Sikur të mos mjaftonte aksidenti me ski që e ka lënë në gjendje të rëndë prej gati tre vjetësh, Mikael Shumakerit i është dashur të bëjë edhe me ata që janë përpjekur të përfitojnë nga fatkeqësia e tij.
Rasti i fundit ka të bëjë me disa fotografi të kampionit të Formulës 1 të shkrepura pak pas aksidentit, të cilat u janë ofruar mediave europiane për një milion sterlina (rreth 1.2 milionë euro).
Një hetim ka nisur për të zbuluar autorin e fotove të bëra në banesën e ish-sportistit gjerman në Gjenevë të Zvicrës, si dhe mënyrën se si personi në fjalë arriti të depërtojë nën hundën e menaxheres dhe stafit mjekësor të Shumit.
47-vjeçari pësoi dëmtime të rënda në kokë pas një aksidenti teksa bënte ski në Alpet Franceze më 29 dhjetor 2013, ndërsa që prej shtatorit 2014 ka vijuar trajtimin në shtëpinë e vet në Zvicër.
Menaxherja e tij, Sabinë Kehm, në fundjavë bëri këtë koment: “Shëndeti i Mikaelit nuk është çështje publike, ndaj ne do të vazhdojmë të mos bëjmë komente rreth saj. Duhet të mbrojmë sferën e tij intime. Në aspektin ligjor dhe afatgjatë, çdo njoftim rreth shëndetit të tij do të cenonte hapësirën e tij intime”.
Mirëpo vetëm pak orë pas kësaj deklarate doli lajmi se disa mediave europiane u janë ofruar fotot ekskluzive.
Prokurorët në rajonin e Ofenburgut, Gjermani, po hetojnë fotot si “shkelje të hapësirës personale” të Shumakerit. Në një komunikatë, prokuroria bëri me dije për televizionin gjerman “RTL” se pamjet janë ofruar në këmbim të “shumave të mëdha të parave”, por identiteti i ofruesit nuk dihet.
Në fakt, ky nuk është rasti i parë kur persona të caktuar tentojnë të përfitojnë nga situata e kampionit të garave me makina. Pak orë pas mbërritjes së tij në spitalin e Grenoblës, Francë, në dhjetor 2013, një gazetar i pajisur me aparat fotografik dhe i maskuar si prift u përpoq të futej në dhomën e Shumit.