• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, September 15, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Një letër pa kohë….

(Drejtuar tim BIRI)

by S T
15/09/2026 12:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga ILIR ÇUMANI

Sot, ti ke ditën tënde të lindjes, biri im, por mua kjo ditë më kthen pas në kohë, te dita kur erdhe në jetë dhe zëri yt i parë më ndryshoi përgjithmonë kuptimin e fjalës “baba”.

Kanë kaluar 29 vite dhe, në kujtesën time, koha nuk ecën gjithmonë përpara. Ka çaste kur ajo kthehet pas, hesht, ulet pranë meje dhe më sjell tek ty, siç ishe atëherë: një vogëlush me sytë plot dritë, me duart e vogla që më kërkonin dorën dhe me atë pafajësinë e bukur të fëmijës më thoshte me sy: “Babi, dua të vij me ty në punë.”

Ishin çaste të zakonshme, ndoshta, për një fëmijë, por për mua u bënë kujtime që koha nuk ka mundur t’i zbehë. Sot e kuptoj se aty, në ato duar të vogla që më kapeshin fort, nisi një nga lidhjet më të thella të jetës sime.

Atëherë ti kishe nevojë për mua që të të tregoja rrugën. Sot, duke të parë, kuptoj se, në shumë mënyra, ti ke qenë ai që më ke mësuar mua të eci nëpër të.

Të bëhesh baba nuk është vetëm të sjellësh një fëmijë në jetë. Është të rilindësh edhe vetë bashkë me të; të mësosh të kesh frikë për dikë tjetër, të gëzohesh për dikë tjetër, të lutesh për dikë tjetër dhe, mbi të gjitha, të kuptosh se zemra mund të jetojë jashtë kraharorit tënd.

Një pjesë e imja ka jetuar gjithmonë tek ti.

Sot, përpara meje, nuk qëndron më ai vogëlushi që kërkonte dorën time, por një djale i maturuar dhe i bërë burrë i ri, i formuar, me mendje të hapur, me shpirt të pastër dhe me mënyrën tënde për ta parë jetën.

Si baba, nuk ka dhuratë më të madhe sesa të shoh te biri cilësi që nuk maten me pasuri. Më bën krenar mënyra si je rritur, mënyra si ke ditur të ndërtosh veten me durim, të ecësh me këmbët e tua dhe të ruash atë pastërti të brendshme që është bërë gjithnjë e më e rrallë në kohën e sotme.

Në jetë do të vazhdosh të takosh shumë njerëz. Disa do të të duan, disa do të të vlerësojnë, disa do të të zhgënjejnë dhe disa, ndoshta, do të përpiqen të të bindin se njeriu duhet të bëhet i fortë duke u bërë i ftohtë.

Mos i beso kësaj të fundit.

Ruaje zemrën që ke, Ilvi. Jo sepse bota është gjithmonë e butë, por sepse mirësia nuk është dobësi. Të jesh i ndjeshëm nuk do të thotë të jesh i pambrojtur. Të jesh i përulur nuk do të thotë të mos e dish vlerën tënde. Të jesh i fortë nuk do të thotë të lëndosh.

Forca e vërtetë është kur të jepet mundësia të bësh keq, por zgjedh të mos e bësh.

Mos e mat kurrë veten me atë që kanë të tjerët dhe mos e krahaso rrugën tënde me rrugët e askujt. Secili njeri ka kohën e vet, betejat e veta dhe plagët që nuk duken.

Lakmia, zilia, egoizmi dhe ambicia e verbër mund t’i japin njeriut shumë gjëra në duar, por mund t’i marrin, pa u ndier, atë që është më e çmuar: paqen e shpirtit.

Mos e shkëmbe kurrë qetësinë e ndërgjegjes me një sukses që duhet paguar shtrenjtë, sepse pasuria më e madhe e njeriut është kur mund të shtrihet në fund të ditës dhe të mos ketë turp nga vetja.

Nëse një ditë jeta të vendos përpara zgjedhjeve të vështira, zgjidh atë që të lejon të mbetesh njeri. Mund të mos jetë gjithmonë rruga më e shpejtë, më e lehtë apo më fitimprurëse, por do të jetë ajo që do të mund ta shikosh pas shumë vitesh pa ulur sytë.

Mbaje fjalën. Respektoje tjetrin. Mos e përdor mirësinë e askujt si dobësi dhe mos e shfrytëzo besimin që dikush të ka dhënë.

Në një botë ku shumë njerëz kërkojnë të duken, ti përpiqu të jesh vetvetja dhe kur të kesh mundësi të ndihmosh dikë, bëje. Jo për t’u parë, jo për t’u lavdëruar dhe as për të marrë diçka në këmbim.

Një dorë e zgjatur në kohën e duhur, një fjalë e mirë kur dikush është duke u rrëzuar, një prani njerëzore kur tjetri ndihet vetëm, ndonjëherë vlejnë më shumë se çdo pasuri.

Bujaria e vërtetë nuk bën zhurmë, por ndodh në heshtje dhe mbetet gjatë në zemrën e atij që e ka përjetuar.

E di se je në një moshë kur njeriu kërkon të ndërtojë gjithçka të vetën: emrin, profesionin, familjen, ëndrrat, vendin e tij në botë.

Unë nuk dua të të jap një hartë për jetën, sepse rrugën tënde duhet ta gjesh dhe ta zgjedhësh vetë. Por dua vetëm të të lë disa fjalë që mund t’i kujtosh në ditët kur rruga do të bëhet e mjegullt:

Mos u tremb nga dështimet.
Mos u turpëro nga gabimet.
Mos e humb veten duke u përpjekur t’u pëlqesh të gjithëve.

Njeriu nuk rritet vetëm atëherë kur fiton, por shpesh rritet më shumë atëherë kur rrëzohet dhe gjen forcën të ngrihet përsëri.

Nëse ndonjëherë do të ndihesh i lodhur nga jeta, kujtohu se nuk ke pse të jesh gjithmonë i fortë.

Edhe burrat lodhen. Edhe burrat kanë nevojë për një përqafim, për një fjalë, për dikë që t’u thotë: “Jam këtu.”

Dhe nëse një ditë do të kthehesh pas dhe do të kërkosh atë dorën që dikur e shtrëngoje si fëmijë, dije se, për aq sa do të kem jetë, ajo dorë do të jetë aty për ty.

Sot, në ditëlindjen tënde të 29-të, nuk dua të të uroj vetëm shëndet, suksese dhe jetë të gjatë, por diçka më të madhe:

Të mos e humbasësh kurrë njeriun që ke brenda vetes.

Të kesh guximin të ndjekësh atë që beson, mençurinë të pranosh kur gabon, forcën që të largohesh nga ajo që të dëmton dhe, mbi të gjitha, të ruash një zemër të hapur ndaj dashurisë, miqësisë dhe mirësisë, sepse jeta nuk matet vetëm me atë që arrijmë, por edhe me njeriun që zgjedhim të mbetemi gjatë rrugës.

Dua, me këtë rast, të të them edhe diçka që ndoshta nuk ta kam thënë aq shpesh sa duhet:

Faleminderit, Ilvi.

Faleminderit që më bëre baba.
Faleminderit që, pa e ditur, më rrite edhe mua.

Me ardhjen tënde në jetën time, unë nuk fitova vetëm një djalë, por edhe një arsye të re për të parë përpara.

Ti më mësove se dashuria e një prindi nuk është një ndjenjë kalimtare që vjen dhe shkon, por është një pjesë e qenies; një dritë që mbetet ndezur edhe kur fëmija rritet, largohet, ndërton jetën e vet dhe bëhet burrë.

Sot ti je 29 vjeç, por në një cep të zemrës sime do të mbetesh gjithmonë ai fëmijë i vogël që më kapte dorën dhe donte të vinte me mua.

Ndoshta kjo është një nga mrekullitë më të mëdha të kohës: fëmijët rriten, ndryshojnë, bëhen burra e gra, ndërtojnë jetën e tyre, por në zemrën e prindit ata nuk plaken kurrë.

Prandaj, biri im, ec dhe mos u ndal.

Ec me kokën lart, por me zemrën të përulur.
Ec i sigurt, por mos harro të dëgjosh.
Ec drejt ëndrrave të tua, por mos shkel mbi askënd për t’i arritur.

Dhe në çdo vend ku jeta do të të çojë, përpiqu të lësh pas vetes pak më shumë dritë sesa gjete.

Edhe 100 Bir!

Qofsh i shëndetshëm, i qetë në shpirt, i fortë në karakter dhe i rrethuar nga njerëz që të duan për atë që je, jo për atë që ke.

Qofsh gjithmonë një bekim për ata që do të kenë fatin të të kenë pranë, ashtu siç ke qenë ti një nga bekimet më të mëdha të jetës sime.

Nëse një ditë, shumë vite më vonë, këto fjalë bien përsëri në duart e tua, dua që të mos lexosh vetëm një letër të shkruar nga babai yt, por të dëgjosh zërin tim.

Zërin e atij babai që të ka parë të rritesh, që ka qenë krenar për ty, që është shqetësuar për ty, që ndoshta ka gabuar ndonjëherë, por që të ka dashur gjithmonë me atë dashuri që nuk kërkon asgjë në këmbim.

Dashuria ime për ty nuk është një urim ditëlindjeje, as një fjali e bukur e shkruar në një letër, por diçka shumë më e thellë. Është një pjesë e jetës sime që ka marrë formën tënde. Dhe për sa kohë të jem, do të jetë gjithmonë aty.

Gëzuar, biri im.

Edhe 100 vite të tjera, me dritë në sy, paqe në zemër dhe dinjitet në çdo hap.

Me gjithë dashurinë e një babai, të uroj:

BEKIME

Tiranë, e hënë, 14 shtator, 2026

Next Post
SPAK përfundon parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Në qeli prej 2024-ës, lihet në burg ish-presidenti Meta

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

VIDEO/ Çmimet në Gjermani që habisin shqiptarët: Qumësht, makarona e djathë nën 1 euro

VIDEO/ Çmimet në Gjermani që habisin shqiptarët: Qumësht, makarona e djathë nën 1 euro

September 15, 2026
Erion Veliaj lë paraburgimin, kontroll mjekësor në një spital privat

Drejtësia, si flamur i flamingove?

September 15, 2026
Kur bëhet regjistrimi/ Universitetet publikojnë listat e fituesve: Ja ku mund t’i shikoni përgjigjet

Arkitektura dhe urbanistika më të kërkuarat, plotësohen 70% e kuotave në Universitetin Politeknik

September 15, 2026
“Dënimi shkund themelet e Kosovës”, UÇK ‘zbarkon’ në Hagë: Besojmë në lirimin e komandantëve

“Dënimi shkund themelet e Kosovës”, UÇK ‘zbarkon’ në Hagë: Besojmë në lirimin e komandantëve

September 15, 2026
GJL prish vendimin e Apelit, kthehet për rigjykim dosja e atentatit me snajper në burg

GJL prish vendimin e Apelit, kthehet për rigjykim dosja e atentatit me snajper në burg

September 15, 2026
SHBA thirrje Evropës dhe Kanadasë: Merrni përgjegjësinë për mbrojtjen konvencionale

SHBA thirrje Evropës dhe Kanadasë: Merrni përgjegjësinë për mbrojtjen konvencionale

September 15, 2026
I njohur për arratisjet spektakolare/ Si arriti Alket Rizai të merrte 16 leje nga burgu grek?

I njohur për arratisjet spektakolare/ Si arriti Alket Rizai të merrte 16 leje nga burgu grek?

September 15, 2026
Procesi ndaj Thaçit në Hagë, ambasadori kroat: Të shikohet në kuadrin juridik

Procesi ndaj Thaçit në Hagë, ambasadori kroat: Të shikohet në kuadrin juridik

September 15, 2026
Tensionet Tiranë-Prishtinë, Ahmeti zbulon përpjekjet me Ramën për të dalë nga kriza me Kurtin

Demokracia, kujtesë për vlerën e lirisë

September 15, 2026
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është përndjekja politike ndaj Erion Veliajt

September 15, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com