Ashtu siç ishte paralajmëruar, në zonën e urës së Shkozës ka nisur aksioni për shembjen e 153 objekteve pa leje në kuadër të zbatimit të projektit për zgjerimin e rrugës.
Autoritetet konfirmuan se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga projekti pasi kërkesat e banorëve për dëmshpërblime nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe për ato godina nuk mund të ketë legalizim.
Policia ka rrethuar zonën ndërkohë eskavatorët kanë nisur punën për shembjen e godinave. Në zonë janë parë disa patrulla policie të forcave “Shqiponja”.
Po ashtu, zona mbahet nën kontroll nga efektivë me antiplumb. Këto masa të rrepta sigurie vijnë pas disa protestave dhe paralajmërimeve të banorëve se do të reagojnë ashpër./a.m.