Pas 1 janarit, me hyrjen në fuqi të TVSh 6%, qeveria llogarit reflektim të uljeve të çmimeve te supermarketet në masën 11.6%.
Ministria e Ekonomisë ka hartuar edhe Projektaktin Normativ, që pas miratimit do të ketë fuqinë e ligjit, synon të monitorojë reflektimin e uljes së çmimeve nga operatorët tregtare pas uljes së TVSH-së.
Projektakti për monitorimin e çmimeve përfshin edhe nënshkrimin e një Marrëveshje mes Ministrisë së Ekonomisë dhe supermarketeve.
Sipas modelit të Marrëveshjes që Monitor disponon dhe do të nënshkruhet mes palëve, synohet të vendosë një mekanizëm monitorimi për çmimet e produkteve të shportës bazë, në kuadër të zbatimit të uljes së TVSH-së.
Projekt-akti i propozuar përcakton se për verifikimin e reflektimit të uljes së TVSH-së është propozuar të përdoret si referencë çmimi mesatar efektiv i shitjes i të njëjtit produkt, nga i njëjti operator dhe në të njëjtën hallkë tregtimi, gjatë periudhës 1–31 tetor 2026.
Në rastet kur ulja e çmimit do të jetë më e vogël se 10% kundrejt çmimit individual të referencës, do të përbëjë kriter për nisjen e verifikimit administrativ nga organi përgjegjës.
Marrëveshja që do të nënshkruhet mes palëve përmban 4 nene. Marrëveshja mes palëve do të përcaktojë detyrimin e tregtarëve për të raportuar çdo ditë çmimet e produkteve të shportës dhe për të njoftuar brenda 24 orëve çdo rritje të çmimeve të furnizimit, të shoqëruar me fatura dhe dokumentacion justifikues. Synimi është monitorimi i çmimeve dhe verifikimi nëse ulja e TVSH-së reflektohet te konsumatorët.
Në nenin 2 marrëveshja përcakton çmimet e tetorit 2026 do të shërbejnë si bazë për përcaktimin e çmimit individual të referencës për secilin operator.
“Operatori bashkëpunon me Ministrinë për përcaktimin e çmimit individual të referencës sipas Aktit Normativ, duke përcjellë të dhënat mbi sasitë dhe çmimet efektive të shitjes për periudhën 1–31 tetor 2026, për produktet objekt të Aktit Normativ, në përputhje me rregullat dhe formatet e përcaktuara në zbatim të tij”, përcaktohet në aneksin e marrëveshjes.
Sipas aneksit të marrëveshjes, supermarketet do të raportojnë çdo ditë çmimet e shitjes së produkteve të shportës dhe ndryshimet e tyre.
Çdo rritje e çmimit të furnizimit duhet të njoftohet brenda 24 orëve, e shoqëruar me faturat ose dokumentet që e justifikojnë. Ministria do të përshtatë platformën “Pasqyra e Çmimeve” për të mundësuar transmetimin dhe administrimin e të dhënave.
Gjithashtu marrëveshja përcakton se informacioni mbi kostot dhe çmimet e furnizimit do të jetë konfidencial dhe nuk do të publikohet për operatorët konkurrues.
Projektakti parashikon gjoba me vlerë deri në 2 milionë lekë për operatorët që nuk zbatojnë detyrimet e përcaktuara në aktin normativ. Për mosreflektimin e provuar dhe të pajustifikuar të uljes së TVSH-së, gjobë 200 mijë lekë për produkt, deri në 2 milionë lekë.










