• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, December 31, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Një Papë kundër pompozitetit

Kundër kapitalizmit të shfrenuar dhe kundër luksit, për mbrojtje të ambientit dhe për dialog mes feve: me rastin e vdekjes së Papa Françeskut (1936-2025).

by Enver Robelli
22/04/2025 10:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Enver Robelli

Kur vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, Papa Françesku iu drejtua botës me dy mesazhe. “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh”, tha ai. Me këto fjalë kreu i Kishës Katolike dënoi terrorizmin e fanatikëve islamikë, sidomos në Siri.
Mesazhi i dytë ishte ky: Shqipëria, sipas Papës, “mund të bëhet një shembull për shumë vende” për shkak të modelit të bashkëjetesës mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve. Vizita e tij ishte e para në një shtet evropian pas zgjedhjes në postin më të lartë të Kishës Katolike.
Françesku ishte një Papë i pazakonshëm. “Sa i përket vdekjes sime, kam një qëndrim mjaft pragmatik. Gjithçka është gati”, kishte thënë ai. Të hënën në orën 07:35 Vatikani publikoi lajmin për vdekjen e tij: Zëvendësi i Krishtit “u kthye në shtëpinë e Zotit”. Me gjasë ishte një puqje mes ligjeve hyjnore dhe atyre tokësore: të largohesh nga kjo botë të hënën e Pashkëve nuk ia arrin çdo Papë. As secili nga 1.4 miliardë katolikët e kësaj bote.
I pazakonshëm ishte Françesku, sepse nuk ishte i dhënë pas luksit dhe pompozitetit. Paraardhësi i tij, Benedikti i XVI, binte në sy jo vetëm të fotografëve me këpucët e tij të kuqe papnore. “Karnavali mori fund”, citohet të ketë thënë Françesku kur pas zgjedhjes zyrtarët e Vatikanit tentuan ta stolisnin. Françesku u përpoq të mbesë njeri afër popullit. Pasi u zgjodh Papë, i telefonoi shitësit të gazetave në Buenos Aires për ta informuar se nuk mund t’ia dërgonte më gazetat në adresën e njohur në kryeqytetin argjentinas. “Ti e di se çfarë ka ndodhur”. Ajo që kishte ndodhur ishte paksa revolucionare: Jorge Mario Bergoglio, i rritur në Flores, një lagje e Buenos Airesit, ishte Papa i parë që nuk vinte nga Evropa.
Për një Papë, biografia e tij ishte spektakolare. Ishte adhurues i madh i futbollit, anëtar i klubit të futbollit Atlético San Lorenzo de Almagro (Buenos Aires). Para se t’i përkushtohej tërësisht shërbimit ndaj Zotit, ai kishte punuar pastrues në një fabrikë çorapësh dhe rojtar në një klub nate. “Kam pasur një të dashur, një vajzë të ëmbël”, do të tregonte më vonë nga roli i tij i Papës, ndërsa fliste për vitet e hershme të rinisë, kur ende s’ishte përcaktuar për rrugën kishtare. E ëma e tij dëshironte që ai të studionte mjekësi. “Nuk të kam gënjyer. Po studioj mjekësi. Mjekësinë e shpirtrave”, u përgjigj ai një ditë.
Kur u bë Papë, zgjodhi emrin Françesk si shenjë nderimi ndaj Françeskut të Asizit, një murg lypsar, i cili më 1206 dëgjoi zërin e Jezusit: “Françesko, shko dhe ndërto sërish shtëpinë time, e cila, siç e sheh, është krejt e rrënuar”.
Në Vatikan Papa argjentinas nuk pranoi të udhëtojë me veturë të shtrenjtë. Mori një “Renault 4”, prodhim i viteve 1980. Jo secilit kardinal i pëlqente që Papa hiqte dorë prej çdo salltaneti që sjell ky post. Disa e etiketonin edhe si komunist apo marksist. Ai ishte kritik i kapitalizimit të shfrenuar. “Kjo ekonomi vret”, shkroi ai duke folur për ekseset në botën e financave – dhe kësisoj u bë hero i shumë kritikëve të globalizimit pa rregulla.
Në Argjentinë Bergoglio ishte adhurues dhe mbështetës i teologjisë së çlirimit. Kur u zgjodh Papë, disa e akuzuan se nuk i kishte mbrojtur viktimat e diktaturës ushtarake argjentinase. Teologu prominent Leonardo Boff tha: “Ai ka shpëtuar dhe fshehur shumë njerëz, të cilët përndiqeshin nga diktatura ushtarake”.
Kardinali slloven, Franc Rode, njëri nga krahu konservator i Kishës Katolike, e komentoi zgjedhjen e Françeskut me këto fjalë: “Do të jetë katastrofë”. Ai e dinte se Bergoglio kishte aversion ndaj strukturave të ngurta të Kishës Katolike, ndaj korrupsionit në radhët e saj, ndaj keqpërdorimeve të shumta. Kardinalët i akuzoi se vuajnë nga alzheimeri mendor, se mendojnë që janë “të pavdekshëm”, “të pazëvendësueshëm”, se kanë “zemër prej guri”, se janë të izoluar në “narcizëm dhe krekosje”.
Ky Papë nuk e kalonte gjithë kohën nëpër paragrafë, ultësira teorike dhe interpretime biblike. Të tillë ka shumë në Kishën Katolike. Dhe të tillët e nënçmonin argjentinasin duke aluduar se s’ishte intelektual. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ai kishte studiuar filozofi e teologji, adhuronte dhe njihte mirë muzikën klasike, lexonte klasikët rusë dhe gjermanë.
Si asnjë Papë tjetër ai apeloi që njerëzit të mbrojnë ambientin. “Kush jam unë të gjykoj”, tha ai spontanisht duke folur për homoseksualët. Por edhe në këtë çështje ai mbrojti mendimin kishtar se “homoseksualizmi është mëkat”. Nuk pranoi që gratë të ushtrojnë funksionin e priftëreshave, por gjatë pontifikatit të tij ai avancoi shumë gra në pozita të rëndësishme në Vatikan, reformoi (pastroi) bankën e Vatikanit, ndaloi bizneset e kishës me mafinë, ashpërsoi ligjet kundër keqpërdorimeve të mëdha seksuale nga ana e dinjitarëve kishtarë. Këto keqpërdorime kanë luajtur një rol të madh në largimin e shumë njerëzve nga Kisha Katolike.
Për Papa Françeskun ishte me rëndësi dialogu me krerët e feve apo konfesioneve të tjera. Në Abu Dabi nënshkroi një deklaratë me Ahmad al-Tajebin, një prijës i myslimanëve sunitë. U takua më 2016 në Kubë me Kirilin I të Kishës Ruse. Papa Françesku u përpoq të ndërmjetësonte në luftën në Ukrainë, por jo përherë e gjeti tonin e duhur. Për këtë u kritikua ngase, sipas kritikëve, nuk e mbështeti pa ekuivokë Ukrainën. Në konfliktin në Lindjen e Afërt, Papa Françesku kritikoi ashpër si sulmet terroriste të Hamasit, por edhe luftën e Izraelit në Gaza. Porosia e tij ishte: Kisha është “spital fushor” për të shëruar shpirtrat e njerëzve.
Një rregull i pashkruar thotë se pas një Pape të afërt me popullin, kardinalët zgjedhin një Papë konservator. Në Vatikan tashmë qarkullojnë shumë emra. Njërin prej tyre do ta zgjedhë konklava në javët e ardhshme.
Një herë agjendën do ta dominojnë ceremonitë e varrimit të Papës. Dëshirë e tij ishte të varroset si çdo kristian, pa shkëlqim e madhështi të tepruar.
Në atdheun e tij, në Argjentinë, është shpallur zi shtatëditore. Por marrëdhëniet e tij me presidentin populist, Javier Milei, kanë qenë të tensionuara. Në fushatën elektorale të vitit 2023 Milei e ofendoi Papën duke e quajtur “përfaqësues të së keqes mbi tokë” dhe “idiot që mbron drejtësinë sociale”. Të gjitha këto Papa ia fali kur Milei erdhi për vizitë në Vatikan, tashmë si presidenti i Argjentinës.  
Jorge Mario Bergoglio ishte njeri zemërgjerë në një botë që gjithnjë e më shumë po dominohet nga cinikët, populistët dhe mizantropët. Këta i falte dhe i injoronte, ndërsa për të rinjtë kishte këtë porosi: “Bëni tollovi”.

Next Post
6500 policë kundër krimit zgjedhor, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në terren

6500 policë kundër krimit zgjedhor, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në terren

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Hap krahun”, Arben Malaj ia thotë në sy Lapajt: Nëse nuk arrin dot kompromise dhe të ngresh shpresë, ik!

“Hap krahun”, Arben Malaj ia thotë në sy Lapajt: Nëse nuk arrin dot kompromise dhe të ngresh shpresë, ik!

December 30, 2025
Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

December 30, 2025
Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

December 30, 2025
Malaj komenton qeverinë e re: Nuk besoj se ministrat e mësojnë emërimin të fundit

Arben Malaj: Jam anëtar i Partisë Socialiste, por nuk lëpihem për një karrige

December 30, 2025
Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

December 30, 2025
“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

December 30, 2025
Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

December 30, 2025
Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

December 30, 2025
“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

December 30, 2025
“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com