Nga Ilva Tare*
E keni provuar ndonjëherë të ktheheni pas pune në shtëpi në fund të ditës dhe të ndjeheni si fajtorë për mundësinë se mund të sjellësh përvec lodhjes e frikës dhe virusin e panjohur me emrin Covid19, i cili ka vënë në sprovë të gjithë dhe gjithcka, kudo. Pesha e frikës për infektim të shtohet edhe nga pikëpyetjet e vazhdueshme nëse njerëzve i’u dha informacioni i duhur, në mënyrën e duhur, nga njerëzit e duhur. Sa më shumë pyetje, aq më pak dijeni për koronavirusin, madje dhe ato cfarë thuhen nje ditë, përgënjeshtrohen tjetrën.
Kështu është edhe gazetaria, si Covidi në shekullin e 21-të. Kur nuk krijon dot imunitet ndaj tundimit per t’u vënë në shërbim dhe kur e zapton virusi, shndërrohet në rrezik publik, që mund të shkaktojë dëme për shoqëritë. është një profesion që nuk është imun ndaj defekteve, kompromiseve, rrezikut për t’u përdorur për dhe nga qëllime që i prekin thelbin e ekzistencës. është një profesion që kërkon përkushtim e pasion, orë e pa orë, në ndjekje të ngjarjes, protagonistëve, të pamundurve, të dobtëve të pambrojtur apo dhe te fortëve të sulmuar padrejtesisht. Shkon përtej sipërfaqes, rrëmon mes të panjohurave dhe atyre që i fshehin ato.
Me pak fjalë është si një torturë e vazhdueshme, në pritje për t’u konfirmuar nga ndjekësit e saj që tanimë kanë mundësi të komentojnë, komplimentojne e shantazhojnë në kaosin e rrjeteve sociale. Në dekadën e tretë të qenurit pjesë e medias mbushem me një ndjenjë detyrimi e përgjegjësie ndaj cdo kokë të kthyer pas kur shquajnë zërin tim dhe më thonë fjalë zemre. Mjaftojnë për të më qetësuar në netët e pagjumë nga frika se mund të kem marrë bashkë me fletet e lajmeve edhe virusin.
Është publiku dhe misioni për të raportuar me vertetësi, te cilëve i’u detyrohet një gazetar i mirë. Janë ata që presin nga unë e kolegët e mi gazetarë në këtë vend, llogarikërkim, profesionalizëm dhe besueshmëri. Të paktën kështu e mendoja unë gazetarinë në vitet 90-të kur media ishte publike, e kontrolluar dhe sherbente si propagandë e pushtetit dhe dëshira ishte për ta shkëputur nga zinxhirët e kontrollit. Kështu e mendoj edhe sot, kur pushteti ja ka marrë medias edhe fuqinë e propagandës. Tani, pushteti në fuqi apo në pritje e ka organizuar komunikimin në mënyrë te tillë që propagandën apo ndikimin tek qytetarët ta ketë të drejtpërdrejtë, pa kanale ndërmjetese që do duhej të filtronin lajmin e rremë nga i sakti, të vërtetën nga shpifja. Sic thote Orëell; cdo propagandë është gënjeshtër edhe kur thotë te vërteten. Sot, e gjitha bota është në luftë me pandeminë edhe për shkak të propagandës ku shteti i origjinës së virusit injoroi rrezikun nga Covid dhe reklamoi suksesin me izolimin e tij.
Në demokracitë defektoze, pushtetet që ndërtohen vuajnë nga reaksioni xhinxir i infektimit të vlerave dhe kompromentimit të parimeve per shkak të pamundësisë së vullnetshme apo të detyruar për të garantuar lirinë e fjalës dhe paprekshmërinë e saj. Por në këto tri dekada mësuam dhe e provuam se është e vështirë të kesh pritshmëri per media cilësore, pavarësisht se janë bërë përpjekje serioze për lirinë e shprehjes, mundësinë e debatimit të argumentave, kërkimit të vërtetave brenda kufizimeve si me transparencën, ashtu edhe me llogaridhënien që kanë lejuar presionet e pushtetit dhe institucionet hermetike.
Kur dhashë lajmin se 64% e ballkanasve e vlerësojnë median tëkorrup tuar në Barometrin e vitit 2020 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, më erdhi keq për punën dhe sakrificat e gazetarëvë. Nuk është e drejtë që profesioni te vuajë në masë humbjen e peshës së besimit për disa individë apo grupime që bëjnë biznes me median apo më keq akoma mbrojnë bizneset e tjera që kanë grumbulluar pasuri dhe e kanë të pamundur të kalojnë filtrat e vetingut.
Nëse do më kishin pyetur para 25 vjetësh se si e imagjinoja gazetarinë në Shqipëri në vitin 2020 ndoshta do kisha dhënë një përgjigje të cunguar, ashtu sic ishte dhe formimi i asaj kohe ndaj profesionit të gazetarit. Me siguri, do kisha gabuar duke dhënë përgjigje idealiste për një profesion që rezultoi të ishte po aq pragmatist dhe i cënueshëm sa institucionet që duhet të ruante. Një metamorfozë e paimagjinueshme e të qenit rojtar të vlerave (ëatchdog) në disa raste
në një dhelpër që rend pas tufës së interesave vetjake përpara atyre të qytetarëve.
Ndoshta do kisha parashikuar zhvillimin teknologjik me kamera e studio më moderne televizive (por jo lajmet ne smartphone, celuarë që filmojnë, qytetarë gazetarë që raportojnë nga kudo janë dëshmitarë të një ngjarjeje) përdorimin politik të lajmeve për përfitime financiare, (por jo fake neës të fabrikuar 100% në laboratorë meskinë për të ndërtuar ose shkaterruar individë apo parti, për të fituar apo humbur një palë zgjedhje) pluralizëm të mediumeve, (por jo një media për cilindo e sheh lajmin si biznes), për kontroll qeveritar, (por jo dërgim kasetash e më pas link të pamjeve live të partive e të liderëve), kolegë të palodhur në kërkim të së vërtetës, ashtu sic unë mendoja formën e së vërtetës në vitet e para të demokracisë. Shkurt, e kam imagjinuar me më shumë optimizëm dhe me më pak televizione, gazetare, portale. Sepse ndersa shtohen adresat pakësohen profesionistët, për fat të keq. Dhe për profesionistët e vërtetë edhe 30 vjet punë e karriere janë pak.
Cfarë po shohim është se në dekadën e tretë të medias pluraliste në Shqipëri po ndodh i njëjti transformim dramatik që po përjeton gazetaria në mbarë botën. Paanshmëria si parim është zëvendësuar me anshmerinë. Asnjanësia shihet si dobësi. Politikisht korrekt nuk është më një term në modë. Sot gazetarët konsiderohen të rreshtuar me njërën ose tjetrën palë dhe për këtë shembull të japin Amerikën me Trump-in. Lajmi nuk përzgjidhet me meritë, por ate e meriton nëse ke ndikim tek lajmebërësit. Standardi i një raportimi profesional, të verifikuar me disa burime është i papërtypshëm nga masa, që tërhiqet nga tituj bombastikë që nuk kanë lidhje me lajmin brenda linkut. Standardi nuk i duhet as elitës, sa më e dobët media aq më i fortë pushteti i atyre që marrin vendime.
Një media pa standard natyrisht është e padëmshme për politikën dhe sponsorët. Duhet vetëm audiencë, zhurmë dhe klikime. Cilësia është kthyer në një aksesor të kushtueshëm që në disa raste është tipar ndëshkues sepse kushton shtrenjtë dhe kërkon kohë (kush ka kohë në një treg me dhjetëra televizione, qindra portale dhe pak milionë lexues sa jashtë dhe brenda vendit).Gjuha e kërcënimit dhe shantazhit merr më shumë lexime e pëlqime (likes). Politika nuk ka kritere përzgjedhëse për bankën e favoreve me të cilën ushqen median e varur financiarisht, sepse në një vend me ekonomi të dobët dhe informale edhe pushteti ekonomik kontrollohet nga politika.
Qytetarët po tregojnë shenjat e para të rebelimit ndaj militantizmit në media. Ngrene zërin ndaj gazetarisë së keqe, por mbeten ende tifozë të titujve pa lajm dhe lajmeve me axhendë. Klikimet nuk tregojnë ende reflektim. Dhe mediat varen prej audiencave dhe shoqërisë që nuk ka faj për kaosin që solli si peshqesh teknologjia, e cila demokratizoi zërat mediatikë dhe fuqinë e publikut për të kundërvepruar. Por mungesa e rregullave, vetërregullimit dhe kulturës e munguar për një media demokratike bëri që dhe aksesi ndaj teknologjisë të kishte
efektin e një ilaci, me efekte anësore.
Bota po transformohet me një shpejtësi marramendëse dhe media është njëkohësisht përfituese dhe viktimë e revolucionit teknologjik. Ne, ashtu si të gjitha shoqëritë e zhvilluara e më pak të zhvilluara, duhet të nisim një reflektim të thellë të asaj cfarë përfaqëson sot media në Shqipëri dhe arsyeve që e kanë vendosur në raport të vështirë me besimin e publikut. 64% e publikut që e perceptojnë si të korruptuar është një shifër shqetësuese që duhen të lërë pa gjume jo vetëm njerëzit e medias.
Duhen analizuar me hollësi shkaqet, pasojat dhe sidomos përgjegjësit e perceptimit nga publiku si një ndër pushtetet e tjera të korruptuara në vendet tona. Burimet njerëzore mendoj janë në krye të listës së problemeve. Një gazetar i mirë nuk formohet në bankat e shkollës. Për të investohen vite pune dhe trajnime të vazhdueshme për t’i përditësuar me sfidat e reja të profesionit, për të kërkuar të drejtat e tyre dhe respektimin e tyre si një kusht të panegociueshëm. Një media kritike me pushtetin e Orban në Hungari shkarkoi nga puna Kryeredaktorin dhe i gjithë stafi i redaksisë dha dorëheqjen në mbështetje të kolegut dhe parimeve për të cilat ai luftoi dhe u
ndëshkua.
Një solidarizim i tillë nuk ka ndodhur në vendin tonë. Edhe kur gazetarët janë larguar nga një media e caktuar për shkak të besnikërisë ndaj parimeve të tyre, nuk ka pasur mbeshtetje masive të kolegëve. Në të vërtetë, pushtetet në Shqipëri nuk e kanë ndjerë nevojën të kërcënojne gazetarët, pasi hesapet janë mbyllur “lart” atje ku vihet kufiri virtual i të mundshmesh dhe pamundshmesh për reporterët dhe punën e tyre të përditshme. Për rrjedhojë, produkti final që sheh publiku nuk është i rrezikshëm dhe fuqia e medias është relativizuar deri në indiferencë që është po aq e dëmshmë për fuqinë që duhet të kishte një media profesionale, sa edhe influencimi.
Edhe përpjekjet e lavdërueshme vendase, të mbështetura nga ndërkombëtarët për të organizuar median në forume e organizime që bashkojnë zërin dhe kërkojnë të drejtat në disa raste nuk kanë mundur të dalin mbi vijën e demshmë të relativizimit, ku individët dhe grupimet etiketohen si pale; të atij, asaj, atyre. Bota e përcarë e gazetarëve ka bërë që lufta per vetrregullim të humbë pa filluar ende.
Nuk e kam as vetë një përgjigje për disa pyetje që më mundojnë;
1- Cfarë na pengon të nisim vetërregullimin?
2- Sa gazetarë largohen nga puna ose mbrohen për një lajm të rremë apo nxjerrje burimi?
3- Sa debatohen apo kontrollohen parimet e ruajtjes së privatësisë apo monitorimit të programeve (lajme apo emisione) që bëjnë audiencë me detaje krimesh e dosjesh jo publike, nga bordet e etikës apo shoqatat që mbrojnë profesionin nga tejkalimi?
4-Përse nuk rregullohen marrëdhëniet sipërmarrës-gazetarë ku të ndahet qartë cfarë bën dhe cfarë nuk bën gazetari? Paqartësia jo e paqëllimtë e ndarjes së detyrave e detyrimeve duhet të marrë një zgjidhje, ligjore, vetërregulluese apo etike le ta vendosë komuniteti i medias, por nuk duhet të injorohet më, sepse e ka humbur besueshmërinë për t’ë kërkuar mbështetjen e qytetarëve kur edhe rolin e vetrregulluesit ja ka marrë politika.
5- Përse nuk funksionon sistemi i referencës në një treg me mijëra gazetarë e punonjës të medias që punësohen nga një media në tjetrën me arsye te paqarta?
6- Kur do bëhet një debat për cilësinë e gazetarëve të rinj që diplomohen në raport me teknologjine dhe risitë e tregut?
Sot, gazetaria është në ditët e saj më jo frymëzuese. Tri dekada janë një gur i mjaftueshëm themeli për të ndërtuar nje numër vlerash që do t’i jepnin vendin e merituar profesionit të gazetarit. Nuk e kemi bërë. Për disa media ka mbetur privilegj, për të tjerë është profesion që sjell privilegje. Nuk ka as vend për pesimizëm, pasi është arritur shumë. Por reflektimi, zhvillimi i një gjinie ende të panjohur si vetëkritikimi do na përmirësonte të gjithëve. Ka ende kohë për t’i bërë gjërat mirë. Duhet pak dëshirë, pak frymëzim, pak talent, shumë punë dhe mbi të gjitha shumë këmbëngulje për t’i qëndruar parimeve të ridimensionuara të gazetarisë për të mos qenë thjesht të paanshëm, por të angazhuar për të mbrotjur të drejtën, qytetarin, të pamundurin, të pabarabartin dhe sidomos për të mbrotjur demokracinë, gjithnjë e më shumë e sulmuar nga forcat jo demokratike.
Sic provoi pandemia, cdo kohë mund të jetë më e keqja. Ndaj, t’u besojmë paralajmërimeve që na vijnë nga ngjarjet e së tashmes.
*MSc in Media and Communications (LSE)