Pas një jete të kaluar në fshatin Drizë të Gramshit, Rrahime Çarçiu, 72 vjeç po e përgatit me vështirësi veten për një shpërngulje të detyruar; ajo ende nuk e di se ku do të jetë shtëpia e saj e re. E moshuara është njoftuar se brenda pak muajsh duhet të braktisë shtëpinë-pasuri e një jete, e ndërtuar me sakrifica nga puna e të birit në emigracion.
“Gjithë sa kemi është kjo shtëpi. Nuk dua të iki, por do të na mbulojë uji me gjithçka,” thotë mes ankthit dhe pasigurisë e moshuara.
Shtëpia e Çarçiut gjendet brenda rrezes së liqenit të Devollit, i cili është planifikuar të shërbejë si rezervuar për energjinë që do të prodhohet nga hidrocentrali i ri të Banjës. E lënë përgjysmë si vepër energjetike në vitet e fundit të komunizmit, projekti i HEC Banjës u rivitalizua në vitin 2009 përmes një koncesioni që qeveria shqiptare i dha kompanisë norvegjeze Statkraft, e cila në Shqipëri regjistroi kompaninë Devolli Hydropoëer sh.a.
Ndërtimi për hidrocentralin e Banjës filloi në vitin 1986, por u la përgjysmë me ndryshimet demokratike të viteve ‘90 dhe u rrënua nga grabitja e skrapit. Kompania norvegjeze, fituese e koncesionit ndërtoi në një kohë rekord digën e parë në kaskadë, ndërkohë që kanë në proces atë të Moglicës.
Tashmë rezervuari i Banjës ka filluar të mbushet, në pritje të përfundimit të rrugës së re të Gramshit. Rezervuari duhet të arrijë nivelin 175 m mbi nivelin e detit për të vënë në funksion HEC-in.
Në fund të prillit, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, drejtuesit e kompanisë dhe përfaqësues të pushtetit lokal vlerësuan me nota të larta projektin. Sipas tyre, banorët e zonës do të kenë një rrugë të re dhe më shumë mundësi punësimi.
Megjithatë, jo të gjithë janë të lumtur nga investimi prej qindra miliona eurosh në hidrocentralin e Banjës.
Mbi 150 familje në fshatrat rreth hidrocentralit do të humbin toka, vreshta apo pemë frutore, të cilat do të përmbyten brenda një kohe të shkurtër nga uji i liqenit të Devollit. Prej muajsh, këta banorë janë përfshirë në një proces kompleks shpronësimi, të cilin e kontestojnë si “të pandershëm”.
Mes banorëve të prekur, disa humbin më shumë se të tjerët. Vlerësohet se 34 familje humbin bashkë me tokën edhe shtëpitë, ndërkohë që nëntë prej tyre kanë refuzuar të shpërngulen, e për rrjedhojë kanë mbetur jashtë paketës së shpronësimeve.
Në intervistat për BIRN, banorët ankohen për “vlerësime qesharake” të tokave dhe shtëpive të tyre, ndërsa janë të pasigurtë nëse do të jenë në gjendje të rinisin jetën nga e para. Disa prej tyre rrezikojnë të mbeten të pashpronësuar dhe të rrethuar nga uji, ndërsa të tjerë ankohen se paratë nuk mjaftojnë për të blerë tokë në një vend tjetër.
E pyetur nga BIRN, kompania Devolli Hydropoëer tha se “të gjitha shpronësimet janë bërë në përputhje me rregulloret e qeverisë”, ndërkohë që kompania ka ofruar mbështetje shtesë për ekonomitë familjare që do të preken nga përmbytjet.
Kompania pranoi që familjet të cilat nuk janë përfshirë në programin e tyre social, nuk do të përfitojnë kompensim prej tyre.
“Pjesmarrja në programet sociale të Devoll Hydropoëer/Statkraft është vullnetare. Duke mos marrë pjesë ose pranuar programin, familjet kanë zgjedhur të heqin dorë nga mundësitë për kompensim nga DHP/Statkraft, duke vazhduar vetëm me shpronësimin e qeverisë,” tha një zëdhënës i kompanisë.
“Një m2 tokë sa 1 kg sheqer”
Hidrocentrali i Banjës u konsiderua një mundësi e artë për zhvillimin e zonës dhe një kantier i ri punësimi si nga qeveria e djathtë e Sali Berishës, ashtu edhe nga qeveria e majtë e Edi Ramës. Paralelisht me hidrocentralin, zona e Gramshit do të përfitojë edhe një rrugë të re, punimet e së cilës parashikohet të mbyllen pas tre muajsh.
Megjithatë, banorët e fshatit Drizë thonë se hidrocentrali është kthyer në një burim shqetësimesh për ta. Para se të përcaktoheshin çmimet e shpronësimit, banorët e zonës rreth liqenit të ardhshëm të Devollit përjetuan një periudhë të gjatë pa ujë të pijshëm, për shkak të punimeve në rrugë.
Pasi morën vesh se sa vlen prona e tyre, ata i shqetësohen së ardhmes.
Një vendim i qeverisë i prillit 2016 përcaktoi çmimet për shpronësimin e tokës bujqësore, drurëve frutorë dhe shtëpive të cilat preken nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës dhe i aksit rrugor Cërrik-Gramsh.
Një metër katror tokë u vlerësua nga 170 deri në 222 lekë-shifër të cilët banorët e cilësojnë si qesharake. Për shtëpitë, ata thonë se nuk kanë marrë më shumë se 2.2 milionë-vlerë kjo e pamjaftueshme për të ndërtuar një të re.
Elidon dhe Faslli Kula, përfaqësues të njërit prej fiseve të prekura nga përmbytjet i thanë BIRN se shteti po i trajton njësoj si “refugjatët sirianë”. Ata pohojnë se para zgjedhjeve i kanë mbushur me premtime, ndërsa pas tyre i kanë lënë në mëshirë të fatit.
“T’i marrësh tokën tjetrit, ta paguash sikur të ishte një kilogram sheqer kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, por vetëm në Shqipëri. Le të më japë shteti mua tokë në një vend të jetueshëm, se me kaq para, vetëm të mbytem në liqen,” i tha Elidon Kula BIRN.
Përveç tarifave të qeverisë, banorët kanë përfituar edhe nga programi për kompensim i kompanisë. Devolli Hydropoëer i tha BIRN se mbi 500 familje kishin aplikuar për mbështetje shtesë, por kërkesat e 325 familjeve ishin identifikuar si të drejta.
Sipas kompanisë, gjatë tre mujorit të parë të 2016 janë vënë në dispozicion të banorëve sisteme ujitjeje për dhjetra hektarë, mijëra drurë frutorë dhe qindra kokë bagëti të llojeve të ndryshme. Kompania deklaroi gjithashtu se po investonte në vazhdim në një ujësjellës si dhe në ndërtimin e rrugëve të reja.
Megjithatë, një pjesë e banorëve i thanë BIRN se kanë refuzuar të marrin ndihmë nga kompania.
Bashkim dhe Alime Elezi kanë humbur 4 nga pesë dynym tokë që kishin gjithsej, ndërsa ankohen se fidanët që shpërndan kompania “nuk kanë ku t’i mbjellin”. Me djalin në mërgim dhe vajzën të papunë, ata ndjehen të pashpresë, ndërsa nuk dinë si të rigjejnë ekuilibrin e humbur.
“Ne jemi të pashpresë dhe momentalisht nuk dimë se çfarë do bëjmë. Ne si familje humbëm tokën, por është gjë e madhe që na ngeli shtëpia,” thanë ata.
Njësoj si Elezët, edhe Agron Çarçiu mësoi shtëpia e tij ishte mbi kuotën e përmbytjes. Megjithatë, ai rrezikon të jetojë në mes të ujit.
“Kam punuar 20 vjet në Greqi që të ngre këto shtëpi dhe uji më mbërrin 5 metra nga oborri. Si mendoni se do jetojmë të rrethuar nga uji i liqenit? Më mbetet të blej varkë për të shkuar në shtëpi,” thotë ai.
Faji i askujt
Ndërkohë që pjesa më e madhe e banorëve kanë pranuar të pakënaqur kompensimet, një numër më i vogël familjesh refuzon të shpërngulet, duke sfiduar si kompaninë ashtu edhe qeverinë. Përfaqësues të pushtetit lokal i thanë BIRN se janë 9 familje të cilat kanë refuzuar kompensimet për shkak të vlerës së tyre të ulët.
Kompania Devolli Hydropoëer thotë se numri i familjeve refuzuese është gjashtë.
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri tha gjatë vizitës së tij në hidrocentralin e Banjës se po punohet për të gjetur një zgjidhje për ato familje që rrezikojnë të humbin gjithçka.
“Disa familje nuk pranuan të shpronësohen dhe për mua bënë gabim. Tani kanë shprehur dëshirën që të futen në skemën e shpronësimit dhe sistemimit. Po punojmë me kompaninë Startkraft,” tha ai.
Në të njëjtën linjë me ministrin, edhe kryetarja e bashkisë së Gramshit, Luljeta Dollani tha se është në komunikim të vazhdueshëm me Devoll Hydropoëer për gjetjen e një zgjidhjeje për ta. Ajo shtoi se nëntë familjeve u janë ofruar alternativa të tjera kompensimi, të cilat ende nuk i kanë pranuar.
Kompania Devoll Hydropoëer pranon se është përballur me kundërshtime, ndërsa i tha BIRN se “gjashtë familje kanë refuzuar ofertën për shpërnguljen e vendbanimit”.
“Negociatat janë ende në vazhdim me disa banorë,” tha zëdhënësja e kompanisë.
Në fshatin Drizë, banorët duken të braktisur dhe të dorëzuar. Të zhgënjyer nga vlera minimale e tokës dhe nga humbja e shtëpive të shpronësuara për një grusht para, ata presin ende një zgjidhje nga shteti.
“Nuk zgjodhëm vetë të iknim nga këtu. Shteti na shpërnguli dhe duhet të na trajtojë me dinjitet,” thonë njëzëri ata.
BIRN/ Javanews/ a.k