EKSKLUZIVE JAVANEWS/ Ka rënë në sy ditët e fundit një artikull denoncues me autor Sefer Pashën në gazetën Dita, ku rrëfehej fati tragjik i bibliotekës së akademikut të shquar Prof.Androkli Kostallarit, njërit prej gjuhëtarëve më të famshëm të pasluftës dhe personit që drejtoi punën për hartimin e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.
Siç e shkruan edhe Seferi në shkrimin e tij, absurdi i një kohe të çmendur, siç ishin vitet ’90 në Shqipëri, bëri që biblioteka e Profesor Kostallarit të merrte rrugët në kuptimin më material të fjalës. Librarë, bukunistë e shitës librash gjithfarë, morën nga familjarët e Kostallarit copëza të bibliotekës nga familjarit e profesorit të ndjerë, pasi pronarët e banesës së tij kërcënonin të digjnin gjithçka. Disa nga librat e kësaj biblioteke përfunduan edhe në skedarët e Bibliotekës Kombëtare.
Pas botimit të shkrimit në Dita, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani shkroi për Javanews rreshtat e mëposhtme, ku shpjegon jo vetëm sesi erdhën librat e bibliotekës së Prof.Kostallarit në institucionin që ajo drejton, por komenton edhe fatin e bibliotekave të tjera në 70 vitet e fundit, të cilat kanë pasur fate të ngjashme me fondin e librave të Androkli Kostallarit.
Ja çfarë shkruan zonja Asllani:
Humbja apo cungimi i bibliotekave të personaliteteve të kulturës e dijes, si edhe të koleksionistëve të pasionuar, përbën gjithmonë një lajm sa të trishtë aq dhe indinjues. Tashmë, në historinë moderne shqiptare të “jetës së librit” mund të flasim për fate tragjike bibliotekash precioze e erudite të cilat luhaten nga sekuestrimet shtetërore të mbasluftës së Dytë Botërore (si biblioteka e Mit’hat Frashërit, e Musfata Merlika-Krujës, e Karl Gurakuqit, biblioteka Françeskane e Jezuite etj); nga shkatërrimet e sekuestrimet e mëtejshme sistematike të Sigurimit të Shtetit; nga djegia e shumë bibliotekave e arkivave religjioze të institucioneve fetare gjatë delirit ateist; deri te dukuria e 25 viteve të fundit, ku mungesa e kushteve fizike si dhe e një strategjie të qartë për sistemimin e mëtejshëm të bibliotekave të rëndësishme personale ka shpënë në shpërndarjen, humbjen apo asgjesimin e tyre.
Në thelb, menjëherë mbas viteve ’90, institucionet dhe shoqëria shqiptare, teksa trashëgonin pasojat çoroditëse të kolektivizimit material, mendor e shpirtëror, nuk qenë të përgatitura as në mentalitet, as në aspekte ligjore, as në mjedise e as në mjete financiare, për të trajtuar çështjen e marrjes nën kujdestari apo edhe të blerjes së pasurive të tilla librore.
Megjithatë, aty ku ndjeshmëria e vetëdija ka qenë e lartë, e sidomos gjatë viteve të fundit, është rikthyer përkujdesja reciproke për biblioteka të tilla. Po përmend këtu me mirënjohje gjestin fisnik të trashëgimtarëve të familjes së Akademikut Aleks Buda, duke i dhuruar Bibliotekës Kombëtare bibliotekën e tij, apo edhe të mësuesit të shquar kosovar Ali Rexha, i cili gjithashtu na ka dhuruar bibliotekën e tij të pasur në koleksione të plota. Familja Pepo i ka dhuruar Bibliotekës së Korçës një nga bibliotekat personale më të pasura, me koleksione si antikuare edhe periodikësh të rrallë, ndërsa familjarët e gjuhëtarit të shquar Mahir Domi ia dhuruan një pjesë të rëndësishme të koleksioneve pikërisht bibliotekës së qytetit të lindjes, Elbasanit.
Por do të përmendja edhe kujdesin që vetë bibliografi e intelektuali i shquar Ëilly Kamsi tregoi në të gjallë të tij, duke ia lënë në trashëgimi bibliotekën e arkivën e tij marramendëse Bibliotekës Françeskane në Shkodër. Dhe këto shembuj nuk janë të rastësishëm. Unë besoj fort se ato vijojnë përmes vetëdijes së tyre një traditë të çmuar të themeluar përmes vetë themelimit e plotësimit të bibliotekave të vendit tonë qysh në vitet e para të pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Biblioteka albanologjike e albanologut të shquar Gustav Ëeigand, dhuruar prej tij, plotëson prej shumë kohësh fondet tona albanologjike, ashtu si dhe koleksionet e vlefshme të Nexhip Alban. Tashmë është i mirënjohur edhe amaneti i Konicës për t’ia lënë trashëgim bibliotekën e tij të pasur e të larmishme deri në “ekstavagancë” Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, amanet që tashmë e kemi plotësuar pjesërisht përmes gjetjes së rreth 270 ekzemplarëve të saj në SHBA falë kontributit të z. Agron Alibali dhe të Qeverisë Shqiptare. Ndonëse të pjesshme, edhe koleksione nga biblioteka personale e Kutelit, Ilo Mitkë Qafëzezit etj përbëjnë një kujtesë të çmuar librore dhe familjarët e tyre meritojnë gjithmonë nderim të veçantë për kujdesin dhe vetëdijen kulturore.
Sidoqoftë, refleksi i parë që pata thuajse qysh me leximin e titullit “ Fati i keq i bibliotekës së Kostallarit” ishte t’i drejtohesha autorit të shkrimit si dhe lexuesve të së përditshmes “Dita” me një informacion konkret jo thjeshtë për të sinjalizuar praninë edhe të disa librave të tjerë të “Bibliotekës Kostallari” në fondet e Bibliotekës Kombëtare, por veçanërisht për të dëshmuar mbi gjestin qytetar të dhurimit të tyre gjatë vitit 2016 nga gjuhëtarja dhe pedagogia e Universitetit të Elbasanit, Prof. As. Teuta Toska, një kolege dhe bashkëpunëtore e çmuar. Është fjala për 5 vepra të “Bibliotekës Kostallari” të cilat zonja Toska i ka gjetur duke shfletuar një grumbull librash që shiteshin në trotuar dhe teksa i ka pikasur si libra të bibliotekës së tij, i ka blerë menjëherë me dëshirën fillestare për t’i larguar sa më parë nga pluhuri dhe fati i trotuarit.
Me pas, me vetëdijen qytetare e profesionale që e karakterizon prej qysh kur kam pasur kënaqësinë ta njoh e të bashkëpunoj me të, ajo vendosi t’ia besojë këtë thesar të vogël Bibliotekës Kombëtare, duke ia dhuruar gjatë një prej vizitave të saj të punës në vitin 2016, me bindjen se jo vetëm po u kthente atyre librave respektin e nëpërkëmbur, por edhe se po pasuronte fondet tona qoftë edhe me një copëz modeste të Bibliotekës së shquar të profesor Kostallarit.
Vlerë të veçantë marrin këta ekzemplarë edhe falë autografeve të autorëve tyre si dedikimi ndaj kolegut të tyre, ku spikasin veprat: “Gramatike historike e gjuhes shqipe”, që prof. Shaban Demiraj ia dhuronte me kushtim Kostallarit; “Vdekja me vjen prej syve te tille”, dhuruar nga Rexhep Qosja; “Studime gjuhësore në fushë të shqipes” i prof. Idriz Ajetit; “Studimi i teksteve të vjetra”, gjithnjë me dedikim, nga prof. Rexhep Ismajli.
Përfitoj nga ky shkrim për ta falenderuar publikisht zonjën Teuta Toska në emër të Bibliotekës Kombëtare si dhe t’i ftoj të gjithë për më shumë vëmendje e përkujdesje ndaj bibliotekave tona, qofshin ato publike apo private.
Sikundërse pata mundësi të ritheksoja edhe gjatë ceremonisë së përurimit të Sallës Franceze të Leximit në Bibliotekën Kombëtare në fillim të kësaj jave, në prani të të ftuarve të shumtë, jam e bindur se bibliotekat duan shumë përkushtim, shumë mbështetje, mirëkuptim dhe dashuri. Duan vullnete të forta, duan komunitete miqësore, duan financime të vijueshme, por duan edhe këmbënguljen tonë deri në kokëfortësi, sikundërse edhe sfidë njerëzore ndaj burokratëve apatikë sa herë të jetë e nevojshme.
Persida Asllani
Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare
Te mos harrohet Prof. Arshi Pipa, qe i dhuroi Biblotekes sè Shkodres te gjithe librat e tij qe ne te gjalle; po ashtu si edhe Prof. P. Jakob (Luigj) Marlekaj, qè ia la te gjithe biblioteken e vet (rreth 3000 vèllime) Bibliotekes Françeskane, se bashku me ato te P. Paulin Margjokaj dhe P. Daniel Gjeçaj…