Nishani sfidon Bushatin, urdhëron ambasadorin në Vjenë: Mos iu bind qeverisë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka injoruar vendimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke urdhëruar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në OSBE, Spiro Koçi, të qëndrojë në detyrë dhe të mos i bindet urdhrave të ministrit.
Gazeta “Panorama” ka zbuluar shkresën që Nishani i ka dërguar ambasadorit tonë në Vjenë, të cilit i ka saktësuar se ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedurë lirimi dhe se vetë Presidenti nuk ka firmosur asnjë dekret për ta liruar nga detyra. Për këtë arsye, kreu i shtetit i kërkon ambasadorit Koçi që njoftimet e Ministrisë së Jashtme për kthim në atdhe brenda datës 1 tetor të vitit 2015, duhet t’i konsiderojë të pavlefshme.
Në letrën e tij, kreu i shtetit sqaron se është vënë në dijeni për shkresën e ministrit të Jashtëm nga media dhe se i vetmi që ka tagër ligjor që të lirojë ambasadorin është kreu i shtetit dhe jo Ministria e Jashtme. Në shkresën e Presidentit Nishani, theksohet se lirimi nga detyra e ambasadorit në OSBE mund të ndërmerret vetëm me dekretin e Presidentit. Letra është dërguar në datën 21 shtator me numër protokolli nr.1679.










