Në revistën “Scientific Reports” u publikua një hulumtim i kryer në tri universitete, St. Andrews, Durham dhe Exeter, i cili hulumtoi se pse tërheqshmëria e mashkullit rritet kur femrat e ndjejnë se ka interes nga femrat e tjera për të.
Është treguar se ky efekt, i njohur si “efekti i unazës së martesës”, shoqërohet me një perceptim të ndryshëm të mashkullit: si një partner besnik dhe i mirë dhe një baba më i mirë, transmeton koha.net.
Studimi kështu e testoi vërtetësinë e tezës që një person konsiderohet partner më i dëshirueshëm romantik sepse është në lidhje, ashtu që të anketuarave, 49 femra ishin në pyetje, iu prezantuan tre fotografi: të fytyrës së mashkullit, duarve dhe veprës artistike.
Pjesëmarrëset duhej të tregonin se cila fotografi ishte më tërheqëse për to duke e vlerësuar atë, ndërsa pas kësaj iu prezantuan vlerësimet të cilat i dhanë pjesa tjetër e të intervistuarve në grup. Kur pas kësaj e patën përsëri mundësinë për t’i vlerësuar të njëjtat fotografi, femrat këtë herë e ndryshuan mendimin nën ndikimin e vlerësimit grupor.
Në 13% të rasteve, femrat e ndryshuan mendimin e tyre për atë se cili mashkull u pëlqente më shumë sesa që kishin mundësi t’i dëgjonin mendimet e femrave të tjera. Prandaj u konstatua se “disa femra i kopjojnë dëshirat e femrave të tjera për arsyen e thjeshtë se njerëzit ndonjëherë kanë tendencë të bien nën ndikimin e perspektivës së një personi tjetër”, kështu shpjegoi dr. Kate Cross.
Ky studim e mbështet një studim të mëparshëm, të kryer në Universitetin e Oklahomës. Në atë rast u dëshmua se 90% e femrave që nuk ishin në lidhje ishin të interesuara për mashkullin e zënë, ndërsa vetëm 59% e tyre e donin të njëjtin mashkull kur ai ishte i lirë.
Kjo veti e perceptimit të ndryshëm për shkak të “efektit të unazës së martesës”, i cili nuk është i panjohur edhe në botën shtazore, vetëm do të thotë se mashkulli i caktuar është dëshmuar se i ka disa karakteristika të dëshirueshme meqë dikush ka vendosur të martohet me të, ose të jetë në lidhje me të.











