Sot qytetarët e Tiranës kanë marrë një letër nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes të cilës ai i falenderon me mirënjohje për mbështetjen e besimit që i kanë dhënë në këto dy vite, por nga ana tjetër i fton që, të Dielën, më 25 qershor, t’i japin një dorë Kryeministrit Edi Rama për një mandat të dytë qeverisës.
Në letrën e tij drejtuar të gjitha familjeve të Tiranës, të cilat e zgjodhën kryebashkiak në 2015, Veliaj u shpjegon se vota për Edi Ramën është një vonë për më shumë investime në kryeqytet, duke iu kujtuar se falë mbështetjes që Kryeministri i ka dhënë Bashkisë së Tiranës, sot qyteti është më i dashur, më i pastër, më i gjelbër, me kopshte e çerdhe të standardeve më të larta, me parqe, kënde lojërash e hapësira sportive në shumë zona ku, deri dje, për më të moshuarit e për fëmijët, kishte vetëm makina, gropa, pluhur.
“Këndi i Lojërave te Liqeni mundi zhurmën dhe u pasua nga 17 të tjerë nëpër lagje. Pazari i Ri nuk është më një rrënojë e zhytur në baltë e pisllëk, por një nga destinacionet më të bukura të Tiranës. Bulevardi i Ri nuk është më një projekt i braktisur rrugëve dhe tashmë, segmenti i parë i kësaj vepre të madhe të Tiranës ka përfunduar. Parku Olimpik nuk është më një gërmadhë e braktisur, por një mjedis sportiv europian në çdo aspekt, ndërkohë që Sheshi Skënderbej u është rikthyer qytetarëve, si një zemër e hapur mikpritëse e Shqipërisë së shekullit të ri”, shkruan Veliaj.
Ai i falenderon personalisht të gjithë qytetarët që i dhanë mundësinë unike për të shërbyer si administrator i kryeqytetit, por sipas tij, arritjet e deritanishme në Tiranë do të ishin të pamundura pa vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e pakursyer të Edi Ramës!
“Me Edi Ramën kryeministër ne do të ndërtojmë 17 shkolla të reja, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne; do të hapim Bulevardin e Ri në të gjithë gjatësinë e tij prej 1.7 kilometrash, duke sjellë zhvillim ekonomik dhe duke hapur mijëra vende të reja pune; do të përfundojmë Pyllin Orbital, i cili me mbi 2 milionë pemë të mbjella do të jetë jo vetëm një park i jashtëzakonshëm për qytetarët, por edhe mushkëria e gjelbër e Tiranës; do të ndërtojmë Terminalin Perëndimor dhe Unazën e Madhe, duke i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë problemit të qarkullimit në Tiranë. Për të rinjtë do të transformojmë Piramidën në një qendër moderne kulturore, kurse për fëmijët do kemi edhe një Kopësht Zoologjik e Botanik, më të bukurin në rajon, e plot të tjera që presin mbështetjen e qeverisë”, thotë ai.
Por, që ta kemi këtë mbështetje sa më të madhe, shkruan Veliaj, kjo është në dorë të qytetarëve, të cilët në 25 Qershor do të votojnë jo vetëm për Shqipërinë që duam, por edhe për këto projekte të mëdha e për të ardhmen e Tiranës që duam.
“Ja pra, është shumë e thjeshtë pse gjithçka varet nga vota juaj! Prandaj, po ju kërkoj nderin që do të më ndihmonte mua dhe do të na ndihmonte të gjithëve ne pafund, në rrugën e përpjekjes së madhe që po bëjmë së bashku: Nëse doni që puna në Tiranë të mos pushojë as ditën e as natën, atëherë Votoni të bashkuar në kutinë e numrit 2! Sepse flamuri i punës në Tiranën tonë vlen më shumë se çdo flamur partie. Votoni për Edi Ramën! Sepse vota për ta mbajtur Edi Ramën kryeministër, i vlen Tiranës dhe Familjes sonë të Madhe kryeqytetase, më shumë se të gjitha votat për të gjitha partitë bashkë! Votoni për Tiranën që duam, me shtet, punë dhe mirëqenie dhe çka ne do të bëjmë së bashku me Edi Ramën, do të jetë shumë më shumë nga çka kemi bërë deri këtu”, e mbyll ai letrën për familjet tiranase.
Letra e plotë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
Dy vjet më parë, Edi Rama dhe Partia Socialiste më ngarkuan të kërkoj besimin Tuaj për ta zgjuar Tiranën nga gjumi rrënues e për ta rikthyer në drejtimin e duhur. Këto dy vjet kanë qenë, besoj, prova kuptimplotë e fuqisë që ka vota Juaj! Pa votën Tuaj për mua dy vjet më parë, sot Tirana nuk do të ishte një hapësirë ku vlon puna, ku buron çdo ditë e më shumë energjia pozitive e rilindjes së kryeqytetit dhe ku njerëzit ndjehen së bashku, në qendër a në periferi, pjesë e një transformimi entuziazmues në çdo cep të bashkisë sonë të re.
Qyteti është sot më i dashur, më i pastër, më i gjelbër, me kopshte e çerdhe të standardeve më të larta, me parqe apo kënde lojërash e hapësira sportive në shumë zona ku, deri dje, për më të moshuarit e për fëmijët, kishte vetëm makina, gropa, pluhur. Kemi rehabilituar rrugë, shkolla e blloqe banimi, kemi përmirësuar ndjeshëm transportin publik dhe kemi realizuar projekte të mëdha që po e shndërrojnë kryeqytetin tonë në lokomotivën e fuqishme të ndryshimit, me moton: Ç̧do ditë një punë konkrete për Tiranën!
Këndi i Lojërave te Liqeni mundi zhurmën dhe u pasua nga 17 të tjerë nëpër lagje. Pazari i Ri nuk është më një rrënojë e zhytur në baltë e pisllëk, por një nga destinacionet më të bukura të Tiranës. Bulevardi i Ri nuk është më një projekt i braktisur rrugëve dhe tashmë, segmenti i parë i kësaj vepre të madhe të Tiranës ka përfunduar. Parku Olimpik nuk është më një gërmadhë e braktisur, por një mjedis sportiv europian në çdo aspekt, ndërkohë që Sheshi Skënderbej u është rikthyer qytetarëve, si një zemër e hapur mikpritëse e Shqipërisë së shekullit të ri.
Sot, po Ju shkruaj t’Ju falenderoj me mirënjohjen më të thellë për mundësinë unike që më dhatë për të shërbyer si administrator i kryeqytetit të atdheut tonë.
Por, më lejoni t’ju them sinqerisht, se të gjitha këto arritje do të ishin të pamundura pa vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e pakursyer të Edi Ramës! Dhe që ne të bëjmë Tiranën që duam, është jetike që këtë mbështetje të pazëvendësueshme ta sigurojmë edhe për katër vitet që vijnë. Vetëm një kryeministër si Edi Rama, që e di në mendje e në zemër punën sfiduese të Bashkisë dhe që me Tiranën është i lidhur pazgjidhshmërisht, mund të na përgjigjet ditë e natë për nevojat tona të panumërta.
Me Edi Ramën kryeministër ne do të ndërtojmë 17 shkolla të reja, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne. Do të hapim Bulevardin e Ri në të gjithë gjatësinë e tij prej 1.7 kilometrash, duke sjellë zhvillim ekonomik dhe duke hapur mijëra vende të reja pune. Do të përfundojmë Pyllin Orbital, i cili me mbi 2 milionë pemë të mbjella do të jetë jo vetëm një park i jashtëzakonshëm për qytetarët, por edhe mushkëria e gjelbër e Tiranës. Do të ndërtojmë Terminalin Perëndimor dhe Unazën e Madhe, duke i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë problemit të qarkullimit në Tiranë. Për të rinjtë do të transformojmë Piramidën në një qendër moderne kulturore, kurse për fëmijët do kemi edhe një Kopësht Zoologjik e Botanik, më të bukurin në rajon, e plot të tjera që presin mbështetjen e qeverisë.
Por, që ta kemi këtë mbështetje sa më të madhe, e keni në dorë ju! Sepse në datën 25 Qershor ju do të votoni jo vetëm për Shqipërinë që duam, por edhe për këto projekte të mëdha e për të ardhmen e punëve tona për Tiranën që duam.
Ja pra, është shumë e thjeshtë pse gjithçka varet nga vota juaj! Prandaj, po ju kërkoj nderin që do të më ndihmonte mua dhe do të na ndihmonte të gjithëve ne pafund, në rrugën e përpjekjes së madhe që po bëjmë së bashku: Nëse doni që puna në Tiranë të mos pushojë as ditën e as natën, atëherë Votoni të bashkuar në kutinë e numrit 2! Sepse flamuri i punës në Tiranën tonë vlen më shumë se çdo flamur partie. Votoni për Edi Ramën! Sepse vota për ta mbajtur Edi Ramën kryeministër, i vlen Tiranës dhe Familjes sonë të Madhe kryeqytetase, më shumë se të gjitha votat për të gjitha partitë bashkë! Votoni për Tiranën që duam, me shtet, punë dhe mirëqenie dhe çka ne do të bëjmë së bashku me Edi Ramën, do të jetë shumë më shumë nga çka kemi bërë deri këtu.
Juaji me shumë mirënjohje,
Erion Veliaj
a.ç