• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, May 1, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Një poemë dashurie për vendlindjen, fëmijërinë dhe për njerëzit

- Parathënie për librin “Nën qiellin e fëmijërisë” të shkrimtarit Xhevat Beqaraj -

by A R
01/05/2026 12:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Xhevdet Shehu 

Ndihem i privilegjuar që po bëj këtë paraqitje të shkurtër si hyrje për një libër të çmuar të mikut tim prej shumë vitesh, shkrimtarit Xhevat Beqarajt. Të shkruash për një mik është një gjest i kuptueshëm, por të shkruash për një mik që është shkrimtar i njohur, kjo më duket si një përgjegjësi, është një sfidë jo e lehtë. Unë e pranova këtë sfidë, duke peshuar me kujdes fjalët që do të them në vijim. Duke shkruar këto radhë, në radhë të parë kisha parasysh Xhevatin, si do të reagonte ai po t’i lexonte këto fjalë. Do t’i pëlqenin këto fjalë apo do buzëqeshte me një ironi të mezidukshme, sikurse e kishte zakon kur nuk i pëlqente ndonjë gjë? Kjo ishte një trysni jo e vogël për mua. Por tjetra, ndoshta më e madhe, është përgjegjësia ndaj lexuesit, ndaj të gjithë atyre që e kanë njohur Xhevatin si njeri dhe shkrimtar.

Sidoqoftë, uroj të më mirëkuptojnë të gjithë për faktin se pse isha unë që u ula dhe i shkrova këto pak radhë si një detyrim moral ndaj një miku dhe shkrimtari të shquar. Po këtë mund ta kishin bërë fare mirë edhe kolegë të tij.

Botimi i këtij libri të Xhevat Beqarajt është befasues në disa plane. Ata që për shumë vite e dekada ishin mësuar që emrin e këtij autori ta identifikonin me shkrimtarin e njohur të letërsisë për fëmijë, tashmë ndodhen përpara një profili tjetër të tij. Por ata që mund të befasohen më shumë janë njerëzit e letrave. “Nën qiellin e fëmijërisë” është një titull metaforik, mjaft domethënës për dimensionet e personalitetit të autorit. Por të jemi të qartë qysh në fillim: Ky libër nuk është një vepër për lexuesit e vegjël. Ai është një vepër mirëfilli për të rriturit. Studiuesit do të mendohen se ku ta rendisin atë: në memuaristikë, në letërsinë artistike, apo në biografitë…

Në të vërtetë ky është një roman. Romani i jetës së autorit që e ka skalitur atë me durim gjatë gjithë jetës së tij. Kjo vepër është jo vetëm saga e jetës dhe përpjekjeve të një krijuesi të shquar, por edhe shumë bashkudhëtarëve të tij, jo vetëm shkrimtarë. Pra është shumë më tepër se një autobiografi e zakonshme.

Ky është romani i jetës së Xhevatit, por edhe një poemë dashurie për vendlindjen, fëmijërinë dhe për njerëzit që ai i deshi shumë. Librat më të mirë dhe më të vërtetë janë ato që janë shkruar mbi bazën e përvojës së autorëve. Pra janë në njëfarë mënyre autoportrete. Po sjell këtu dy-tre shembuj sa për ilustrim të kësaj ideje. Shkrimtari rus Boris Pastërnaku u bë i famshëm botërisht me romanin “Doktor Zhivago” me të cilin fitoi edhe çmimin Nobel për letërsi në vitin 1958. E, Doktor Zhivagoja është një rrëfim dhe përshkrim thuajse autentik i jetës së autorit. Ndaj është aq i vërtetë dhe tronditës. Po i tillë është dhe libri “Jetë dhe vdekje në Ballkan” i autorit malazez Bato Tomasheviç, që është një sagë familjare gjatë një shekulli konfliktesh. Një rrëfim i jashtëzakonshëm dhe tejet realist, të cilin Xhevati e pëlqente shumë. Shembulli tjetër është shkrimtari ynë i shquar Petro Marko me veprën e tij “Retë dhe gurët. Intervistë me vetveten” ku ai shpalos gjithë jetën e tij të trazuar nëpër tallazet e parreshtura që përshkoi gjatë shekullit të njëzetë, ku bashkudhëton me fatet dhe historinë e vendit dhe bashkëkohësve të tij. Ndaj kjo vepër është konsideruar me të drejtë nga më të mirat në letrat shqipe, duke qenë mbase vepra më e mirë e autorit. Në të dyja këto vepra, kryepersonazhe janë vetë autorët shkrues të tyre që shenjuan fatin dhe fatalitetin e tyre, dashurinë dhe ëndrrat e tyre, me një përgjithësim artistik mahnitës. Të tre librat e sipërpërmendur kanë një strukturë kompazicionale të ngjashme: kanë një shtrirje të gjatë kohore që ecën paralelisht me jetën e autorëve të tyre. Ato janë sa saga vetiake dhe familjare, aq edhe shoqërore.

Në këtë hulli ka ecur edhe Xhevati në rrëfimin e kujtimeve të jetës së tij. Xhevat Beqaraj i adhuronte këta autorë dhe mendoj se ka patur ndikim prej tyre në shkrimin e librit të jetës së tij. Ai ishte bashkëkohës me ta dhe e përjetonte thellë krijimtarinë tyre, dhimbjen dhe vuajtjen e tyre. Pra, kishte jo një por disa modele.

E quajta pa mëdyshje roman këtë vepër të Xhevatit, pasi i ka të gjithë elementët e një vepre letrare ku dallon stlili dhe gjuha e bukur e autorit, ka ndjenja dhe mendime. Ka një reliev dhe harmoni të brendshme. Ka tipa dhe karaktere, ka emocion dhe stil.

Xhevati ishte një njeri i përkorë. Si njeri dhe si shkrimtar. Unë, kam qenë një nga miqtë më të afërt të tij dhe nuk kam ditur asnjëherë se çfarë shkruante apo çfarë projektesh kishte. Nuk kam ditur edhe për këto dorëshkrime që tashmë përbëjnë një vepër letrare të rëndësishshme të tij. Ishte stili i tij ky si në sjelljen e përditshme, në raport me të tjerët, por edhe me krijimtarinë. I tillë ishte ai dhe nuk mund as ta imagjinojmë apo ta pranojmë ndryshe. Por në këtë krijimtari është tërësisht Xhevati, deri në qelizën më të imët.

Ky libër i ka të gjithë elementët e një vepre letrare. Strukturën, përshkrimin. Personazhet, dialogun, atmosferën e kohës për të cilën flet autori. Vepra ka reliev, ka dramacitet dhe nerv, aq të domosdoshme për ta mbajtur peshë lexuesin me një vëmendje të përqendruar. Nuk është kurrsesi një ditar. Në të nuk ka data, madje as vite. Këtë kronologji mund ta bëjnë vetëm lexuesit e vëmendshëm, madje me hamendësime.

Xhevati nuk ka mbajtur një ditar të zakonshëm. Ai është shkrimtar dhe si i tillë nuk i interesojnë faktet e rëndomtë sikurse bëjnë jo pak njerëz. Si shkrimtar, ai mediton thellësisht mbi faktet, analizon, nxjerr konkluzione që zor se mund t’i kundërshtojë kush.

Ishte në natyrën e Xhevatit të punonte në heshtje, larg bujës dhe zhurmave mediatike. Ai besonte në fjalën e shkruar, të cilën e skaliste me një durim të jashtëzakonshëm në vetminë e tij. Xhevati që kishte aq shumë miq dhe shokë, kur vinte puna te krijimtaria, ishte një vetmitar i madh. Ndaj dhe çdo botim i tij në fushën e letërsisë për fëmijë përcillej me admirim dhe bënte bujë.

Unë e përfytyroj atë duke medituar në vite për këtë libër që tashmë e kemi në dorë, duke patur një fiksim për gjithçka donte të shprehte dhe duke mbajtur shënime për të lënë një krijim të saktë dhe të përkryer artistikisht. Është i njohur fakti se në moshë të thyer njeriut i shfaqen dhe kujtohen me një mprehtësi të mahnitshme ngjarje dhe episode të fëmijërisë. Kështu duhet t’i ketë ndodhur dhe Xhevatit, duke patur një synim të palëkundur për të lënë një dëshmi të pakontestueshme të kësaj dashurie të madhe. Dhe ia ka arritur qëllimit.

Kur e ka shkruar Xhevati këtë libër? Është tejet e vështirë të japësh një datë të saktë, një vit apo vend. Mendoj se ajo shtëpia e tij modeste në Tiranë, ishte një hambar i madh me kujtime dhe ngjarje që ai deshi dhe arriti t’i shkruajë më vërtetësi, sikurse dëshmon ky libër. Ky libër është shkruar ditë pas dite që nga lindja e tij.  Thashë pak më parë se Xhevati nuk ka mbajtur ditar. Kjo është më se e vërtetë. Si mund të mbante ditar ai kur përshkruan me aq shumë detaje fëmijërinë e tij kur ende nuk dite shkrim e këndim? Por ai e ka bërë këtë duke dëshmuar se ai shkrimtarinë e kishte dhunti të lindur. Ai ishte një vëzhgues tejet i vëmendshëm dhe kishte një kujtesë fenomenale. Pas rreth tetëdhjetë vitesh, ai mbante mend dhe tregonte me hollësi episode ngjarjesh dhe tiparesh njerëzore që të mahnisnin. Si ishte e mundur? Ai ishte tejet i vëmendshëm dhe mjaft i durueshëm për të skalitur në kujtesën e tij gjithçka të përjetuar në jetën e tij të gjatë. Ky fakt ia rrit edhe më shumë vlerën si shktrimtar. Letërsia e madhe është arti i vëmendjes së madhe dhe i analizës së thellë. Xhevati kishte një kujtesë të gjatë dhe të admirueshme. Prandaj, duke lexuar këtë libër, thosha me vete: Në regjistrin e kujtesës së tij ai kishte fiksuar gjithçka për krijimtyarinë e tij. Ai, pasi ishte një njeri me vlera të spikatura, kishte vendosur të ishte dhe një shkrimtar që të linte gjurmë. Ia ka arritur plotësisht këtij qëllimi. Unë e përfytyroj atë dhe në moshën e thellë, duke përjetuar me detajet më të holla kujtime të fëmijërisë dhe të rinissë hershme dhe, me një disiplinë të hekurt ndaj vetvetes, shkruante dhe shkruante parreshtur jetën e tij, atë që kishte jetuar dhe atë që kishte krijuar..

Është aty Vjosa e mrekullueshme me simfonitë e saj të pambarimta… Aty është vendlindja e autorit, Kuta, për të cilën autori ka një dashuri të pakufishme dhe së cilës i ngre një poemë dashurie dhe dhembshurie të pakufishme. Është Mallakastra që ai e ngre në piedestalin më të bukur me përshkrimet që bën. Më tej Vlora dhe Fieri… Janë njerëzit që ai i ka njohur nga afër. Sidomos njerëzit që ai i portretizon mjeshtërisht, me të mirat dhe me të këqijat e tyre, me veset dhe huqet aq të natyrshme. Ata janë tipa dhe karaktere që me skalitjen që u ka bërë autori, mbeten gjatë në mendje. Në këto përshkrime ka humor dhe dhimbje, ka dashuri, por kurrsesi jo urrejtje. Sepse Xhevati kishte një shpirt të madh, jo thjesht si mallakastriot. Mbi të gjitha ai është një mjeshtër i vërtetë si shkrimtar, e di shumë mirë se si ta thotë fjalën dhe të luajë me të për të karakterizuar njerëzit dhe kohën e tyre. Ai nuk i fajëson dhe nuk i urren ata që edhe e kanë sulmuar dhe kanë shpifur e komplotuar kundër familjes së tij të nderuar në fshat.

Xhevat ka stilin e tij të të treguarit. Me një gjuhë të pasur dhe të figurshme, tipike mallakastriote dhe jugore, ai i bën episodet e jetës së tij sa të veçanta për jetën e tij, aq dhe përgjithësuese. Të gjithë ata që e kanë jetuar kohën që përshkruan Xhevati, e kuptojnë shumë mirë atë dhe bëhen padashje bashkudhëtarë të sagës së tij.

Është një prozë poetike ky rrëfim. Përshkrimet e tij për Vjosën dhe për Mallakstrën janë të mrekullueshme. Të papërsëritshme. Ato që ai shkruan për Vjosën nuk i ka shkruar askush. Sepse ai ndjen  thellësisht shushurimat e valëzave të Vjosës që vetëm ata që kanë jetuar dhe jetojnë buzë Vjosës i ndjejnë. Unë jam një nga ata. Xhevati i shprehu dhe kjo meritë tashmë i përket atij.

Një nga kapitujt më të dhimbshëm të këtij libri është ai ku autori përshkruan shpalljen kulak të babait të tij. Këtë fakt Xhevati e vuajti, e përjetoi me dhimbje gjatë gjithë jetës. Por çuditërisht, ai ndjente vetëm keqardhje dhe mëshitrë për ish-armiqtë e tij, po t’i quajmë të tillë ata që ia bënë këtë të keqe. Po t’i jepej rasti, me shpirtin që kishte, ai do t’i ndihmonte me sa mundej këta mendjevobektë.

Ky libër është një shumësi rrëfimesh dhe tregimesh. Fragmente dhe episode të tij mund të qëndrojnë më vete si tregime apo novela dinjitoze për një autor. Por mendoj se Xhevati i ka menduar më thellë këto punë. Ai e ka konceptuar veprën e tij si të tillë, sikurse ju do ta lexoni. Fragmentet duket sikur qëndrojnë pezull duke u shkëputur nga e tëra.

Gjithsesi, ky libër nuk është tërësor dhe i plotë, ndonëse është i mjaftueshëm për të portretizuar autorin si një krijues i shquar. Unë them se ky libër është vetëm pjesa e parë e jetës së Xhevatit. Sepse lexuesit e tij, dikur të vegjël, tashmë janë burra dhe gra të moshuar dhe duan të njohin Xhevatin, shkrimtarin e tyre të dashur, si u bë ai i tillë, cila është rruga që përshkoi, ku punoi, si i krijoi librat e tij, cilët ishin shokët dhe miqtë e tij…. Këto mendoj dhe kam bindjen se do të përbëjnë lëndën e një vëllimi të dytë dhe të domosdoshëm që unë pohoj  se do të botohet në vijim, ndoshta jo shumë vonë. Është një detyrim që pasardhësit e tij, jo vetëm familjarë, ta përmbushin këtë. Dhe do të bëhet shumë mirë.

Xhevat Beqaraj me një krijimtari të pasur mbi gjysmëshekullore në letërsinë për fëmijë është i vetëmjaftueshëm për të qëndruar me dinjitet në panteonin e emrave më të nderuar të letërsisë shqipe. Ai është një shkrimtar i respektuar jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në trojet e hapësirave mbarëshqiptare, ku vazhdon të botohet e ribotohet. Ky libër jo vetëm e konsolidon emrin e tij në këtë panteon, por e lartëson më tej atë. Si i tillë ky libër do të jetë i mirëpritur jo vetëm nga ish-lexuesit e tij të vegjal, por shumë më gjerë. Ky libër pasuron fondin më të mirë të letrave shqipe dhe kam bindjen se do të vlerësohet si një prurje befasuese e autorit edhe pas ndarjes nga jeta.

Po i mbyll këto radhë me një mendim që më është kthyer në bindje: Xhevati e donte marrëzisht vendlindjen e tij, Kutën dhe Mallakastrën. Vjosën mbi të gjitha, si një emblemë të kësaj dashurie. Mendoj se ai i mbylli sytë duke dëgjuar mërmërimat e Vjosës si një simfoni të përjetshme nën qiellin e fëmijërisë. Ndaj dhe vendosi të prehej pikërisht atje…

Tiranë, dhjetor 2025

Next Post
U padit për abuzimin seksual të vartësit, shqiptarja e bankës amerikane hedh poshtë akuzat

U padit për abuzimin seksual të vartësit, shqiptarja e bankës amerikane hedh poshtë akuzat

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

‘Amnistia’/ Çupi: PD ndërroi mendje rrugës, Basha është i mbytur nga kompleksi i inferioritetit

Çupi: Kjo parti ka mbaruar! Nëse është i mençur, Berisha e bën kryetare Meremen

May 1, 2026
Dështon në skenë përpjekja e Infantinos për shtrëngim duarsh mes krerëve të futbollit izraelit dhe palestinez

Dështon në skenë përpjekja e Infantinos për shtrëngim duarsh mes krerëve të futbollit izraelit dhe palestinez

May 1, 2026
Një jetë në skenë: Maestro Zhani Ciko vjen me monografinë ‘Opera ime’”

“Opera ime” – Botimi më i ri sjell rrëfimin artistik të Zhani Cikos në skenën shqiptare

May 1, 2026
“The making of Albanians”

Fantazma e “8 Janarit” tek PD-ja

May 1, 2026
“Do ta nxij jetën po s’më dhe 3 mijë euro”, polici shantazhon të dënuarin! Zbulohet letra që ‘e dogji’

Mori leje dhe doli nga burgu, ‘zhduket’ në Durrës i dënuari për vrasje të mbetur në tentativë, por…

May 1, 2026
Ndërron jetë “Bilbili i Çamërisë”, këngëtari i njohur Shaban Zeneli

Ndërron jetë “Bilbili i Çamërisë”, këngëtari i njohur Shaban Zeneli

May 1, 2026
Tre Kongresmenë rezolutë për Kosovën në NATO

Tre Kongresmenë rezolutë për Kosovën në NATO

May 1, 2026
“Bëhu pjesë e ekipit që çon vendin në BE”, MEPJ kërkon 10 ekspertë për t’iu bashkuar skuadrës diplomatike në Bruksel

“Bëhu pjesë e ekipit që çon vendin në BE”, MEPJ kërkon 10 ekspertë për t’iu bashkuar skuadrës diplomatike në Bruksel

May 1, 2026
Salianji padit në Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Lartë për dënimin e tij

“Frikë nga skenari pas largimit të Berishës”, analisti: Ja pse nuk e donin Salianjin në garë!

May 1, 2026
U padit për abuzimin seksual të vartësit, shqiptarja e bankës amerikane hedh poshtë akuzat

U padit për abuzimin seksual të vartësit, shqiptarja e bankës amerikane hedh poshtë akuzat

May 1, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In