Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi duke folur në një intervistë televizive për ndryshimet kushtetuese sa i takon hapjes së listave tha se nisma është depozituar që në maj të 2019.
“Në fakt, ndryshimet në kushtetutë nuk janë bërë në një kohë të shkurtër, pasi sikurse ju jeni në dijeni ka pasur një komision “Ad Hoc” të Reformës Zgjedhore, dhe opozita parlamentare ka depozituar në maj 2019 propozimet për ndryshime lidhur me listat e hapura dhe koalicionet. Nisma ka qenë e depozituar në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ne kemi pasur një kalendar, vendosëm që të fillojmë me rekomandimet e OSBE, pastaj me sistemin zgjedhor dhe listat e hapura. Ka pasur një punë në grup, të asistuar nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Ne nuk mund të miratonin Kodin Zgjedhor pa pasur votat e opozitës parlamentare”, tha ajo.
Hysi theksoi se marrëveshja e 5 qershorit nuk është shkelur dhe opozita jashtëparlamentare ka qenë për hapjen e listave.
“Marrëveshja e 5 qershorit nuk është shkelur. Ne e kemi miratuar ashtu siç ka ardhur nga negociatat dhe konsultimi në Këshillin Politik. Ne i dhamë përparësi kthimit të opozitës jashtëparlamentare në shinat e jetës së saj, që të garojë në zgjedhje dhe këtë e kemi bërë për zgjedhësit e tyre. E para nuk ka ndryshim sistemi, sistemi zgjedhor është po ai që ka qenë, por ka ndryshim të listave. Listat e hapura kanë qenë një kërkesë e opozitës jashtëparlamentare në radhë të parë, nëse ne u kthehemi fjalimeve të Bashës, ai ka qenë për lista të hapura”, tha ajo.
/e.rr