Nga Pandeli Bardhi
Kampingu njëjavor në kampin e bukur të Jalës, për LRI-në apo (Lëvizjen Revolucionare Irredentiste) këtë vit, nuk ishte si kampingu i viteve të tjera.
Dihet që lëvizjet irredentiste ku Historia njeh shumë lëvizje të tilla janë lëvizjet për të marrë një territor të caktuar apo një krahinë të grabitur me apo pa të drejtë nga një shtet tjetër. Në rastin tonë, Lëvizja Revolucionare Irredentiste e LRI, bëhet për një çështje më të madhe siç është ajo për “rrëzimin e Shtetit të bandave e të krimit, apo të “narkoshtetit” që ka “grabitur” të drejtat dhe liritë e të rinjve e të rejave që shtyp, shfrytëzon e diskriminon qytetarët”.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit në Jalë, ata i mblodhi “Burrnesha” duke u dhënë të hanë e të pijnë qyl, të pushojnë e të dëfrejnë, të gatuajnë e të hazdisen sepse u mblodhën për një çështje të madhe, atë të rrëzimit të qeverisë apo të “narkoshtetit!
Nuk besoj ta këtë mësuar këtë nga “pilotët e vdekjes” në Luftën e Dytë Botërore kur Japonia, pilotët e avionëve gjuajtës bombardues, i mbante me të tëra tëmrat për muaj të tërë sepse kur të niseshin për në luftë, ata vështirë se do të ktheheshin, ose do të kryenin detyrën ose do të përplaseshin me avionët e kundërshtarit.
Por ajo ç’ka ishte më kryesorja, LRI-stët, sipas një programi të caktuar, mbi të gjitha mësuan se si të sjellin ndryshimin e elitës politike, që siç u tha edhe “Burrnesha”, “ky ka qenë edhe misioni i LRI-së qysh në krijimin e saj”.
Nuk dihet nga e gjeti këtë mendim “Burrnesha”, në një kohë që në statutin e LRI-së, qysh në krijimin e saj kur LSI-stët ishin në pushtet thuhet: “LRi- është një organizatë rinore politike, një bashkim vullnetar i të rinjve shqiptarë mbi bazën e ideve, bindjeve… që synojnë të forcojnë rolin e rinisë shqiptare në jetën e vendit”. Siç dihet, LRI u themelua në Shtator të vitit 2004 me synim angazhimin e të rinjve për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje si në nivel vendor ashtu edhe në nivel kombëtar”! Ku është këtu ajo që thotë “Burrnesha” që “qysh në fillim misioni i LRI-së, ka qenë ndryshimi i elitave politike”?
Sidoqoftë, plazhistët e shumtë në Kampingun e Jalës kaluan edhe disa çaste entuziaste tek dëgjonin “Burrneshën”! Në fund, nën tingujt e “Internacionales” apo të “Marshit të të rinjve kundër të keqes” sipas Floida Kërpacit, thirrjes së “Burrneshës”, “Në luftë për çështjen e partisë të jeni gati” ata, me grushtin lart apo me dorën në shenjë nderimi ushtarak iu përgjigjën: Gjithmonë gati! Burrnesha është kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim siç thuhet edhe në dy vargjet e para të “Marsejezës” apo të “Marshit të të rinjve kundër të keqes:
Çohuni djem e vajza sepse rinia është e para.
Mbas Burrneshës shkoni, të gjithë ta rrëzojmë këtë qeveri…
Kohërat tashmë kanë ndryshuar. Revolucionet nuk fillojnë më atje ku shtypja dhe shfrytëzimi është më i madh, por fillojnë nga Kampet e pushimit, atje ku “Komsomolasit” hanë, pijnë, këndojnë, dëfrehen e relaksohen nën rrezet e diellit dhe jodin e detit. Sipas një programi të caktuar, gjithçka bëhej, qëllimi ishte një i vetëm.
Të betoheshin për një “çështje të madhe”, atë të rrëzimit të këtij “narkoshteti”. “Ideologët” e tyre, ish antarë të Kabinetit të “narkoshtetit” qysh në themelimin e tij para njëzet e tetë viteve, folën njëri pas tjetrit, qysh nga “Burrnesha” me pantallona ushtarake, e deri tek “njeriu me pantallona të shkurtra, Edmond Panariti.
Për të mos humbur fillin e mendimeve të vijmë tek fjalimi i “Burrneshës” në këtë ceremoni “madhështore” të mbylljes së kampingut, e cila me atë fjalim ceremonial jo vetëm LRI-stëti bëri të betohen “Halt Burrneshë” por edhe shkurret i bëri të “lëvizin” nga vendi! Qysh në fillim duhet të themi që pavarësisht se çfarë “klithmash” bënte “Burrnesha”, thirrjet e të rinjve nuk e lejonin të dëgjohej derisa ajo shumë shumë herë detyrohej të ndërpriste fjalimin e saj, duke bërë thirrje: “Më lini të mbaroj mendimin”!
Edhe sikur ajo të thoshte: “Në këtë moment që ne po flasim, janë bashkuar me ne edhe delfinët e detit, edhe fokat e pritet të vijnë edhe peshkaqenët, për të rrëzuar qeverinë e bandave e të krimit”, përsëri thirrjet entuziaste të LRI-stëve, do të vazhdonin me të njëjtin entuziazëm! Vazhdojmë më tej me fjalimin e “Burrneshës”. “Ky grup mjaft modest, thotë ajo, arriti kulmin e tij me pasion dhe forcën, për të cilën të gjithë kemi nevojë! “Burrnesha” është edhe “modeste”, ajo forcën e merr si Anteu që e merrte nga Toka, kjo e merr nga LRi-ja. Më tej vazhdon: “LRi-stët thonë që një njeri mund të ndryshojë botën, po juve që jeni me qindra”?
Basha nuk ndodhej atje, por po të ishte si matematicien “perfekt” që është, që pavarësisht që tabelën e shumëzimit me dy shifra nuk e njeh, por rregullin e treshit e njeh mirë, menjëherë, sapo të bënte llogarinë, do t’i dilte që LRI-stët kanë një forcë të tillë që mund të ndryshojnë botën me qindra herë! “Shikoni thotë ajo, po marr shembullin e Megit.
Në fillim ajo kishte frikë të protestonte dhe ditën e parë që u godit nga një polic, ditën tjetër, ajo protestoi me forcë dhe ecte me të dyja këmbët dhe grushtin lart”. Konkluzioni i Burrneshës është që nuk duhet patur mëshirë kundër një shteti që godet të rinjtë, që “vret shpresën e tyre, që shtyp e shfrytëzon”. Unë nuk jam e re, por as e vjetër nuk jam, por e kam jetuar kohën e diktaturës kur edhe ushqimet i merrnim me tallon dhe javë të tëra, bile edhe me muaj rrinim pa ngrënë”. Jepi Burrneshë! Por “Burrnesha “pengohet” sakaq: “Unë nuk mund të them që nuk kam qenë e privilegjuar!
Nuk ka faj, ajo përfiton nga mungesa e Bashës, që jo me makinë llogaritëse, por me mend do të bënte llogarinë. Kur një e privilegjuar qëndron me muaj pa ngrënë nga mungesa e ushqimit, po ata të paprivilegjuar nga sa muaj do të kenë qëndruar pa ngrënë? Me siguri, ata do të kenë qëndruar me vite pa vënë gjë në gojë! Kemi parasysh këtu që në kohën e ndërrimit të sistemit “Burrnesha” ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe, por nuk ishte faji i këtij “Oleg Koshevoi” që mosha e saj ishte kaq e re dhe duronte pa ngrënë edhe muaj të tërë.
Por në fund të fundit është e drejta e saj të flasi e të broçkullisi ashtu si t’i vijë për mbarë të tilla “Tralala zura një galë”, por nja dy gjëra që kanë interes nuk na i sqaroi. E dëgjuam dhe fjalimin e saj “madhështor”, dëgjuam edhe entuziazmin dhe gatishmërinë e “debatikasve”. Më shumë se kujtdo tjetër, ky “betim solemn”, “Gjithmonë gati” bëri që të lëvizin menjëherë antenat e “Babale Saliut” i cili, sapo dëgjoi këtë fjalim “historik” dhe këtë gatishmëri të “Komsomolasve” menjëherë e publikoi atë duke fërkuar duart. Më në fund, “klithi” ai, erdhën ditët e tmerrshme të “Shtatorit shqiptar”, kur do të shohim rrëzimin e “narkoshtetit” dhe të “Noriegës”, bandave të krimit e të drogës”. Përkundrazi, Lulzimin as që e “gërvishti” fare ky fjalim kaq “madhështor” i bashkëopozitares dhe me siguri do të jetë kthyer në anën tjetër, duke bërë një gjumë të thellë siç di ai.
Do të vazhdojmë më tej me “Burrneshën”. Që ajo me këta “debatikas” do të rrëzojë këtë “narkoshtet”, këtë e morëm vesh.
Por, nuk na sqaroi, a do t’i çojë ajo në “Gijotinë” “Numrin Një”, që qëndron në krye të këtij “narkoshteti” dhe këtë “Noriegë” që drejton këtë qeveri? Sidoqoftë ata kanë përgjegjësitë e tyre e sidomos “Numri Një”që jo pak zullume ka bërë në çdo funksion që ka qenë. Tjetër!
A kanë të drejtë morale këta “llafollogë” qysh nga “burrnesha” e deri tek ish “Buburrecat” e “Narkoshtetit” që jo vetëm nuk e “qullosën” asnjëherë detyrat që iu ngarkuan me ne krye Numrin Një, por përkundrazi, u shquan vetëm për matrapazllëqe e për korrupsion shumë herë më shumë nga këta që janë sot në këtë qeveri që edhe këta nuk qëndrojnë më prapa tyre.
Po t’i kishte dhënë drejtim “Burrnesha” edhe këtyre paqartësive për të mos i dhënë shkak që të tjerët të hamendësojnë, diçka do të ishte e besueshme “Burrnesha” dhe i besueshëm do të ishte edhe Hymni apo “Marshi i të rinjve kundër të keqes” do të ishte një Internacionale e vërtetë! Përderisa “Burrnesha” nuk i sqaroi këto hamendësime, edhe këtë rradhë “Burrnesha” nuk bëri gjë tjetër, përveçse bëri për të qeshur një copë herë pushuesit në kampin e bukur të Jalës.
Tani presim “Ditët e tmerrshme të shatorit” për të parë se ç’do të bëhet që të na zëvendësojnë “Edmond Begot” që na janë bërë si “burri i dytë i nënës” në ekranet e televizorit, sepse Skënderbeu e të tjera ngjarje me interes janë harruar fare!