Prodhuesit e Kosovës kanë ngritur shqetësimin se ditëve të fundit autoritetet e Shqipërisë janë duke aplikuar barrierat tarifore e jo-tarifore për prodhimet e Kosovës që eksportohen drejt Republikës së Shqipërisë.
Sipas tyre barrierat tregtare më të theksuara janë në produktet bujqësore, farmaceutike dhe të birrës.
Këtë e ka konfirmuar për median kosovare, KosovaPress, drejtori ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili ka thënë se këto probleme duhet të zgjidhen deri me datën 31 mars, ose në të kundërtën, së bashku me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë do të organizojnë protesta në bllokimin e dy anëve të kufirit.
Ndërsa, ministri i MTI, Bajram Hasani paralajmëron se do të ndërmarrin masa për këto pengesa ndaj prodhuesve kosovarë.
“Duhet cekur që Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunim ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Mirëpo, progresi i shënuar deri me tani lë shumë për të dëshiruar. Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreson që këto probleme do të zgjidhen deri me datën 31 mars 2018. Në të kundërtën, së bashku me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë do të organizojmë protesta në bllokimin e dy anëve të kufirit”, ka thënë Panxha.
Ai ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria gjatë viteve të fundit kanë arritur disa marrëveshje për nxitje të ndërmjetësimit të tregtisë, të cilat nuk mund të thuhet se janë plotësuar plotësisht, ashtu siç është negociuar dhe zotuar nga të dy qeveritë.
Në këtë aspekt, sipas Panxhes, ka ende hapësirë që të bëhet një fuqizim më i madh i raporteve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kur kihet parasysh se ka shumë fusha dhe shumë produkte, ku të dyja vendet janë konkurruese, dhe mund ta plotësonin tregun e njëra tjetrës me produkte specifike, e në veçanti me ato sezonale.
Panxha ka ka thënë se nga aspekti i këmbimit tregtar Kosova në këtë faze të zhvillimit kryesisht ka relevancë importuese duke pasur parasysh nivelin e ulet të mbulimit të importit me eksport.
Sipas të dhënave në dispozicion në vitin 2017 Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milionë euro.
Sipas tij, nga këto të dhëna shihet qartazi se produktet e Shqipërisë janë duke depërtuar shumë më lehtë në tregun e Kosovës sesa produktet e Kosovës në tregun shqiptar.
“Barrierat tregtare më të theksuar janë në produktet bujqësore. Kemi mjaft raste ku raporti i analizave në kualitet i lëshuar nga laboratorët relevant të Kosovës nuk njihet nga autoritetet e Shqipërisë. Kemi edhe aplikim të çmimeve referente ndaj produkteve bujqësore me orgjinë kosovare më se shumti me rastin e patateve, mielli etj. Prodhuesit nga Kosova kanë probleme që kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fito sanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos. Këto janë problemet reale të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët”, ka thënë drejtori i KPK duke shtuar se akciza në birrë- aktualisht, Republika e Shqipërisë ka të përcaktuar kuota për birrën, nga e cila janë të ndikuar prodhuesit e birrës në Kosovë (ka tegoria B000 Birra, Kodi: NK 2203).
Sipas tij, KPK-ja ka kërkuar shfuqizimin e kuotave dhe tarifave për import nga Kosova, si p.sh për prodhimin e birrës. Për momentin kjo kuotë është 200 mijë hektolitra dhe nëse tejkalohet nga një prodhues nga Kosova, tarifa në akcizë dyfishohet duke i bërë prodhimet e Kosovës jo-konkurrente.
Klubi ka kërkuar që të aplikohet politika tregtare e njëjtë siç aplikohet nga ana e Kosovës për birrën e importuar nga Shqipëria. Ligji për akcizat ne Republikën e Shqipërisë është munduar te përpilohet në përputhje me Direktivën e Këshillit Evropian, përkatësisht Council Directive 92/83/EEC e datës 19.1.1992.
“Qëllimi i kësaj direktive, është promovimi i tregut konkurrent me fokus në mbrojtjen e prodhuesve të vegjël. Derisa në tregjet e Bashkimit Evropian, në shtetet që e kanë sistemin e njëjtë (dy shkallës), prodhuesit qe hynë shkallen e ulët asnjëherë nuk përbëjnë më shumë se 5% të tregut. Ndërsa, në Shqipëri është tërësisht e kundërta, ku prodhuesit të cilët zotërojnë deri në 25 përqind të tregut mbrohen nga ky ligj. Andaj, ne mund të përfundojmë se ligji në fuqi është diskriminues ndaj birrës së prodhuar në Kosovë, si dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s. Po ashtu, gjatë sezonit të verës, ka një rritje të kërkesës për birrën nga Kosova. Vonesat e shkaktuara nga pritjet e gjata dhe kostove shtesë shumë lehtë mund të ndikojë në humbjen e tregut në Shqipëri si rrjedhojë e mos-qenit prezent në treg për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve shqiptarë”, ka thënë Panxha, shkruan KosovaPress.
Po ashtu sipas tij, bllokimi i regjistrimit të barnave nga Kosova, për të pasur të drejtën e eksportit të produkteve farmaceutike duhet të bëhet regjistrimi i barnave në Agjencinë Kombëtare për Barna dhe Produkte Mjekësore (AKBPM), e cila procedure zgjatë jashtëzakonisht shumë (sipas të dhënave – kjo procedurë zgjatë deri në një vit apo në disa raste edhe më gjatë). Së fundmi Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe Forumi Ekonomik i Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë, kanë adresuar kërkesat e përbashkëta tek dy kryeministrat e vendit- te kryeministri Haradinaj, respektivisht kryeministri Rama. Sipas Panxhes, këto kërkesa adresojnë heqjen e barrierave tarifore dhe jo-tarifore, për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërsa, ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani për KosovaPress ka thënë se nuk kanë njohuri për masat apo barrierat e reja të cilat i ka vendosur Shqipëria ndaj prodhimeve kosovare, por tha se janë në koordinim me Shqipërinë dhe me dy klubet e prodhuesve, të Kosovës dhe të Shqipërisë për të gjetur një zgjidhje për qarkullim të lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ne shumë së shpejti kemi me mbajtur një takim me ministrinë e Ekonomisë të Shqipërisë për zgjidhjen e problemeve me tarifat jo-tarifore dhe për zbatimin në tërësi të marrëveshjeve të arritura nga të dyja vendet për ekonomi”, ka thënë ministri Hasani.
Mërgim Prishtina nga Tre Pharm ka thënë për KosovaPress se nuk është diçka e re, por po vazhdon politika e bllokimit në vazhdimësi nga autoritetet e Shqipërisë ndaj produkteve të Kosovës. Ai shtoi se aktualisht problematikë mbetet mos regjistrimi i produkteve të “Tre pharm” për tregun e Shqipërisë, ngase vetëm 20 produkte farmaceutike janë të regjistruara prej 120 sa janë të gjitha.
“Shqipëria në vazhdimësi ka vënë barriera ndaj produkteve farmaceutike, ngase autoritetet e Shqipërisë nuk po i regjistrojnë produktet tona për tregun e Shqipërisë. Kemi telashe me autoritetet e Shqipërisë qe shumë vjet, të cilat vazhdimisht po vendosin barriera ndaj produkteve tona. Shqipëria nuk po na i regjistron produktet tona, vetëm 20 produkte i kemi të regjistruara atje, prej tyre janë vetëm ato të cilat nuk prodhohen në Shqipëri. Kjo është me të vërtet nuk është në rregull çfarë po ndodhë”, ka thënë Prishtina.
Ndër prodhuesit tjerë të Kosovës, të cilët po hasin në këtë barriera të reja jo-tarifore është Birra Peja.