Një nga dosjet e SPAK, gjurmët e së cilës çojnë te Meta është ajo që njihet si afera CEZ-DIA dhe që po hetohet personalisht nga kreu i saj, Dumani.
Tashmë ka shumë të tilla, por afera CEZ-DIA është një prej skandaleve të mëdha financiare në historinë e pluralizmit në Shqipëri.
Kjo marrëveshje do t’i kushtonte buxhetit të shtetit shqiptar 414 milionë euro dëm pas prishjes së njëanshme në 2013.
Zë fill me shitjen e 75% të aksioneve të shoqërisë shtetërore OSSH nga qeveria Berisha tek CEZ në vitin 2009.
Dhe mbyllet me përzënien e CEZ nga Shqipëria në vitin 2013, lëvizje kjo me prapaskenë elektorale dhe korruptive.
Pak pasi Sali Berisha dhe ministrat e tij firmosën privatizimin OSSH, me një mijë pika të errëta dhe favorizime, në skenë u shfaq biznesmeni Kastriot Ismailaj, i cili krijoi kompaninë Debt International Advisory (DIA), në Ishujt Virgjin Britanikë, në 7 korrik 2010.
Më 4 gusht 2010, DIA regjistroi degën e saj në Tiranë, me administrator Ismailajn. Në shtator 2010, CEZ hyri në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Për të fituar kontratën me CEZ, DIA përdori dokumente false. E gjithë kontrata, sipas prokurorëve, bazohej në gënjeshtra, sajesa dhe dokumente false, ndërsa kompania DIA ekzistonte vetëm në letra. Sipas ‘kontratës’, CEZ duhet t’i paguante DIA një tarifë fikse 512 mijë euro në muaj, plus edhe tarifën e ‘suksesit’. Ismailaj paraqiste letra false, merrte paratë dhe i zhdukte.
Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të shoqërinë “CEZ Shpërndarja”, në bashkëpunim me përfaqësues të CEZ. Nga ana tjetër, CEZ ngrite pretendime për njohjen e borxhit të keq tek qeveria Berisha, e cila i pranonte.
“Kastriot Ismailaj, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive në bashkëpunim me shtetasin Josef Hejsek, ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme shumën 512 004 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë “CEZ Shpërndarja”, Paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit (vjedhjes), i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka përdorur me qëllim realizmin e kontratës, por i ka investuar, i ka transferuar jashtë vendit apo i ka përdorur për qëllime personale”, thuhet në dosje.
Edhe pse në fund u dënua vetëm Kastriot Ismailaj, ka dyshime të forta se Ismailaj ishte thjeshtë dora e politikanëve të lartë të Tiranës, për vjedhjen e parave, në koordinim me vetë CEZ, i cili favorizohej sistematikisht nga qeveria si dhe zhvaste qytetarët me fatura arbitrare.
Janë të paktën disa dëshmi dhe indicie që identifikojnë ish-presidentin Ilir Meta, si njeriun që fshihej pas Kastriot Ismailajt. Ndjekja e çdo fije rreth aferës CEZ-DIA të çon pikërisht tek ai.
Ismailajt i dënuar në 2017 iu sekuestruan 8 milionë euro. Gjykata ka urdhëruar sekuestron mbi të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të Ismailajt, 52-vjeç në kohën e dënimit.
Dy muaj para kësaj sekuestroje, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të sekuestrojë edhe 5 milionë dollarë të biznesmenit dhe familjarëve të tij.
Kjo ishte një nga aferat e para me të cilat nisi punën SPAK. Kjo prokurori i ka marrë dëshmi në burg Ismailajt i dhe ka folur me gruan e tij në arrati. Janë thirrur gjithashtu edhe ish-ministri Damian Gjaknuri dhe zyrtarë të tjerë.
Jozef Hejsek: Ismailajn na e rekomandoi Ilir Meta
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Jozef Hejsek ka dëshmuar se Ismailaj u trajtua si njeriu i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Ilir Meta dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohë në Pragë, Qazim Tepshi. Jozef Hejsek e bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, ku kompania e Kastriot Ismailajt, Debt International Advisory, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ. Hapja e procesit penal në Tiranë detyroi Kastriot Ismailajn që të tërhiqej nga arbitrazhi.
Dritan Prifti: Meta udhëtoi në Çeki për kontratën CEZ-DIA
Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. “Ideja ishte që CEZ kishte 200 milionë euro borxhe të pa mbledhura dhe, nëse ai i mblidhte ato, merrte gjysmën”, tha Prifti. Ish ministri i Energjetikës e bëri këtë deklaratë 4 vite para se të plase skandali. Në vitin 2015, Prifti ka dhënë edhe një dëshmi në prokurori për lidhjet e Metës me Kastriot Ismailajn. Prifti tha se kanë marrë para nga Kastriot Ismailaj edhe 5 deputetë të LSI-së. “Nga llogaria e DIA-s kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës Agron Çela. Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës që sot është deputet i LSI-së, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motora që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011-të”, tha Prifti.
Gruaja e Ismailajt: Meta vinte në shtëpinë tonë
Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i nisi Kastriot Ismailajt. “Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë….Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”, tha ajo. Pas këtyre deklaratave, Vojsava nuk pranoi të shprehj më për media, pasi kishte marrë kërcënime serioze.
Berisha: Prokuroria të marrë nën hetim Metën
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, i cili i ka mohuar gjithnjë akuzat. “Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”, tha Berisha.
Meta mesazh Ismailaj: Dua urgjent 200…
Në qershor të 2019, media publikoi një investigim, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriot Ismailaj një shumë prej 200 mijë euro.
Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në 22 qershor 2009, Meta i thotë Kastriotit në orën 17:57 me një SMS me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Mesazhi doli në pah nga një dosje e prokurorisë për krimet zgjedhore, gjatë përgjimeve, ku doli në skenë Kastriot Ismailaj. Mesazhi, i cili vijon të mos i bëjë përshtypje SPAK-ut, konfirmonte edhe një herë se Kastriot Ismailajt ishte thjeshtë maska e Metës në afër CEZ-DIA./Dita