Rreshter Blendi Zaimi do të mbahet mend për një kohë të gjatë nga dy familje në Fushë-Krujë. Efektivit të Forcave Ajrore i është dashur të qëndrojë në ujë për afro një orë për t’u shpëtuar jetën 11 pjesëtarëve të këtyre dy familjeve, banesat e të cilëve rrezikonin të përmbyteshin plotësisht nga vërshimi i ujërave. Mund të thuhet me plot gojë se 40-vjeçari është hero, pasi ka rrezikuar edhe jetën e tij në këto misione.
“Ky është profesioni që unë kam zgjedhur, por është e rëndësishme që gjatë këtyre operacioneve të kemi mjete shtesë për të rritur sigurinë. Më herët jam trajnuar në Angli dhe çdo aeroshpëtues kishte mbrojtje për trupin, sidomos për pjesën e shtyllës kurrizore, në mënyrë që të ishe i sigurt në një moment që mund të hasje vështirësi gjatë një misioni dhe të rrëzoheshe. Pra, siguria është maksimale për ata që e vlerësojnë jetën e njeriut. Ne nuk i kemi të gjitha mjetet e duhura, realisht. I kam bërë kërkesën komandës sime dhe institucioneve që janë më lart se komanda”, tha në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rreshter Blendi Zaimi, me detyrë aeroshpëtues për shërbimin SAR.
Rreshteri na tregoi për misionin e fundit të ndërmarrë këtë fundnëntori e fillimdhjetori, për shpëtimin e qytetarëve nga përmbytjet. Për faktin se sa e rrezikuar është jeta e tij gjatë këtyre operacioneve, ai u shpreh se Zoti krijoi zogjtë për të fluturuar, jo njerëzit, por në situata të tilla rreziku nuk shihet aspak përballë ndjesisë që ofron shpëtimi i jetës së një njeriu.
Zoti Zaimi, cili është pozicioni juaj pranë Bazës Ajrore Farkë?
Jam në detyrë operator bordi aeroshpëtues për shërbimin SAR (kërkim-shpëtim), pjesë e strukturës së Ministrisë Mbrojtjes. Momentalisht në Bazën Ajrore Farkë kam dy detyra kryesore, që është kërkim-shpëtimi dhe emergjencat-civile. Shërbej prej 13 vitesh në këtë bazë. Jam veshur në vitin 2004. Kam bërë specializime të shumta, në vitin 2006-2007 kam qenë në Itali për specialist helikopterësh, gjithashtu kam qenë pjesë e disa kurseve mbijetese me forcat speciale italiane, mbijetesa në det, në mal etj. Kam marrë pjesë në kursin e shtabit të luftës me Gardën e Nju Xhersi. Më pas në vitin 2014-2015 isha pjesë e një kursi 5mujor në Royal Air Force, RAF (Forcat Ajrore Mbretërore Angleze). Ishte një kurs që ia vlejti, me vështirësi si nga ana teorike, edhe nga ana praktike.
Gjatë një misioni shpëtimi, si reagoni ndaj personave që janë në rrezik për jetën?
Në këtë profesion në çdo moment je në rrezik për jetën tënde dhe të personit që do shpëtosh. Shikohet në radhë të parë siguria jonë, sepse në qoftë se aeroshpëtuesi dëmtohet, nuk shpëton dot personin që është në rrezik. Gjatë operacionit të shpëtimit në fillim janë të moshuarit, gratë dhe fëmijët, pastaj më të fuqishmit. Përpara se t’i evakuosh, është e këshillueshme që personave t’i flasësh, pasi mund të jenë të rënduar psikologjikisht dhe në trajnim në Angli, na e kanë theksuar gjithmonë që është shumë e rëndësishme dhe mënyra si e kap një person për ta shpëtuar, duhet të tregohemi sa më xhentilë, që të ndihen të sigurt. Kryesore është t’i mbash të qetë, pasi në momentin e shpëtimit, nuk jemi të informuar për fobitë dhe frikërat që mund të ketë ky individ.
Çfarë vështirësish hasni në profesionin që keni zgjedhur?
Faktori kohë është pika kyçe si për mjetin fluturues, për pilotët, për operatorin e vinçit dhe të SAR-it. Moti i pastër, pa shi, pa mjegull dhe pa erë është në favorin tonë. Zakonisht zonat që kanë flukse ajri shumë të mëdha, janë shumë të rrezikshme për profesionin tonë. Për pilotët është shumë e problem drejtimi i erës, sepse mjeti fluturues gjithmonë erën duhet ta ketë përballë dhe piloti i përdorë pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit si faktorë ndihmës, ose si sensor për natyrën përjashta. Në vendet ku do operosh nuk duhet harruar që ka edhe mjete fluturuese.
Pra, ne shërbejmë si faktorë ndihmës në punën e pilotit, pa kryer akoma punën tonë. I japim drejtimin e erës duke u bazuar te pemët, te liqenet. Në këtë mënyrë, piloti bën pozicionimin e helikopterit në drejtimin e duhur. Gjithmonë duke pasur parasysh edhe krahun nga ka vinçin për të zbritur operatori i SAR-it. Bën verifikimin e vendit në momentin kur është në një mision shpëtimi, shikon zonën e uljes në rast emergjence. Më pas vazhdon operacioni. Duhet theksuar që profesioni që kam zgjedhur është me risqe, pasi Zoti krijoi zogjtë për të fluturuar, jo njerëzit.
Gjatë përmbytjeve të ndodhura afro dy javë më parë, ku ju caktuan me shërbim?
Ishte ditë e premte, kam qenë pushim shërbimi, por duke qenë se moti ishte i keq, u nisa për në repart, pasi kisha një parandjenjë që gjendja do përkeqësohej. Jepet detyra rreth orës 11:30, më thërret komandanti i grupit “Cougar”, më tha të kontrolloja pajimet, kontroll të cilin e bëj përditë për t’i verifikuar. Gjithashtu, u bë kontrolli i helikopterit në rrymë dhe hipëm në bord. Që në momentin që u nisëm kishte shumë shi dhe mjegull, kur arritëm në Fushë-Krujë, një zonë e rrezikuar nga përmbytjet, era ishte shumë e fortë. Pilotët verifikuan banesat të cilat ishin të izoluara nga reshjet e shiut.
Gjatë operacionit në Fushë-Krujë sa persona shpëtuat?
Në operacionin e shpë-timit në Fushë-Krujë u nxorën nga banesat e përmbytura 11 persona. 8 pjesëtarë te shtëpia e parë dhe 3 tek e dyta (dy çuna të rinj dhe një burrë). Vihej re që të gjithë ishin zbathur, “na i ka marrë uji këpucët dhe ato që kanë ngelur janë të lagura”, thanë banorët. Pas eva-kuimit të 8 personave në banesën e parë, u drejtuam për te shtëpia e dytë, në të cilën në një moment rrezikova. Kati i dytë i banesës ishte i rrethuar me hekura dhe duke u përpjekur të shmangem, dëmtova gjurin dhe u rrëzova sipër tarracës.
Pasi bëmë evakuimin e 3 persona që gjendeshin në këtë banesë, verifikuam zonën në qoftë se kishte të tjerë që kishin nevojë për ndihmë dhe më pas u nisëm drejt bazës tonë ajrore. Gjatë evakuimit të 11 personave, m’u desh të qëndroja për afro 1 orë në ujë, duke hipur çdo banor në helikopter. Më pas në kthim u ulëm afër Fushë-Krujës, për shkak të gjendjes së keqe të motit, fluksi ishte shumë i madh dhe për të qenë më të sigurt vendosëm të spostoheshim në aeroportin e Rinasit. Pritëm sa u largua mjegulla dhe u kthyem për në bazën tonë ajrore.
Ku i dërgonin banorët, të cilët i evakuonit nga banesat e përmbytura?
Banorët pasi i merrnim në helikopter, i spostonim në një fushë rreth 500-600 metra larg zonës së rrezikuar. Aty ndodheshin mjetet e FNSH të ushtrisë dhe të policisë. /b.d