Nga Shpëtim Nazarko
Kohë më parë, duke biseduar me ish-ambasadorin grek në Shqipëri, Kokosis, me origjinë të largët shqiptare, ai, familjar me shkrimet e shtypit tonë, më rrëfen se i dukesha si një njeri i vetmuar që kërkoja ujë në shkretëtirë, sepse Shqipëria e djeshme dhe e sotme nuk përputhet gjëkundi me konceptet që Evropa ka për ne.
Shembulli praktik që i mora ish-ambasadorit grek ishte i tillë: Për shkak të agjencive shumë të mëdha që kishin grekët në atë kohë në Bruksel, ata përfitonin pafund ndihma dhe programe nga Evropa, dhe një nga shembujt tipikë të kësaj ndihme ishte praktikisht porti i Igumenicës dhe më pas autostrada e tyre, që shkon prej këtij porti dhe zëvendëson atë që ne e quajmë Egnatia, apo rrugën e vjetër, që lidhte dy perandoritë.
I thashë ish-ambasadorit se historia e shfrytëzimit të portit të Vlorës sikur atij të Igumecinës i ngjan asaj historisë me dhelprën dhe lejlekun, e cila e fton këtë të fundit në gosti dhe e vë të hajë në një pjatë të sheshtë, dhe me pas lejleku i kthen reston duke e ftuar të pijë qumësht në një qyp, e në fund të dyja palët mbetën pa ngrënë.
Vijova duke i thënë se për shkak të prapambetjes së shtetit tim dhe të agjencive të pafundme që ju keni, duke qenë në Evropë, natyrisht që ju do ta fitoni betejën e Igumenicës në vend të Vlorës, por është e qartë se jemi në pozicionin e një lejleku që i duhet të hajë në pjatën e sheshtë të dhelprës.
Në thelb, isha shumë i qartë në mendjen time – ose ndoshta mund të ishte një teori konspirative – që grekët të mund të shfrytëzonin dobësinë e pushtetit qëndror në Shqipëri dhe të mund t’i rekomandonin komunitetit evropian apo të kishin hartuar déjà raporte që Shqipëria nuk është në gjendje, për shkak të një pushteti politik të paqëndrueshëm, për shkak të bandave kriminale, etj., etj., për të favorizuar një rrugë tjetër që do të ishte shumë më e përshtatshme, supozojmë, se rruga Egnatia, që ata e ndërtuan, dhe praktikisht sot është inefektive.
Vetë Greqia së pari u dëmtua nga ky veprim, duke qenë se porti i Igumenicës nuk mund të zëvendësojë kurrë portin e Vlorës, jo vetëm për shkak të madhësisë, thellësisë, dhe gjatësisë që krijohet nga rruga e ndërtuar, etj.
Për se shërben ky rrëfim
Po e riformuloj problemin duke u nisur nga një tregim i përafërt. Pyes një ditë shoferin e gazetës sime se kush e fitoi luftën e dytë botërore dhe ai m’u përgjigj pa u menduar aspak, pavarësisht kulturës që kishte, se fituese ishte Amerika.
Të mundur dhe fitues, Anglia, Gjermania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik kishin rënë përdhe, dhe Amerika, në atë moment, sipas rregullave, duhej ta shfrytëzonte këtë epërsi, e cila ishte forcuar, sepse në vitin 1945 ajo jo vetëm ishte bërë shumë e pasur nga Lufta e Dytë Botërore, por kishte marrë 95% të rezervave të arit të botës dhe njëkohësisht kishte arritur të fuste në një marrëveshje shumë të famshme dollarin në ADN-në e parasë botërore.
Dhe Amerika vendosi që të ndërtonte atë që quhet Plan Marshall, i cili presupozonte shfrytëzimin e ideve të grekëve të vjetër për t’u dhënë vendeve të mundura, veçanërisht Gjermanisë, e cila kishte humbje të konsiderueshme në infrastrukturë, ndihmë në teknologji, në reduktimin e përqindjes së borxhit, e cila, përveç përfitimeve që do të kishte për vetë evropianët, do të sillte edhe të këqijat e veta, pasi Amerika do të kontrollonte procesin teknologjik dhe pas 50 vjetësh, Evropa, e dalë nga kriza e vet, u barazua në kapital me Amerikën, për t’u çliruar prej luftërave.
Në një proces analog është Ballkani i sotëm me të mundurit dhe fituesit e luftës së dytë botërore, për gjendjen aktuale të të cilit shumë akademikë e gazetarë thonë se ndoshta do i nevojitet plani Marshall i Amerikës. Unë besoj se problemi është më i thjeshtë dhe do ta shikojmë nga këndvështrimi shqiptar populist, që mund të bëjë të mbledhin buzët shumë akademikë dhe militantët qorra. Thelbi është shumë i thjeshtë: nëse do të kemi përpara një qengj të porsalindur, ky qengj nuk mund të hahet, duhen pritur 40 ditë që ai të forcohet, etj.
Ç’do të thotë kjo?
Thelbi i Evropës në marrëdhënie me Ballkanin është gjithaq i thjeshtë, analog me atë të planit Marshall të Amerikës, por ka një veçori nga ky i fundit: nëse Amerika e dinte shumë mirë se Gjermania e pasluftës dhe aleatët që duheshin ndihmuar praktikisht kishin humbur ndërtesat e tyre, por jo kuadrot e veta shkencore (megjithëse në vitet ’45-’55 Amerika mori me vapor shpikjet dhe shkencëtarët e gjithë Evropës, prapësëprapë, në vitin ’55 Gjermania ishte sërish në vend të parë, duke qenë se ajo nuk kishte humbur klasën e vet politike, që u mishërua nëpërmjet Adenauer-it).
Duke iu kthyer temës, mund të themi që ajo që kërkon Evropa prej nesh është një plan Marshall, i cili paraprakisht ka plotësimin e kushteve, për të mos ta ngrënë atë qengjin të porsalindur. Që do të thotë: nëse Evropa do ta shohë Shqipërinë si një rrugë kalimi për të shkuar drejt Lindjes, ajo do të kërkojë prej vendeve ballkanike që të kenë pikërisht infrastrukturën e plotë, pra, të kenë një sistem gjyqësor, porte, dogana, rrugë të klasit të parë, ku të kalojnë kamionët e saj të ngarkuar me mall, pra praktikisht Evropa, hiq qëllimet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, kërkon që atë “qengjin” në tregun e ri ballkanik ta parapërgatisë për ta ngrënë, për t’i shërbyer asaj.
E për ta bërë këtë gjë, në nuk mund të vemi me një infrastrukturë, gjyqësor, dhe më një pronë të bërë copa-copa. Pra, nuk është se Evropa na bën ndonjë favor të madh, është e njëjta marrëdhënie sikur e kishte Amerika me të pas luftës së dytë botërore, ku ajo vërtet e ndihmoi, dhe e kishte me detyrim këtë ndihmë, për arsye se po të luante e izoluar nuk do t’i shtonte dot fitimet e saj ose do të detyrohej të shkonte në Afrikë, ku gjendja ishte më keq se në Gjermani, ku përveç infrastrukturës mungonte edhe energjia apo kapitali njerëzor i kulturuar për të realizuar planet e veta.
Kështu që, në pikëpamjen më pragmatike në botë, Evropa është po aq e interesuar sa ne që të na futë në gjirin e vet dhe nuk janë vetëm arsyet gjeopolitike, por edhe disa të karakterit pragmatik. Evropa kërkon që ta hapë këtë treg duke e çuar atë fillimisht në kushtet e tregut, pra duke ndihmuar klasat përkatëse politike ose vendet e caktuara që do të hyjnë në rrjetën e saj, që të kenë infrastrukturë të posaçme rrugore, gjyqësore, probleme të zgjidhura me pronën private, arsim profesional të klasit të parë, energji dhe ujë. Dhe në këtë pikëpamje, ndihmat e saj të dhëna gjoja si me pikatore janë vërtet një mjet i vazhdueshëm me një përgatitje për ta ngrënë qengjin në kohën e duhur.
Në një pikëpamje të karakterit gjeopolitik, është e natyrshme që Shqipëria, duke iu referuar shembullit me Igumenicën, duke qenë për gati një mijë vjet rruga lidhëse mes dy perandorive, është përsëri një nga rrugët më të shkurtra që siguron pozicionin e vet tranzit nëpërmjet korridorit 8 apo portit të Vlorës, që do ta lehtësonte menjëherë marrëdhënien e Shqipërisë me Evropën, me rajonin, ndoshta edhe më gjerë.
Në këtë sens, çka kuptohet, marrëdhëniet aktuale të Evropës janë të një specifike të ndryshme nga ato të Amerikës së vitit ’55, gjegjësisht, Evropa po e përgatit Ballkanin me tepër se në pikëpamje gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për të shkuar në një marrëdhenie të tillë që hapja e tregut të korrespondojë më një fitim të dyanshëm.
Evropa nuk mund të pranojë që me kushtet aktuale që kemi të bëjë një tregti të barabartë me ne, dhe nga ana tjetër ajo përgatitet dalëngadalë për të na i inkorporuar. Përmbi këto arsye, që janë të karakterit real, pragmatik, ka mijëra programe, artikuj, etj., që perceptohen si një plan Marshall i Evropës (analog me atë të Berlinit), por në thelb është një kërkesë pragmatike shumë e thjeshtë.
Pra në nuk mund të kërkojmë investitorë evropianë për sa kohë nuk kemi rregulluar gjërat bazë (ujë, drita, prona etj.). Për vende si yni lindin detyra specifike që një klasë politike i ka shumë të vështira për t’i përmbushur, arsimi profesional etj. Në rrëmujën e gjërave vihen përballë akademikë që merren me formulimin e letrave, e militantët qorra që kërkojnë përfitime të mëdha.
Ne duhet të jemi të gatshëm për t’u bërë partnerët e Evropës nëpërmjet parametrave që më sipër analizohen dhe e rëndësishme është gjetja e një të mesmeje të artë në një marrëdhenie me përfitim të dyanshëm. Në përmbyllje, thënë shkurt, Evropa do na kullufisë si atë qengjin e vogël, jo menjëherë të porsalindur, por pasi të jetë kujdesur që të jetë bërë i ngrënshëm.