Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një autobus mori flakë në qytetin Kerzers në perëndim të Zvicrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:25 me kohë lokale të martën, 10 mars, në qendër të Kerzers, rreth 20 km nga kryeqyteti.
Policia bëri me dije se të paktën tre persona u transportuan në spital, ndërsa raportohet se një nga personat e ekipit të zjarrfikësve gjithashtu u plagos gjatë operacionit.
Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar, por po zhvillohet një hetim për të përcaktuar nëse ai është i qëllimshëm. Ka raportime se një person mund të ketë derdhur benzinë mbi veten, por autoritetet nuk kanë mundur ta konfirmojnë menjëherë këtë.
Video të publikuara nga mediat lokale tregojnë autobusin në flakë, ndërsa tymi përfshiu vendin e ngjarjes.
Autobusi po udhëtonte nga komuna Düdingen, 17 km në jug të Kerzers. Në një postim në “X”, Presidenti zviceran Guy Parmelin tha se ngjarja është tronditëse dhe pikëlluese.
Dëshmitë tronditëse
Ka një rrëfim dramatik nga një dëshmitar që ndodhej në autobus. Me fytyrën të mbuluar me tym dhe në shok, ai tha: Një burrë i vuri flakën vetes në autobus! Ai tund duart dhe përsërit: Derdhi gjithë benzinën mbi veten!
Ky nuk ishte i vetmi dëshmitar që raportoi këtë. Fillimisht mori flakë pjesa qendrore e autobusit, ndërsa jerëzit në rrugë largoheshin të trembur. Në atë çast, askush nuk u pa duke zbritur nga ai autobus, që tanimë është shkrumb e hi.
Tre nga të lënduarit u transportuan në spital menjëherë, ndërsa dy të tjerët me lëndime të lehta u mjekuan në vend.
Kujtojmë se po në Zvicër, 41 persona humbën jetën nga një zjarr vdekjeprurës që shpërtheu në një resort ski në natën e Vitit të Ri.











