet për rrumbullakosjen e rrogës së pedagogëve të IAL-ve publike. Një pjesë janë të mbingarkuar në lëndë dhe në orë brenda vetë institucionit. Përveç kësaj rregullat e lejojnë që profesori të marrë një sasi të mirë orësh edhe jashtë institucionit. Të më besoni se kush zhvillon mësim në shumë lëndë mësimore (kam parë se zhvillojnë deri në 7 lëndë në ndonjë rast), kush ka shumë mbingarkesë (mbi 30% të normës vjetore), kush merr përsipër shumë diploma apo doktorata, kush përveç kësaj jep mësim rregullisht edhe gjetkë (1 ose 2 ditë në javë), apo bën punë të tjera, vështirë se mund të ketë cilësinë e duhur në mësimdhënie. As bëhet fjalë që pedagogë të tillë super të ngarkuar në mësim të bëjnë punë kërkimore, të përmbushin sfidat e zhvillimit të sotëm. Me të drejtë këtë studentët e kanë ngritur edhe gjatë protestës së tyre.
-Këtu duhet riparë sistemi i kuotave dhe shpërndarja e tyre sipas nevojave të tregut tonë të punës, dhe jo sipas kërkesave dhe ndonjëherë urisë së shfrenuar të IAL-ve. Ritheksoj se vetë Qeveria duhet të marrë përsipër të mbulojë vetëm ato kërkesa për të cilat ka nevojë vetë tregu ynë i punës, duke bërë një shpërndarje sipas IAL-ve dhe cilësisë së tyre. Kjo mund të bëhet duke bërë paraprakisht reformën përkatëse të propozuar më sipër. Edhe formula e regjistrimit duhet riparë, pasi kjo sot është tepër e avashtë, ka fillim të vonuar të vitit shkollor, dhe nxit mbushjen e kuotave në diplomat e pëlqyera duke sjellë prurje jo cilësore në diplomat e tjera, pavarësisht rëndësisë që ato kanë.
-Jam ndër ata që në vite kam patur projekte, qoftë për mësimdhënien, dhe për kërkimin, të cilët janë oksigjen për këto. Por projektet që të fitohen kërkojnë infrastrukturë që në vite nuk ka pësuar rritje. Projektet ndihmojnë në kualifikim stafi, kualifikim studentësh, dhe rrit cilësinë e mësimdhënies. Por me projekte nuk mund të shtohet paga. Edhe nëse ka një farë rritje, ajo është tepër modeste në kushtet tona, dhe jo e barabartë për të gjithë. Përmend këtu edhe vështirësitë burokratike, ligjore të menaxhimit të projekteve, përqendrimin dhe pengesat tenderuese për blerjet e ndryshme, për ekspeditat, për dietat etj.
–Rekrutimi i stafit cilësor, performanca e tyre, motivimi i punës, sidomos i asaj kërkimore, mbështetja me buxhetin e duhur për këtë, janë sfida që duhen bërë për të rritur cilësinë në mësim dhe kërkim, për përmbushjen e nevojave që ka sot ekonomia për ekspertizë të kualifikuar, dhe për të ndaluar rrjedhjen e trurit nga vendi. Përveç një page të sigurt dhe dinjitoze, vendi i punës për punësimin e një të talentuari duhet të marrë përsipër me kontratë se do t’i sigurojë edhe një kredi për banesë, dhe ndonjë ndihmë tjetër në kualifikimin e tij. Shumë nga ne në vite shpesh i kemi mbuluar vetë kostot për blerje librash, për ekspeditat në terren, për prezantime në konferenca dhe publikime në revista, madje edhe për blerje letre, boje e ndonjë nevojë tjetër urgjente. Të gjitha këto sëbashku janë arsyet që shumë të rinj nuk gjejnë rehat kur vijnë në universitetin publik dhe shohin të gjejnë shtigjet për t’u larguar.
–Doktorimi është shtysë e madhe për punën tonë kërkimore dhe kulafikimin shkencor të stafit të ri. Këtu Ligji jo nuk ka ndihmuar, por përkundrazi ka penguar që nga viti 2013. Sivjet kemi nisur me aplikimet e para, por ende nuk jemi shumë të qartë si kjo do shkojë më tej pasi vetë ligji dhe aktet e vonuara që kanë dalë nuk janë shumë të qarta dhe bindëse. Për më tepër, fondet që i jepen universitetit janë tepër modeste për këtë.
-Shumë nga mangësitë që vijnë kanë edhe një faktor të fortë subjektiv – sistemi i zgjedhjeve në IAL-të publike. Duhet parë sa më shpejt si një dështim. Në vite jemi grindur dhe përçarë! Nuk ka sjellë ndonjë gjë të mirë veçse ushqen familjaritetin e sëmurë, apo dhe nepotizmin në njësitë tona. Duhet ulur për një formulë më të mirë, mbështetur edhe në përvojën në rajon dhe gjetkë.
Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, thotë populli. Për shumë nga këto komente, por dhe të tjera të grumbulluara në vite, të lëna në heshtje, të mbuluara nën sloganin e autonomisë universitare, kanë bërë që universiteti publik të shihet si ‘djali i njerkës’, pavarësisht se mban barrën kryesore të përgatitjes së ekspertëve në vend. Për këtë këmbëngul edhe një herë që Qeveria duhet të gjejë forca për t’i përmbushur kërkesat e Sindikatës, dhe nuk është asnjëherë vonë që të ulet për të riparë Ligjin dhe gjithë aktet e tjera që burojnë prej tij, të përpiqet gjithmonë për mbështetjen e duhur për mbarëvajtjen e arsimit të lartë, të zhvillimit të vendit dhe të demokracisë në vend.
*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: al********@fs**.al
Titulli origjinal i shkrimit: Plotësimi i kërkesave të Sindikatës së pedagogëve jo vetëm që janë të mundshme, por hapin rrugë edhe për një reformë të thellë në arsimin e lartë në Shqipëri