71-vjetori/ Çlirimi i Tiranës përmes të dhënave
“Javanews” po Ju jep një listë të dhënash me ngjarjet kryesore që përcollën çlimin e kryeqytetit, si edhe disa të dhëna teknike për këtë luftë…
Qysh nga fundi i muajit Gusht ushtria gjermane kishte nisur nga puna për ta kthyer Tiranën në një lloj fortese. Disa pjesë të qytetit ishin mbyllur krejtësisht dhe ishte përcaktuar një zonë e gjerë sigurimi në qendër të së cilës gjendej misioni gjerman.

7 Shtator 1944 – Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti u largua nga Shqipëria për në Gjermani. Autoritetet ushtarake gjermane propozuan që posti i kryetarit të bashkisë dhe prefektit të shkriheshin në një të vetëm. Propozimi u hodh poshtë. Për Tiranën u krijua një komitet i kontrolluar prej tre vetësh, që shumë shpejt u shpërbë.
15 Tetor – Përfaqësia gjermane në Tiranë u shpërnda ndërkohë që qyteti mbeti pa një autoritet shqiptar të efektshëm.
26 Tetor – Këshilli i Lartë i Regjencës dhe Qeveria kolaboracioniste e Biçakut dhanë dorëheqjen. Faza e parë e betejës filloi kur forcat partizane sulmuan nga jugu me rreth dy mijë luftëtarë, të mbështetur nga artileria dhe autoblindat. Gjermanët u tërhoqën në pozicione të parapërgatitura në Tiranën e Re duke ua lënë pjesën e vjetër të qytetit partizanëve.
29 Tetor – Divizioni I-rë i Mehmet Shehut i përbërë nga Brigada I, IV dhe XXIII ndërmerr një sulm të përgjithshëm mbi qytetin e Tiranës. Brenda një dite forcat ajrore britanike që bashkëpunuan me forcat partizane hodhën 28 avionë raketalëshues, të cilat i shkaktuan dëm të madh kazermave të fortifikuara që kishin ndërtuar gjermanët.
11 Nëntor – Filloi faza e dytë dhe vendimtare e betejës, ku partizanët ndërmorën një sulm të ri ndërkohë që nga Jugu po afrohej një autokolonë përforcuese gjermane.
13-15 Nëntor – Kjo autokolonë me njësi të Korparmatës XXII që vinin nga drejtimi Strugë-Elbasan dhe përbëhej nga 2000-3000 trupa u sulmua në afërsi të Qafë- Krrabës nga njësitë e Brigadës I dhe VIII. Ndërkohë që burime të regjimit komunist pohuan se kjo kolonë u zhduk, burime gjermane pohojnë se ajo u shpëtua nga një numër i vogël tankesh që u dërguan nga Tirana.
7 Nëntor – Garnizonet gjermane u evakuan përfundimisht nga Tirana duke vazhduar rrugën drejt Shkodrës nëpërmjet rrugës bregdetare që shkonte drejt Shkodrës.
HUMBJET GJATE BETEJES
-Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e qytetit të Tiranës dhe rrethinave të saj, ranë 127 partizanë.
-Për çlirimin e Tiranës luftuan Njësitë partizane dhe Njësitë guerrilase të organizuar në nëntë çeta luftarake.
-Dokumentet gjermane nuk japin shifra rreth numrit të të vrarëve apo të plagosurve së tyre gjatë betejës së Tiranës. Sipas historiografisë shqiptare gjatë kësaj beteje u vranë 2000 gjermanë dhe u zënë rob 500 të tjerë.
-Dëmet më të rënda janë regjistruar në pikat e fortifikuara ku gjermanët kishin vendosur trupa por me përjashtim të ciflosjeve nga plumbat e armëve duket se qyteti nuk pësoi ndonjë dëmtim të madh.









