Nga ILIR ÇUMANI
Sot, në rrjetet sociale, më tërhoqi vëmendjen kjo fotografi.
Është një imazh krejt e veçantë, sa e bukur, aq edhe domethënës.
Presidenti i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri, qëndronte përpara portës së institucionit që përfaqëson, i rrethuar nga nëntë mace, njëra më e bukur se tjetra. Të gjitha janë krijesa vitale, por të pambrojtura, të paqta dhe të sigurta në “bujtinën” e tyre të përhershme, në oborrin e këtij institucioni dinjitoz të kulturës shqiptare.
Ato dukeshin sikur e kishin zgjedhur përgjithmonë mikun dhe mbrojtësin e tyre.
Është një pamje që të emocionon që në çastin e parë. Duket si një fotografi krejt e zakonshme, por, në të vërtetë, është një dëshmi e gjallë e një ndjeshmërie të veçantë njerëzore, të rrallë, të rrallë…., në këtë botë, shpesh të padhembshur, të trazuar dhe të egër.
Përmes këtij imazhi, shoh gjithë botën e bukur të humanizmit, madhështinë e vërtetë të njeriut pa bujë, i cili nuk vlerësohet vetëm përmes veprave të mëdha që krijon, librave që boton, talenteve dhe krijuesve të rinj që promovon prej më shumë se tri dekadash, por, edhe përmes kontributit të paçmuar që ka dhënë dhe vazhdon të japë për kulturën dhe trashëgiminë tonë.
Ata që e njohin nga afër Bujar Hudhrin (eh, sa shumë e njohin atë në Shqipëri dhe kudo jashtë saj!), nuk befasohen aspak nga këto gjeste të vogla, por mjaft domethënëse, që janë pjesë e jetës së tij të përditshme.
Ndoshta edhe një biograf i sprovuar, me formim në fushën e psikologjisë dhe sociologjisë, nuk do ta kishte aspak të lehtë të zbërthente kodin e padukshëm të këtij NJERIU, i cili kudo ka përhapur dhe mbjellë farën e shëndetshme të kulturës, mirësisë dhe dashurisë për më të mirën e më të bukurën që mbart brenda vetes një qenie njerëzore si AI.
Me gjithë ngarkesën dhe peshën e punëve të mëdha, Bujari gjen kohën të kujdeset, me gjeste të vogla, edhe për këto krijesa të pambrojtura.
Ai ka aftësinë të ndalë për pak çaste ritmin e përditshmërisë dhe t’u dhurojë pak dashuri atyre që nuk dinë të kërkojnë asgjë më shumë sesa një përkëdhelje dhe një kafshatë ushqim.

Ndoshta këto nëntë mace nuk e dinë se çfarë përfaqëson Shtëpia Botuese “Onufri”, por me siguri e dinë se aty kanë një mik.
Kjo është një tjetër formë kulture: kultura e zemrës, e dhembshurisë dhe e dashurisë për jetën, në çdo formë që ajo shfaqet.
Në fund të fundit, njeriu që ka vend në zemrën e tij edhe për krijesat më të pambrojtura, ka kuptuar diçka thelbësore për madhështinë e të qenit njeri.
Ky është Bujar Hudhri, tek i cili zanafilla e mirësisë duket se është e lidhur pazgjidhshmërisht edhe me vetë emrin që mban që prej ditës kur erdhi në jetë…
Tiranë – 2 nëntor, 2026











