Nga Fatos Tarifa
Kur u krijua Republika Amerikane nuk kishte asnjë kufizim kushtetues që një president ta mbante atë post për jetë. Qysh nga koha kur George Washington u zgjodh presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara (1789-1797) dhe deri më 1951, kur president i atij vendi ishte Harry Truman, çdo president amerikan mund të qëndronte në krye të Shtëpisë së Bardhë për aq mandate (pa asnjë kufizim) sa herë që ai mund të kandidonte e të fitonte në zgjedhje.
Por, ata që e themeluan republikën amerikane nuk donin që republika e tyre të ishte një farë “elective monarchy” dhe as të krijonin një tjetër mbret à la George III, nga i cili sapo kishin fituar pavarësinë, pra një president që mund të zgjidhej e të sundonte për jetë.
Këtë sentiment antimonarkist në prag të themelimit të republikës amerikane e shpreh në një mënyrë mjaft domethënse edhe ky episod i famshëm:
Më 1787, ndërsa delegatët e Konventës Kushtetuese po dilnin nga Independence Hall, ndërtesa ku u mbajt ajo konventë në Filadelphia dhe në të cilën u diskutuan parimet bazë të kushtetutës amerikane dhe struktura shtetërore e republikës së re, një grua e moshuar iu drejtua nga turma Benjamin Franklin-it me këto fjalë: “Doktor, çfarë do të kemi, një republikë apo një monarki?”. Pyetjes së saj, Franklin i dha këtë përgjigjet, që është bërë proverbiale: “Një republikë, nëse do të mundeni ta ruani atë”.
George Washington
Edhe pse kushtetuta amerikane nuk e pengonte, George Washington krijoi precedentin e vetëm dy mandateve për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, që ishte dhe është edhe kreu i ekzekutivit. Washington refuzoi të kandidonte për një mandat të tretë.
Në fakt, Washington kishte dashur ta linte postin e presidentit pas mandatit të parë, madje edhe i kishte kërkuar mikut të tij, James Madison, që të shkruante për të fjalimin e lamtumirës para se të bindej që të kërkonte një mandat të dytë, i pakundërshtuar nga asnjë rival.
Vendimi i presidentit Washington për të mos qëndruar në pushtet pas tetë viteve si president i parë i Shteteve të Bashkuara, kur një mandat i tretë për të ishte gjëja më e sigurt, ishte vërtet një akt pa precedent në historinë politike të njerëzimit.
Për shkak të popullaritetit të tij të jashtëzakonshëm si komandanti i përgjithshëm që i priu Ushtrisë Kontinentale në Luftën Revolucionare kundër Britanisë dhe që u dha amerikanëve pavarësinë prej saj, Washington mund të ishte bërë edhe mbret i Amerikës. Një prej oficerëve të ushtrisë së tij, madje, ia kishte sugjeruar këtë, por ai e kishte refuzuar vendosmërisht. Kauza e tij ishte liria e Amerikës dhe, për këtë arsye, Washington refuzoi çdo tundim për pushtet, një gjë shumë e rrallë në historinë e njerëzimit.
Një shembull i hershëm është ai i patricit romak Lucius Quinctius Cincinnatus (516-430 p.e.r.), lideri ushtarak i Republikës së herëshme Romake. Ai hoqi dorë nga pushteti i tij thuajse absolut pas një fitoreje ushtarake, aty rreth vitit 458 p.e.r. dhe nga të gjitha privilegjet që i siguronin pozita dhe autoriteti i tij i padiskutushëm, për t’u kthyer në jetën private në fermën e vet. Dorëheqja e tij pas sukseseve ushtarake dhe autorteti i tij absolut e bënë atë një fugurë legjendare dhe një shembull të virtyteve civike romake dhe të modestisë.
Julius Caesar, William Cromwell dhe Napoleon Bonaparte janë shembujt më të njohur të atyre që erdhën në pushtet në një moment të ngjashëm me gjeneralin (më vonë presidentin) George Washington, po asnjëri prej tyre nuk hoqi dorë nga pushteti derisa Caesar u vra, Cromwell vdiq dhe Bonaparte humbi në Waternlo dhe u internua e vdiq në ishullin Saint Helena.
Kaq i paprecedent dhe i papritur ishte vendimi i presidentit George Washington për të hequr dorë nga posti i tij në krye të Republikës Amerikane e për t’u kthyer në jetën private në fermën e tij sa, kur mbreti i Anglisë, George III, e mësoi këtë, i habitur tha: “If he does that, he will be the greatest man in the world” (Nëse ai e bën këtë, do të jetë njeriu më i madh në botë).
Historiani i njohur Joseph Farrington konfirmon të njëjtat fjalë të mbretit George III, por në kontekstin kur George Washington dha dorëheqjen nga posti i komandatit të përgjithshëm të Ushtrisë Kontinentale amerikane për t’u kthyern në fermën e tij në Mount Vernon, në dhjetor të vitit 1783.
John Adams dhe Thomas Jefferson
Thomas Jefferson, gjithashtu, ishte i bindur se dy mandate janë të mjaftueshëm për një individ në krye të republikës dhe se qëndrimi për një kohë më të gjatë në krye të ekzekutivit rrezikon ta zgjerojë pushtetin ekzekutiv dhe të krijojë një “tirani presidenciale” (presidential tyranny).
Fakti që George Washington (udhëheqësi legjendar i Revolucionit Amerikan dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara), dhe Thomas Jefferson (hartuesi kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, i cili u bë i pari sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara dhe presidenti i tretë i atij vendi), zgjodhën të mos qëndronin më shumë se se dy mandate në krye të administratës amerikane (edhe pse kjo nuk ishte e pamundur për asnjërin prej tyre), por t’ia linin atë post fituesit në zgjedhjet konkurruese të radhës, konsiderohet nga shumëkush si shëmbulli i një standardi të ri qeverisjeje, mbështetur në shtetin ligjor, që Amerika po krijonte për vete dhe për mbarë botën.
Një artikull i botuar në revistën amerikane Commentary, titulluar “Çfarë e bën Amerikën eksepsionale?”, nis me këtë episod, që për autorin e atij artikulli shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë politike të Shteteve të Bashkuara: “Para se të agonte, mëngjesin e 4 marsit 1801, presidenti John Adams e la Shtëpinë e Bardhë dhe hipi në një pajton për t’u kthyer në shtëpinë e tij e për të vazhduar jetën si një pensionist në Masaçusets, pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 1800. Gjashtë orë më vonë, Thomas Jefferson do të betohej si presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara”.
Një standard eksepsional
Sot, largimi nga detyra i presidentëve të zgjedhur pasi humbasin në zgjedhjet pasardhëse është një ngjarje politike rutinë. Ndodh thuajse në çdo vend demokratik, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara. Por neve rrallë na shkon mendja se kjo dukuri demokratike moderne nisi me presidentin e dytë të Shteteve të Bashkuara, John Adams, kur humbi në zgjedhje ndaj zëvendësit dhe rivalit të tij Thomas Jefferson.
Me sjelljen e tyre politike, tre presidentët e parë të Shteteve të Bashkuara—George Washington, John Adams dhe Thomas Jefferson—dhanë një shembull eksepsional duke shënuar fillimin e një praktike të re qeverisëse në historinë botërore. Pas presidentëve Washington dhe Jefferson, dy mandate u bënë standardi jozyrtar i kohëzgjatjes në detyrë për çdo president amerikan.
Këtë dukuri politike, Alexis de Tocqueville e konsideronte si një ndër veçoritë më të spikatura të demokracisë amerikane, kur shkruante se, “Pushteti shoqëror kalon vazhdimisht nga një palë duar në të tjera, sepse ai është i varur nga pushteti i popullit”.
Në rrethanat e jashtëzakonshme të Depresionit të Madh dhe të Luftës së Dytë Botërore, vetëm Franklin Roosevelt u zgjodh katër herë në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, por vdiq vetëm pak muaj pasi ishte zgjedhur për herë të katërt. Në shkurt të vitit 1951, me amendamentin 22, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara e kufizoi në dy mandate postin e presidentit të vendit.
Një precedent i rrezikshëm
Në vitin 1987, kur ishte në mandatin e tij të dytë si president i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan u përpoq që ta revokonte këtë kriter kushtetues, por përpjekja e tij nuk gjeti mbështetje.
Nuk duhet të çuditemi që, nëse Donald Trump zgjidhet sërish në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe republikanët marrin shumicën në të dyka dhomat e Kongresit amerikan, ai të përpiqet të bëjë atë që Reagan dështoi ta realizonte—të amendojë sërish Kushtetutën amerikane dhe të qëndrojë në postin e presidentit edhe pas një mandati të dytë, madje edhe nëse humbet në zgjedhjet pas atij mandati, siç humbi afro katër vite më parë, në zgjedhjet pas mandatit të tij të parë, rezultatin e të cilave as nuk e njohu, as e njeh edhe sot e kësaj dite.
Unë shpresoj që Donald Trump jo vetëm të mos rizgjidhet, por as të ketë mundësi që të lejohet të kandidojë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për shkak të sjelljes së tij delinkuente si president i atij vendi në të kaluarën dhe për shkak të rreziqeve që ndjell—e që realisht mund të prodhojnë nëse ai vjen në pushtet—retorika e tij raciste dhe antiatlanticiste.
Nëse Trump do të mundet të kandidojë e të fitojë në zgjedhjen e nëntorit këtë vit, mbetet për t’u parë. Unë vetëm shpresoj që kjo të mos ndodhë. Dhe shpresa shumë herë nuk është një bast i keq.
Botuar në Dita