Nga Bedri Islami
Në asnjë moment nuk më është dukur e pazakontë ajo që mund të quhet ndryshe “shpërthimi” i heshtur i Pandeli Majkos në seancën parlamentare: është gjithçka në natyrën e tij politike e njerëzore. Ekspresiv, shpesh herë edhe i rrëmbyeshëm, në atë masë sa mund të mbajë një njeri që politikën e ka nisur si punësimin e tij; si figurë politike që ka kaluar majat në një moshë tepër të re, por që, pikërisht ai entuziazmi i tij i veçantë, bashkë me shpërthimin e heshtur, si natyrë të dytë e kishin shpënë tek eurosocialistët, brezi që shkoi kundër rrymës, rinovoi një forcë, por që më pas, disa prej tyre, u bënë po aq konservatorë, sa edhe ato që i larguan nga postet e përkohshme.
Majko, si rrallë herë ndonjë socialist tjetër, është sulmuar dhe është përkëdhelur nga opozita, ndoshta në një proporcion të barabartë. Ai, sa ka qenë njeriu i aferave të mëdha për opozitën e sotme, kujtoni sulmet e Berishës për “ përvetësimet” e Majkos kryeministër apo ministër i Mbrojtjes, aq edhe ka qenë njeriu i lëmuar kur opozitës i është dashur të ketë shembullin e një deleje që mendonin se mund të bëhej e zezë.
Rasti i tashëm është përsëritje e qëndrimit ndaj tij gjatë gjithë karrierës. Është i dyzuar mes së vërtetës, pra, Pandeliu si figura politike me autoritet e besim të pangjashëm, sidomos në Kosovë, dhe Majkos, si njeriu që ka mbuluar apo ka qenë pjesë e aferave të mëdha korruptive. Ai, aq sa është gjendur në qendrën e ciklonit të opozitës, aq edhe ka qenë njeriu që mund të merrej me të mirë.
Në fakt, ai i ka shpërfillur të dyja, pra ka mënjanuar “përkëdheljen” politike që i është afruar nga opozita, por edhe ka nënqeshur trishtueshëm kur është sulmuar, dhe është ndjerë i keqardhur kur kjo është besuar edhe nga shokët e tij partiakë.
E kam takuar shpesh herë gjatë luftës së Kosovës. Ka pasur raste kur në zyrën e tij kryeministrore, ku qëndronte gjithnjë një portret i Kenedit, e kam parë të shpërthejë ndaj pengesave që paraqiteshin dhe e pengonin luftën, ashtu si e kam parë edhe në pragun e një ankth pritjeje ndaj zotit Rugova. Edhe asaj herë, ai ishte përkrahësi i fuqishëm i lëvizjes çlirimtare, ku kishte vënë gjithçka kishte mundur, por edhe kishte mendjen tek Rugova, si për të gjetur një urë mes dy forcave, që për fat të mirë, askurrë nuk u përplasën forcërisht me njëra tjetrën.
Njeriu që i thoshte ministrit të jashtëm grek që, “nëse Serbia nuk e ndal agresorin, ne do të futemi në luftë” dhe ai çmeritej, dhe nga ana tjetër ndalonte në Portin e Durrësit makinat e ardhura nga ushtria zviceriane si gjysmë dhurate për forcat çlirimtare, me mendimin se mos përmes tyre do të sulmoheshin kufijtë – ky është Pandeli Majko.
I kam besuar gjithnjë sinqeritetit të tij dhe vazhdoj t’i besoj, por , aq sa i kam besuar njeriut, e kam të vështirë t’i besoj shtetarit. Njeriu Pandeli e tejkalon shtetarin Majko. Tek e para ai është i vërteti, i sakti, larg paragjykimit dhe i hapur; tek i dyti është gjithnjë njeriu i dyzuar, mes dëshirës, ligjit dhe paqartësisë.
Kjo ndodhi edhe në të enjten e fundit të Kuvendit, që në vetvete është një teatër absurd, që kërkon të mbrojë një godinë teatrore, të cilën, jo shumë vite më parë, plejada e shkëlqyer e aktorëve që nuk janë më, kërkonin ta hiqnin dhe të ndërtonin një të ri.
Është një çështje që nuk ka të bëjë me artin, përderisa e mbron Flamur Noka, që nuk ka të bëjë me moralin, për deri sa e mbron Salianji; që nuk ka të bëjë me të vërtetën, për deri sa e mbron Vokshi; që nuk është pjesë e politikës, për deri sa i bëhet krah një Bashë që teatron përditë në kancelaritë e huaja kundër vendit të tij, e në fund të fundit, është vetëm e një dysheje, që mund të përballen për të pasur një zgjedhje: trupës aktoriale dhe shtetit.
Në këtë mes, shtetari Majko është pjesë e qeverisë. Nuk është pjesë e qeverisë që dikur kishte kundërshtuar prishjen e teatrit pas propozimit të ish ministrit apo kryetarit të bashkisë, Rama, që sot është shefi i tij politik dhe shtetar, por është pjesë e asaj qeverie, në të cilën, ai mban portofolin që përfaqëson një pjesë vitale të popullsisë shqiptare dhe të lënë pas dere: diasporën.
Personalisht, si një qytetar i zakonshëm, zemra dhe mendja nuk ma do të prishet një godinë ku janë vënë themelet e artit dramatik shqiptar.
Për më tepër, në një zyrë të kësaj godine, që bie nga rruga, dikur kam punuar pranë dramaturgut të ri, të shkëlqyer do të thoja, Shpëtim Gina, i cili u nda mizorisht nga jeta për shkak të dramave të tij.
Por mendja është tjetër gjë dhe e vërteta është një tjetër.
Pandeliu me mendje, ashtu si shumë të tjerë, mund të jetë me nostalgjinë e teatrit, por e vërteta të shpie drejt një zgjidhjeje radikale, ku ai mund të jetë pjesë e një ligji, i cili është përcjellë nga qeveria ku ai bën pjesë drejt parlamentit, për të marrë një vërtetim saktësie, që në këtë rast mund të jetë një vërtetim bardhësie për vetë qeverinë.
Nuk marr përsipër dot të gjykoj nëse do të jetë më mirë apo do të jetë më rëndë për teatrin një godinë e re. Besoj se do të jetë shumë më mirë, pasi, edhe kur isha herën e fundit aty, ndjeva në shpirt atë lagështirë që të le vjetërsia e hedhur tej në radhët e karrigeve.
Majko është ministër në kabinetin Rama.
Duke qenë i tillë ai nuk është thjesht Pandeli Majko, por është ministri i Diasporës. Përkëdheljet e tashme të opozitës nuk do të jenë të përhershme dhe as të sinqerta. Ai e di këtë më mirë se të gjithë. E ka provuar mbi veten, edhe atëherë kur jeta e tij ishte krejt e zakonshme.
Ndërsa qëndrimi politik i një force politike, që ai vetë e përfaqëson në qeveri, si njëri ndër më të spikaturit, është më tepër se një dëshirë.
Për deri sa është në podium. Nëse zgjedh të ulet në sallë, ai vendos vetë, si të ketë dëshirë, nëse duhet të jetë apo jo në kuvend, duhet të votojë apo jo.
Pandeli Majko është ndër të paktët që e meriton plotësisht të jetë aty. Ai është përfaqësues, nuk është deputet.
Dhe përfaqësues duhet të jetë edhe në qeveri.
Refuzimi i tij i dikurshëm ka qenë vlerë, ashtu si refuzimi i tashëm, ndoshta rastësisht, mund të jetë antivlerë.
a.ç