Oliver Jens Schmitt
Në këtë shkrim, historiani Oliver Jens Schmitt gjurmon historinë e qytetit të Shqipërisë së Veriut, Drishtit. Ai tregon se si në skaj të botës malore shqiptare u zhvillua një qendër e arsimit katolik dhe kulturës latine, e cila manovroi politikisht mes Venedikut, princërve serbë dhe Perandorisë Osmane, derisa u shkatërrua në vitin 1478.
***************************************
Katastrofa u përplas mbi qytet më 1 shtator 1478. Pas bombardimeve disaditëshe me artileri të rëndë, mbrojtësit e fundit të krishterë të qytetit malor të Shqipërisë së Veriut, Drishtit, iu dorëzuan rrethatuesve osmanë. Me urdhër të Sulltan Mehmetit të II-të, pushtuesit të Bizantit, të burgosurit u ekzekutuan para mureve të metropolit të Shqipërisë së Veriut, Shkodrës, e cila po u bënte osmanëve një rezistencë të ashpër. Kështu përfundoi historia e një qyteti krejtësisht të jashtëzakonshëm.
Shqipëria e Veriut sot është e njohur mirë për udhëtarët austriakë, dhe Lugina e Valbonës gjatë verës shndërrohet në një kamp të vërtetë ecjeje për alpinistët nga Europa Qendrore dhe Veriore. Pakkush e di se çfarë thesaresh kulturore humbasin kur udhëtojnë direkt nga Shkodra drejt shtigjeve të tyre të ecjes.
Afër dhjetë kilometra larg Shkodrës ndodhet fshati Drisht. Siç ndodh shpesh në Shqipëri, orientimi bëhet i vështirë edhe në afërsi të qyteteve të mëdha, sapo largohesh nga rruga kryesore. Dhe pasi qeveria shqiptare pothuajse nuk bën asgjë për t’i bërë të vizitueshme thesaret kulturore në veri, Drishti vazhdon të bëjë një gjumë të patrazuar.
Qendër arsimore katolike në skaj të botës malore
Megjithatë, këtu në Mesjetë u ngrit një qendër e kulturës katolike dhe e gjuhës latine. Drishti, në latinisht Drivastum, përmendet si ipeshkëvi më vete që në shekullin e 10-të. Qyteti ndodhet në hyrje të botës malore shqiptare. Ai është i ndarë në një qytet të poshtëm, sot një fshat i vogël, dhe në qytetin e sipërm, sot një zonë rrënojash drejt së cilës nuk ka një rrugë të mirëfilltë.
Vizitorët duhet të ngjiten mbi shkëmbinj dhe shkurre në kurrizin e kodrës, nga i cili hapet një pamje madhështore: drejt maleve të veriut në njërin krah, drejt Shkodrës dhe Liqenit të Shkodrës në krahun tjetër; dhe larg në perëndim ndjehet Adriatiku, prej nga në Mesjetë galerat venedikase lundronin lart lumit që në shqip quhet Buna dhe në serbo-malazeze Bojana.
Osmanët kishin shkatërruar një qytet që numëronte kisha të shumta katolike, shtëpi fisnikësh, pallatin e guvernatorit venedikas, fortifikime masive dhe gjithashtu një shkollë latine. Për këtë të fundit, Drishti ishte gjerësisht i njohur në Mesjetë. Sepse në të u arsimuan disa breza me radhë të priftërinjve katolikë, të cilët gjetën punë si mërgimtarë në Dalmaci, veçanërisht në Dubrovnik, por edhe në qendrat minerare në brendësi të Ballkanit, ku kujdeseshin për minatorët gjermanë dhe tregtarët e Dubrovnikut.
Drishti shquhej si pararojë e kulturës katolike dhe gjuhës latine brenda Ballkanit, i cili në fqinjësinë e afërt të qytetit ishte i ndikuar nga ortodoksia dhe sllavët e jugut. Kuvendi i katedrales katolike zotëronte statutet e veta, të cilat janë ruajtur dhe dëshmojnë se njerëzit në skaj të maleve shqiptare merrnin pjesë në kulturën e kishës universale romake. Kleri katolik e shihte veten shprehimisht si pararojë të kishës katolike përballë botës ortodokse të Ballkanit.
Klerikët luanin gjithashtu një rol të madh në jetën politike dhe ekonomike të qytetit, aq sa, me pak ekzagjerim, flitej për një “komunë priftërinjsh”. Në fakt, klerikët shërbenin si noterë dhe mbledhës taksash, gjithashtu ata përfaqësonin qytetin e tyre si diplomatë në vendet e huaja.
Mes migrimit, shumëgjuhësisë dhe autonomisë qytetare
Drishti merrte pjesë pak në tregtinë e madhe të karvaneve mes bregdetit të Adriatikut dhe Kosovës. Banorët e tij jetonin nga vreshtaria, që konsiderohej produkti më i rëndësishëm, bujqësia dhe blegtoria. Migrimi i punëtorëve ishte prandaj i domosdoshëm, dhe këtu qyteti zinte një pozicion unik, sepse dërgonte mërgimtarë shumë të arsimuar. Ata integroheshin lehtë si në qytetet e Dalmacisë ashtu edhe në despotatin (principatën) serbe, sepse i njihnin mirë të dyja botët politike.
Drishti ishte i organizuar si komunë qytetare, me ligjin e vet qytetar, autoritete të zgjedhura dhe fisnikëri vendase. Siç duket, popullsia romane (neolatine) përbënte një pjesë të konsiderueshme në një mjedis kulturor ku flitej shqip, serbisht dhe po ashtu romanishtja e Ballkanit, kjo e fundit flitej nga barinj gjysmë-nomadë (vllehë) dhe qytetarë të ngulitur. Në Drisht, trashëgimia e Perandorisë Romake mbijetoi kështu në aspektin gjuhësor.
Politikisht, qyteti përjetoi kohë të trazuara në fund të Mesjetës. Nga fundi i shekullit të 12-të ai ishte nën sundimin e dinastisë serbe të Nemanjiçëve, por pushteti i tyre ishte jashtë zonës etnike të banuar me serbë, prandaj ishte më tepër i natyrës formale. Kur perandoria jetëshkurtër serbe u shpërbë përfundimisht pas vitit 1371, bashkësia qytetare u desh të mbijetonte mes familjeve fisnike rajonale si Balshajt, despotëve serbë nga dinastitë e Lazareviçëve dhe Brankoviçëve, si dhe fuqive të mëdha të kohës, Venecdikut dhe Osmanëve.
Mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane: Rënia e Drishtit
Venediku e kishte marrë qytetin në vitin 1396 nga një i Balshajve, megjithatë principata serbe u përpoq për gjysmë shekulli të mbante pushtetin mbi qytetin. Republika e Shën Markut (Venedikut) zotëronte, po ashtu që nga viti 1396, Shkodrën fqinje. Por pa Drishtin ky zotërim nuk vlente asgjë, këtë e dinin senatorët venedikas, sepse qyteti ndodhej afër rrugës së madhe të karvaneve, nëpërmjet së cilës argjendi i Kosovës transportohej drejt bregdetit dhe në drejtim të kundërt kripa e çmuar drejt brendësisë së vendit që nuk kishte kripë. Despotët serbë, nga ana tjetër, shpresonin të siguronin qasje në Adriatik përmes Drishtit.
Qytetarët e Drishtit jo vetëm që mbanin distancë nga ortodoksët në fqinjësinë e tyre, ata donin gjithashtu të mbanin edhe shqiptarët jashtë jetës së tyre ekonomike – me këtë nënkuptoheshin kryesisht anëtarët e fiseve të Shqipërisë së Veriut, të cilët po formoheshin ngadalë në shekullin e 15-të. Edhe me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i cili atëherë organizonte qëndresën shqiptare kundër osmanëve, qyteti nuk donte të kishte punë.
Elita qytetare, e cila dhjetë vjet pas marrjes së pushtetit nga Venediku ishte revoltuar kundër presionit të ri tatimor, rreth vitit 1450 nuk shihte asnjë zgjedhje tjetër veçse të merrej vesh me Republikën e Shën Markut. Në vitin 1459 osmanët kishin asgjësuar despotatin serb; fisniku më i fuqishëm shqiptar në malësi, Lekë Dukagjini, ishte tmerri i banorëve të qyteteve të veriut; dhe si katolikë, drishtasit nuk shihnin asnjë mundësi për marrëveshje me osmanët.
Prandaj qyteti refuzoi të dorëzohej kur në verën e vitit 1478 një ushtri gjigante osmane nën Mehmetin e II-të rrethoi Shkodrën dhe shkatërroi sistematikisht të gjitha qytezat rrotull. Mbrojtësit rezistuan me guximin e dëshpërimit. Guvernatori i përgjithshëm i Rumelisë (dmth. i Ballkanit osman) humbi gishtin e madh të këmbës nga një tejshpim; por shpejt nën zjarrin e artilerisë osmane u shembën muret e qytetit të poshtëm.
Komandanti i qytetit, një anëtar i familjes fisnike Hungaro, ra në luftim. Mbrojtësit u tërhoqën në qytetin e sipërm. Por kur osmanët u ngjitën në malet përballë dhe hapën zjarr që andej, drishtasit humbën guximin dhe hapën portat. Sipas ligjit islamik të luftës, ata vështirë se mund të shpresonin për mëshirë, pasi kishin refuzuar dorëzimin pa luftë.
Drishti i shpopulluar nuk u ri-popullua më nga osmanët, qyteti atyre u dukej shumë i parëndësishëm. Kujtimi për Drishtin e krishterë u ruajt shumë në Venedik nga refugjatët politikë, të cilët vepruan në fushën e botimeve në Italinë e Rilindjes – latinishten e tyre të përsosur e kishin sjellë me vete nga vendlindja. Arsimi ua lehtësoi atyre integrimin në një atdhe të ri.
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe drejton kërkimet ballkanike në Institutin për Kërkimin e Monarkisë Habsburgase dhe Hapësirës Ballkanike të Akademisë Austriake të Shkencave. Ky tekst u botua në blogun e historisë të gazetës austriake “Der Standard”.
Përktheu: Enver Robelli











