Në nder të viktimave në Paris, Kreu i shtetit Bujar Nishani ka zhvilluar një ceremoni homazh në ambientet e Presidencës. I shoqëruar nga Kreu i parlamentit Ilir Meta, ambasadori i Francës në Shqipëri, Fitoussi si dhe zonja e parë Odeta Nishani, Presidenti tha se Shqipëria është e palëkundur në pozicionin e saj kundër teorrizmit dhe pranë Francës në këto momente zie.
“Më lejoni që të konfirmoj qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë dhe popullit shqiptar në aleancën e tij për të përballuar me sukses luftën kundër terrorizmit. Shqipëria do qëndrojë në krah të Francës, popullit francez i cili do ketë vetëm një fund, fitoren e civilizimit ndaj barbarisë. Paqja e përjetshme qoftë për viktimat, i paharruar kujtimi i tyre.” Tha Nishani.
Në shenjë respekti për viktimat u mbajt një minutë heshtje dhe më pas u luajt himni francez, i shoqëruar po ashtu dhe nga himni ynë kombëtar.
Në fjalën e tij ambasadori francez Bernard Fitoussi tha se Shqipëria është përkrah të gjithë popujve që janë në linjë kundër barbarëve që sulmuan pa mëshirë Francën dhe morën jetën e dhjetëra njerëzve të pafajshëm.
Të ftuar në këtë ceremoni ishin zyrtarë të lartë si dhe krerët e të gjitha feve fetare në vend.
Më heret, Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi se orën 17:00, do të ndalohet lëvizja e mjeteve nga “Ura e Dajtit”, dhe “Libri Universitar” në drejtim te sheshit ” Nënë Tereza”.
Gjithashtu nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në segmentin, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Institucionit të Presidentit te Republikes (nga Hotel Sheratoni, Sheshi “Nënë Tereza” deri tek kryqëzimi me Hotel “Rognerin”).









